Sonja Caka
Vendimi, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, 80-vjeçari i shpëtoi burgimit përjetë. Dënimi i gjykatës, maksimal
Dënohet monstra i Durrësit, ekzekutor dhe masakrues gjakftohtë i një 18-vjeçareje. I shpëton burgimit përjetë, por dënohet me dënim maksimal nga gjykata. Pas përfitimit të gjykimit të shkurtuar, një kërkesë e pranuar nga të gjitha palët, 80-vjeçari i shpëtoi burgimit përjetë, por jo dënimit maksimal me 25 vite. Disa ditë pas fjalës së fundit të prokurorit Sokol Nishani dhe fjalës së fundit të thënë dje nga avokati Osman Disha dhe vetë i pandehuri, gjykata dha verdiktin përfundimtar. Sipas vendimit të gjykatës, ajo e dënon me “Burgim përjetë” të pandehurin Norja, por dënimi përfundimtar për shkak të uljes së një të tretës i ulet në 25 vite. I pandehuri akuzohet se ekzekutoi gjakftohtësisht të dashurën 18-vjeçare, pasi nuk pranoi dot faktin e shtatzënisë, por duke mos u mjaftuar, ai edhe e masakroi dhe fshehu kufomën, në përpjekje për të mos u identifikuar. Para trupit gjykues, mostra Norja shprehu pendesë, ndërsa përmes avokatit shpjegoi versionin e tij të motiveve që e shtynë, duke ngritur pretendimin e mospranimit të shtatzënisë. “Nuk e di si e kreva krimin, vetëm unë dhe Zoti e dimë sa jam penduar” është shprehur 80-vjeçari në sallën e gjyqit, duke i kërkuar falje familjes së viktimës 18-vjeçare. Edhe në këtë seancë të fundit, Norja u shoqërua i veshur me antiplumb, ndërsa nuk pati prani të familjarëve të të dyja palëve, viktimës dhe autorit.
Akuza
Në burg përjetë. Kjo ishte fjala e fundit e prokurorit Sokol Nishani lidhur me akuzën ndaj 80-vjeçarit të pandehur Shaban Norja, i akuzuar për veprën penale “Vrasje me dashje në rrethana cilësuese” dhe po këtë masë dënimi shpalli në fund edhe gjykata, veçse masa e dënimit zbutet në 25 vite pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar. Sipas akuzës, i pandehuri vrau me plumb në kokë dhe më pas masakroi kufomën e 18-vjeçares, duke u përpjekur të bëjë të pamundur identifikimin e saj. Ajshe Vata ishte shtatzënë dhe u gjet në mbrëmjen e 10 tetorit të vitit të kaluar, e vrarë dhe me kokë të prerë, në një arë me misër. Trupi i saj u gjet pak orë më pas në afërsi të mbikalimit të Fllakës në Xhafzotaj, ndërsa koka e së resë u gjet tri ditë më vonë, pas rrëfimit të 80- vjeçarit para oficerëve të policisë gjyqësore. Pas konstatimit të shtatzënisë së viktimës, ekspertiza vërtetoi se babai i foshnjës ishte i pandehuri Norja, dhe ka qenë kjo një nga provat që çoi edhe në identifikimin e tij si autor. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, ndër të tjera prokurori Nishani deklaroi se “krimi i tij ishte planifikuar për të humbur gjurmët e lidhjes dhe shtatzënisë së Ajshe Vatës, e cila muajt e fundit mbeti shtatzënë. Tri javë para ngjarjes në fjalë, ajo ia ka bërë të ditur këtë fakt të pandehurit Norja, kurse ai i ka kërkuar viktimës së tij ndërprerjen e menjëhershme të shtatzënisë me të gjitha format dhe rrugët e duhura, por një gjë e tillë nuk është bërë nga viktima Ajshe Vata”. Gjatë pretencës tij, prokurori u shpreh një seancë më parë se “në këto rrethana, shtetasi 80-vjeçar i akuzuar për vrasjen, Shaban Norja, ka planifikuar dhe realizuar në gjakftohtësi vrasjen e shtetases Ajshe Vata, duke u munduar njëkohësisht për moszbulimin dhe identifikimin e saj”. Përfaqësuesi i akuzës ka deklaruar se “pas identifikimit dhe arrestimit të 80-vjeçarit Norja, ka qenë vetë ky i fundit që ka shoqëruar hetuesit në vend për të gjetur kokën e viktimës dhe armët që kishte përdorur në krim. Ndaj duke u bazuar në fakte dhe prova të pakontestueshme, rezulton se autori i vrasjes është shtetasi Shaban Norja. Nisur nga këto fakte, akuza kërkoi “Burgim të përjetshëm” për 80-vjeçarin Shaban Norja dhe 5 vite burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa leje”.
Vendimi
Dënohet kunati i Dritan Dajtit, 8 vjet e 6 muaj për Xhoxhin
Tetë vjet e gjashtë muaj burg. Kjo ka qenë masa e dënimit dhënë nga gjykata për kunatin e Dritan Dajtit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e katërfishtë në Durrës ku mbetën të vrarë katër policë. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi dje dënimin me 8 vjet e 6 muaj heqje lirie për Ergest Xhoxhin, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit të ndodhur më 7 gusht të vitit 2009, në plazhin “Iliria”, në qytetin bregdetar. Pas këtij vendimi, kryetari i Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, tha se sipas dispozitave që parashikon ligji, Ergest Xhoxhi mori dënimin maksimal. “Ergest Xhoxhi akuzohet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, në bashkëpunim dhe dënimi përfundimtar i tij në shkallën e parë është 8 vjet e 6 muaj” shpalli vendimin kryegjyqtari i Durrësit Metalla, ndërsa bëri me dije se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë, veçoi disa muaj më parë nga dosja penale e Dritan Dajtit çështjen në ngarkim të të pandehurit Ergest Xhoxhi, me kërkesën e këtij të fundit, ndërkohë në Tiranë vazhdon gjykimi i autorit të krimit Dritan Dajti dhe të pandehurit Maringlen Muçaj, ish-punonjës policie, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Në 7 gusht të vitit 2009, Dritan Dajti vrau në plazhin “Iliria” në Durrës, katër oficerët e Policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ku Ergest Xhoxhi, njëkohësisht edhe kunati i Dajtit, ndodhej në automjetin e autorit të krimit. Ndërkohë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijon procesi i shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancës gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit, i akuzuari kryesor për vrasjen e katër efektivëve në Durrës. Po shkojnë afro 200 seanca dhe ende i pandehuri Dajti “bojkotohet” nga të gjithë avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata për mbrojtjen e tij.
Dëshmia
Arkëtarja: Tmerri përballë grabitësit të maskuar Gushi, mori 9 milionë lekë
Rrëfimet rrëqethëse të përballjes së arkëtareve të bankave të nivelit të dytë me grabitësin e maskuar serial-killer, Viktor Gushi, dhe të kërcënuara nga një armë tip pistoletë vazhdojnë. Dje ka qenë dëshmitare e vetme një arkëtare, e cila i përkiste njërit prej filialeve të bankës Raifeissen, një nga bankat e nivelit të dytë më të goditura prej të pandehurit në Fier dhe Tiranë. Sipas arkëtares Metani, e cila në prill 2009 punonte në filialin e bankës Raifaissen në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, Gushi kishte hyrë në bankë i maskuar me një shall, ku kishte mbuluar fytyrën dukë lënë jashtë vetëm sytë dhe, sipas saj, shalli kishte dizenjon e flamurit amerikan. Në këtë kohë, sipas Metanit, Gushi i ka drejtuar pistoletën arkëtares, ashtu sikundër vepronte në çdo grabitje, dhe i ka hedhur një qese, duke e urdhëruar që ta mbushë me para. E tmerruar nga skena, punonjësja e bankës ka mbushur qesen me para, ku sipas saj Gushi ka grabitur plot 980 mijë lekë të reja. Më tej, e pyetur edhe nga prokurorja dhe trupi gjykues, dëshmitarja ka përshkruar edhe faktin se në dorën ku mbante pistoletën, Gushi kishte veshur një çorape ngjyrë gri. Pas përfundimit të kësaj dëshmie, e cila ishte e vetmja, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu ka shtyrë seancën e radhës për më 11 shkurt. I pandehuri Viktor Gushi, i etiketuar si serial-killer, akuzohet për vrasjen e 2 personave, argjendarit Rrapo Sinanaj dhe arkëtaren e një banke të nivelit të dytë, Leonora Kaloçi, “Vjedhje me pasojë plagosjen 8 herë”, si dhe një sërë vjedhjesh të tjera të ndodhura në Tiranë dhe rrethe. Ai u cilësua edhe “grabitësi i së premtes”, pasi kjo ishte dita kur ai kryente vjedhjet e tij dhe siç edhe ka deklaruar, e konsideronte atë si ditë me fat.





