Louis van Gaal deklaroi se Manchester United duhet të vazhdojë të përmirësohet në rast se pretendon të shpallet kampion në Premier League dhe nëse pretendon të fitojë Ligën e Kampionëve. United arriti të merrte kryesimin në kampionatin anglez pas fitores së të dielës 3-0 ndaj Sunderland, por në ndeshjen e parë të grupit B në Champions, ata u mposhtën 2-1 në “Philips Arena” nga holandezët e PSV-së. Van Gaal deklaroi se finalja e Champions League është një objektiv i arritshëm por këmbënguli mbi faktin që ekipi i tij duhet të përmirësohet për të fituar trofe gjatë këtij sezoni. “Në Champions duhet ti fitosh të gjitha ndeshjet që luan brenda fushës, përndryshe gjithçka vështirësohet. E rëndësishme është që të fitojmë”, deklaroi trajneri holandez në faqen zyrtare të klubit. “Jemi përmirësuar ndjeshëm nëse krahasohemi me sezonin e kaluar. Por ende duhet të përmirësojmë disa aspekte. Për të fituar titullin në Premier League apo Champions League duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Jemi duke u rritur javë pas jave dhe mund ta konstatoj këtë pas çdo ndeshjeje. Arritja në finale është një ndër objektivat tanë. Të fitosh finalen ka të bëjë edhe fati, por të arrish në finale është sukses më vete”.





