Krimineli Mehmet dhe e drejta e tij?!

Agim Popoci

 

mehmetiMehmet Shehun e vranë! Mbyllja e këtij kapitulli shqetësoi të gjithë ata që u munduan ta shesin si vetëvrasje, shuarjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu dhe hedhin në tregun mediatik shqiptar madhështinë e një shtetari, duke “urdhëruar”shqiptarët që të harrojnë krimet e këtij shërbëtori të keq të Enver Hoxhës, njeriut që vrau me dorën e vet dhe nën urdhrat e tij, mijëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm.

Thonë se ishte burrë shteti dhe acarohen kur dikush në këtë demokraci të brishtë shqiptare merr guximin dhe e quan kriminel. Po, ishte kriminel, çfarë ka për t’u tjerrë leshi në këtë drejtim, o historian leshi! Meqë tashmë edhe shkencërisht u konfirmua se nuk u vetëvra, kush duhet të bindet se nuk ishte kriminel: Shërbimi Sekret Britanik që faktoi gjithë ato krime të këtij maniaku që di të vrasë 63 të burgosur italianë ose t’i presë me sharrë të dy këmbët djalit të një beu të nderuar të Skraparit apo banorët e zonave veriore të Shqipërisë që kishin një fat të hidhur, ta gëzojnë lirinë në një shtet që qeverisej edhe nga njerëz si Mehmet Shehu.

Vrau, preu dhe torturoi shumë shqiptarë, para dhe pas luftës, dhe si shërbëtori i keq që ishte, përfundoi tragjikisht nga padroni i tij, jo me metodat që përdorte, por në mënyrë më të sofistikuar, pavarësisht se i kishte bërë vetes një autokritikë, që sot, shumë lexues të historianëve të leshit ia kanë zili.

Ata që nuk pajtohen me trajtimin madhështor të kësaj figure kriminale të historisë shqiptare edhe do të kërcënohen. Ca prej tyre kanë frikë edhe të flasin, disa ftohen që të bëjnë kujdes, ndërsa ata që nuk i takojnë asnjërit prej këtyre grupeve të interesit kriminal edhe duhet të shkruajnë për bëmat e tij në Spanjë, Selenicë, Lushnje, Velean të Mokrës, Çorush, Çepan të Skraparit, Shkodër, Dukagjin, Mirditë e Tiranë. Jo për të dëshmuar se ishte kriminel, por për të zbardhur historinë e partisë së këtij njeriu që për 50 vjet dëshmuan se vetëm një gjë vërtet dinë të bëjnë, të vrasin.

 

Lufta dhe paqja e Mehmetit

 

Me sa di unë, kriminel quhet dikush që vret në kushte paqeje ose dikush tjetër që në kushte lufte vret e masakron popullin e vet”. Kështu shprehet prof. dr. Pëllumb Xhufi, që si historian i leshit që është (© e këtij përkufizimi shumë të qëlluar e ka Kryeparlamentarja Topalli) jo që nuk njeh të kaluarën e ish-kryeministrit shqiptar të cilin e ka takuar më 1969, sipas arkivave britanike, por as sipas atyre shqiptare.

E çfarë na paska bërë Mehmet Shehu në Spanjë. Prof. Xhufi na e shet si pjesëtar të brigadës “Garibaldi”, ndërsa një raport i Shërbimit Sekret Britanik në prag të Konferencës së Pezës na thotë se ai la përgjysmë shkollën e tij ushtarake dhe shkoi në Spanjë së bashku me shokun e tij Hulusi Spahiun: “Atje së bashku u bënë pjesë e ushtrisë komuniste spanjolle ku u stërvitën në kryerjen e torturave dhe vrasjeve”. (HS 5/73)

Para se ta takonte Xhufin, krimineli Mehmet Shehu pas betejës së Selenicës kishte torturuar dhe vrarë me dorën e tij 63 të burgosur italianë. Në Lushnjë, pas një konflikti shqiptaro-shqiptar, të partisë së profesorëve të historisë dhe jokomunistëve, “të kuqtë” burgosën 64 persona dhe të gjithë u vranë nga Mehmet Shehu. Dhe jo vetëm kaq. “Në fshatin Velçan të Mokrës ai goditi për vdekje me thikë dy nipërit e Hasan Beut. Në fshatin Çorushë ai torturoi dhe vrau kapitenin idriz Drizarin. Në Fshatin Çepan të Skraparit ai torturoi Seit Çepanin, të birin e Asllan bej Çepanit duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe e duke e lënë të vdes në agoni”. Historianët e leshit nuk çuditen me këto vepra makabre ndërsa hartuesit e këtij raporti nga Shërbimi Sekret Britanik, në fund fare theksojnë: “Sot një krijesë e tillë mbanë një post të rëndësishëm në ushtri me gradën e gjeneral-majorit”.

Dhe sot një krijesë e tillë, pretendohet nga ca historian, na paska qenë edhe burrë shteti, ndërsa luksi që kishin dhe kanë këta libërshkrues të historisë bën që të vazhdojnë me shpëlarjen e trurit shqiptar.

Historianët e leshit mund edhe të kundërshtojnë raportet e imperialistëve, por edhe dëshmitë komuniste, me të cilat dikur mburreshin, na trondisin me bëmat e Mehmet Shehut në paqe. Për ta quajtur kriminel, sipas parametrave të Xhufit mjafton aksioni i çarmatimit në veri, i njohur si “Operacioni i spastrimit të Veriut” i cili filloi më 12 shkurt të vitit 1945 dhe la pas torturë, gjak, tmerr, ankth dhe jetë pa shpresë edhe pse në Shqipërinë e çliruar nga gjermani.

Në emër të asgjësimit të reaksionarëve dhe çarmatimit të popullsisë, një plan i detajuar që mbanë firmën e Gjeneral-major Mehmet Shehut, urdhëron Shtabet e Brigadës I, XXIII, XI dhe XXIV që çdo katund të shkelet nga forcat komuniste dhe të bëhet çarmatimi rrënjësor, e në Pikën 4. Ka edhe këtë lloj saktësimi: ”Në rast se dikush gënjen duke deklaruarr vetëm një armë, duhet të merren masa ekstreme, dmth. të pushkatohet në vend pa gjyq. (Arkivi i KQ PKSH – Nr. 430)

Por imagjinata e Mehmet Shehut nuk pushon këtu, ai në Pikën 5. kujdeset edhe për ata që nuk rezistojnë ama arratisen: “T’i digjet shtëpia, ti internohet familja duke ja konfiskuar pasurinë”. E meqë ishin në këtë zonë, pjesë e spastrimit u bënë edhe ata që kishin dezertuar nga radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Edhe për ta dhe familjarët e tyre “masazhi komunist” ishte makabër e që përcaktohej në Pikën:“Tu digjen shtëpitë dhe tu internohen familjet, dhe nëse kapen mbas afatit të përcaktuar për dorëzim, të pushkatohen pa gjyq”. Në fund fare, Komandanti i këtij operacioni, Gjeneral-major Mehmet Shehu, duke porositur eprorët e brigadave që ishin pjesë e këtij operacioni, se duhet tu shpjegohet të gjithë partizanëve rëndësinë e këtij operacioni, nevoja e sakrificës dhe të përgatitet çdo partizan moralisht, në mënyrë që të forcohet disiplina, vendosmëria dhe dinamizmi në veprim përfundon:

Reaksioni duhet asgjësuar. Populli duhet organizuar e mobilizuar. Kujt t’i kërkohet arma, duhet të dorëzoj armën ose shpirtin.

Pra, që në këtë moment, kur shpirtin duhet të dorëzoj ai prej të cilit është kërkuar arma, dhe jo ai që kishte armë, ishte e qartë se numri i viktimave do të jetë tmerrues për kohën, dhe i turpshëm për të ardhmen e popullit shqiptar. Për tetë ditë të këtij operacioni në gjithë zonën e Shkodrës, Mirditës, Pukës e Peshkopisë sot mund të dokumentohen në bazë të evidencave zyrtare 2.638 qytetarë shqiptarë si të vrarë, arratisur ose të burgosur, por numri i saktë nuk dihet, ai është shumë më i madh sepse pas operacionit fshatra të tëra ngelën bosh. Bëmat e Mehmet Shehut vazhduan ndërsa kjo mjafton për historianët e leshit, që ai me gojën plotë të quhet kriminel.

 

Kur u vra Mehmeti

Shumë gjak, tortura dhe arrestime do të kalojnë nga dora e Mehmet Shehut, deri në

më 18 dhjetor të vitit 1981. Sot dokumenti i mbledhjes së Byrosë Politike të 17 dhjetorit të vitit 1981 i sigluar si sekret, dosja e vetëvrasjes së Mehmet Shehut ku veçohen dëshmitë dhe klima një ditë pasi u shua Mehmet Shehu, dëshmojnë se vetëm vetëvrasje nuk mund të ishte, dhe pse Shqipëria përveç se e izoluar ishte edhe e varfër. Dhe për këtë përgjigje u deshën plotë 30 vjet.

Sot është e qartë që njeriu i cili nga 23 Korriku i vitit 1954 ishte në krye të Këshillit të Ministrave për plotë 27 vjet, dhe nga 18 dhjetori i vitit 1981 nuk i duhej më askujt, as autokritika e tij e cila mbante erë kriminale. Sot është e qartë se si u kopsit dosja hetimore siç e kërkoi partia ashtu si edhe procesverbali i dëshmive. Sot është e qartë edhe si mund të vritet një njeri me pistoletë të kalibrit 9 mm, dhe nuk e dëgjon njeri edhe pse nuk ishte me silenciator. Madje as bashkëshortja Fiqireti, që ishte vetëm një dhomë pranë (Dosja hetimore – Dëshmia me shkrim dore) dhe as Vlladimir Shehu me bashkëshorten Fatbardha, dhe personelin tjetër me oficer, mjek dhe shërbyes, 11 gjithsejtë. (Dëshmitë fq. 56 paragrafi i fundit).

Por vetëm një gjë nuk është e qartë, pse këtë nuk e kuptojnë historianët e leshit dhe nuk marrin mundimin ta shfletojnë dosjen hetimore e cila ruhet në DPA, që më në fund ta kuptojnë se si u vra krimineli Mehmet Shehu, e kur, këtë e thotë edhe Ciceroni shumë kohë më parë.

Në Romën e lashtë, në një nga seancat gjyqësore, po merrej në shqyrtim vrasja e një konsulli, i cili kishte qenë kriminel me emër. Gjykatësi e pyet Ciceronin:

-Kur është vrarë Konsulli?

Gojëtari i famshëm iu përgjigj:

-Vonë, shumë vonë…

 

Është apo nuk është kriminel Mehmet Shehu?! Kjo nuk është çështje e drejtësisë, por fatkeqësisht e historianëve të leshit që nuk përfunduan prapa grilave dhe krijuan idenë se mund të vazhdojnë me shpëlarjen e trurit shqiptar edhe pa Enver Hoxhën.

 

Share it :