Alimani ose psika thellësisht njerëzore

Prej 12 nëntorit filmi « Krom » me regji të Bujar Alimanit do të shfaqet për publikun në kinema

 

 

Regjisori Bujar Alimani është unik në kinemanë shqiptare, në përpjekjen e përhershme për të thyer rekorde. Për herë të parë ka prodhuar një film me minimimun e financave, fjala për « Amnistia »dhe tani me filmin « Krom » thyen sërish rekord me mbylljen si produksion, duke u xhiruar filmi për njëzet ditë. Pas këtyre rekordeve për Alimanin është sfiduese të thuhet pjesa e vështirë si dhe beteja për të promovuar filmin nëpër festivale. « Krom », një dramë familjare, sipas Alimanit nuk ka të bëjë me shfrytëzimin  e fëmijëve për kromin. Ajo që fare lehtë i zhgënjen shumë njerëz, që në Bulqizë të gjithë e kanë lidhur me shfrytëzimin për kromin, por regjisori nuk merret me këtë gjë. Alimani ndalet në dramën familjare të një 15 vjeçari. Problemet që ka ai me nënën e tij, me të dashurin e nënës, etj hyn në psikën thellësisht njerëzore, se sa trajtesa sociale, në kuptimin e shfrytëzimit të një kategorie të mitur prej një kategorie e cila këkron të nxjerrë fitime. Filmi është një dramë familjare. Premiera botërore e  « Krom » u dha në edicionin e 50-të të Festivalit të madh të Filmit në Karlovy Vary, ndërsa premiera në Tiranë mbërrin sonte, për të vijuar për publikun më 12 nëntor. Por ky film, i cili deri më tani ka qenë në konkurrimin zyrtar në disa prej festivaleve më të rëndësishme në botë, rrugë që do ta vijojë, shënon dhe premierën e parë në vend të një filmi artistik me metrazh të gjatë për këtë vit. Për kinematografinë shqiptare gjatë këtij viti premierat e filmit artistik me metrazh të gjatë kanë munguar, ndërsa filmi i Alimanit pritet, që dhe këtë herë në ketë shumë vëmendje nga publiku. Filmin “Krom”, Alimani ka nisur të shkruajë që pas Berlinales në vitin 2011. “Krom” flet për një nënë memece, e cila pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdoje të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar përpiqet të njohë veten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Greqisë dhe në film interpretojnë aktorët: Fredjon Ruci, Klodjana Keco, Mirela Naska, Kasem Hoxha, Denis Shira, Xhevdet Dod, Albulena Kryeziu etj. Pas premierës shqiptare filmi “Krom” është përzgjedhur në Mediterranean Film Festival në Montpellier/Francë, festivali që mbahet në datat 24-31 tetor 2015. Udhëtimi i filmit do të vijojë dhe në festivalin Mediterrane Film Festival/Bruksel, që zhvillohet gjatë muajit nëntor. Për të vijuar më pas dhe me Segovia Film Festival/Spanjë më 14 nëntor, si dhe në festivalin Education Film Festival Evreuxnormandy/Francë, ku do të shfaqet më datë 14 dhjetor.  “Krom” është filmi i dytë i metrazhit të gjatë nga regjisori Alimani, i cili njihet për filmin e tij  “Amnistia” që pati premierën në festivalin Berlinale në 2011, film i nderuar me disa çmime ndërkombëtare si: C.I.C.A.E. në Berlin International Film Festival, 2011, Çmimin e Publikut  në Black Movie Film Festival 2012, Çmimi i Jurisë në  Lume International Film Festival, 2012. Së fundmi, filmi shqiptar “Amnistia” me skenar dhe regji nga Bujar Alimani u shfaq edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit “Let’s CEE Film Festival”, që u zhvillua në Vjenë, Austri. Filmi në Vjenë ishte përzgjedhje e festivalit në kategorinë “The retrospektive”, ku ekspertë të filmit krahas filmit shqiptar kishin përzgjedhur edhe tre filma tjerë në këtë klasifikim. Filmi shqiptar u zgjodh si një nga më të mirë e Evropës Qendrore e Juglindore, që janë bërë pas rënies së Murit të Berlinit. Ndërsa “Amnistia” është i njohur për publikun shqiptar, tashmë Alimani sjell një tjetër histori në kinematografinë shqiptare me filmin “Krom”.

Re.Ku

Share it :