Hyn në fuqi vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave për përfitimin e ndihmës ekonomike
Duke e nisur nga dita e sotme, skema e ndihmës ekonomike do të zgjerohet me qindra mijëra përfitues të tjerë. Sipas Ministrisë së Punës, në skemë pritet të futen të gjitha kategoritë, të cilat deri tani nuk kanë pasur mundësinë të përfitojnë për shkak të burokracive të dokumenteve. Shtresa më e re që do të përfitojë, janë jetimët, të cilët jetojnë pranë të afërmve të tyre. Këta fëmijë do të mund të marrin 3 mijë lekë në muaj deri në momentin që do të arrijnë të gjejnë një punë. Gjithashtu, do të përfitojnë ndihmë ekomomike edhe viktimat e dhunës në familje si dhe bashkëshortet, të cilat janë në prag divorci. Të dhënat më të fundit flasin për një numër në rritje të jetimëve të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike. Po kështu, është rritur edhe numri i viktimave të dhunës në familje, kjo për shkak të denoncimit të çdo rasti dhune që kryhet në familje. 1 mijë pritet të jetë numri i jetimëve që do të futen në skemë duke filluar nga 1 shkurti si dhe do të kenë mundësi të marrin ndihmë ekonomike.
Përfitimi
“Ndihma ekonomike e plotë për të gjitha kategoritë do të jetë 8 mijë lekë në muaj. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit do të jetë 3 mijë lekë në muaj, kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare do të jetë 3 mijë lekë në muaj, kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës”, – përcakton vendimi më i fundit i qeverisë. Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.
Dokumentet
Kopja e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti. Certifikata familjare që lidhet me regjistrin e familjes për të gjithë ata persona që janë pjesë e të njëjtës gjendje familjare. Dokumente të tjera të nevojshme, për të përcaktuar të ardhurat familjare. Vërtetimi i trajtimit në institucionet e përkujdesit shoqëror për rastet e veçanta. Urdhri i mbrojtjes ose urdhri i menjëhershëm të mbrojtjes për rastet e parashikuara. Vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët e familjes që paraqitet për të përfituar ndihmë ekonomike janë në zgjidhjeje martesore. Kopja e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar. Kopja e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, për familjet që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar. Certifikata e pronësisë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo akti i marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
Pedagogët brenda disa muajsh mund të ngelen pa paga
Ministria e Arsimit ka përgjysmuar fondin për Universitetin e Tiranës dhe shumë shpejt pedagogët mund të mos marrin pagat. Këtë fakt e bën të ditur rektori i Universitetit të Tiranë, Dhori Kule, gjatë një deklarate për shtyp, ku i kërkon Ministrisë së Arsimit më shumë fonde. “Është e vërtetë që ka një problem me mjaftueshmërinë e fondit të pagave. Me llogaritë që bëjmë me stafin efektiv mbetet rreth 1 muaj e gjysmë në totalin e vet, pa llogaritur, gjë që i kemi kërkuar Ministrisë së Arsimit ta kompensojë. Po edhe nëse nuk kthejnë përgjigje, do bëhen realitet në momentin që do të vijnë pagat. Asnjëherë nuk ka mbetur kush pa paga”, – shprehet Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës. I njëjti shqetësim ngrihet dhe nga dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, e cila thekson se buxheti për universitetet është sa gjysma e një viti më parë. “Ne kishim 4 muaj mungesë të fondit të pagave. Shpresojmë që të ulet sa më shumë e të zerohet, për arsye se jemi një fakultet që kemi një trup akademik dhe jo akademik prej 168 punonjësish që duhet të shpërblehen për punën që kryejnë”, – thotë Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Arvizu: Çdo shqiptar të mësojë gjuhën angleze
Çdo qytetar shqiptar duhet të mësojë gjuhën angleze me qëllimin që përveç njohurive të bëjë të mundur afrimin e sa më shumë turistëve. Kjo është thirrja e bërë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu, në takimin e organizuar me Unionin Anglishtfolës në Tiranë. Sipas ambasadorit, gjuha angleze është gjuhë ndërkombëtare dhe përdoret kudo, në aeroporte, restorante e qendra historike. Shqipëria, si pikë turistike, interesante për t’u eksploruar nga të huajt, duhet të ketë njerëz anglishtfolës, me qëllim që turistët të orientohen dhe të mund të komunikojnë duke mos e hasur këtë si problem, ka thënë Arvizu. “Keni bërë progres me gjuhën angleze, po ka edhe shumë për të bërë. Qeveria duhet të vazhdojë të mbështesë mësimin e gjuhës angleze, pasi është shumë e vlefshme”, – u shpreh ambasadori amerikan.





