Konferenca /Provat e faktet për drogën ngecin te statistikat qeveritare. Rama: Opozita e lidhur me trafikun

 

rama shifratKryeministri: Faktet tona morën vulën e partnerëve nuk besoj të fusin ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizmin

Gëzim Saliu

Megjthëse premtoi prova dhe faktet që do të tregonin se kush e ka lejuar dhe kush e ka penguar trafikun e drogës në Shqipëri, kryeministri Rama u “mjaftua” dje vetëm me shifrat e luftës kundër lëndëve narkotike gjatë muajve të fundit. Shifrat u bënë publike në aktivitetin e organizuar në “Pallatin e Kongreseve”, ku përveç përveç krerëve më të lartë të policisë, Ministrit të Brendshëm e Kryeministrit ishin të pranishëm e morën fjalën dhe ambasadorët e Italisë dhe SHBA-së. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë i cilësoi tha se akuzat e opozitës për lidhje të politikës me trafikun e drogës lidhen sipas tij mr prishjen e interesave të zyrtarëve të lartë të PD-së me aksionet e ndërmarra nga policia.  “Sa më shumë vendet, policitë e ndryshme në të gjithë globin, drejtues të tyre janë përpjekur të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me këtë industri kriminale, aq më shumë është rritur sasia e baltës nëpër media, nëpër Parlamente, pse? Të jetë thjesht politike? Ka plot rrugë të tjera për të bërë betejë politike? Kjo nuk është vetëm politike, sepse në shifrat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, hektarë, sasira droge, por ato përkthehen në euro. Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më. Ky është një operacion që ka prekur interesa. Pse nuk kanë bërë asgjë për të reaguar dhe për të zhdukur këtë kancer. Në logjikën e tyre kanë qenë kokë e këmbë të lidhur me industrinë e këtij aktiviteti kriminal. Me logjikën e tyre kanë përfituar miliona e miliarda”, tha ai.

Qëndrimi

Ndërkaq si në shumë raste në fjalën e tij kryeministri nuk nguroi të kritikonte edhe mediat të cilat sipas tij janë përfshirë në lojën e opozitës. “Përtej konferencave, përtej pallateve të mbledhjeve dhe kongreseve, përtej mediave dhe ekraneve e gazetave, përtej gjuhëve dhe lapsave ka një popull që nuk ia ha qeni shkopin, siç themi ne. Unë i besoj shumë atij popullit, që është spektator i këtij teatri absurd ku policia lufton si kurrë më parë me krimin, me drogën, me korrupsionin dhe është e akuzuar si asnjëherë më parë , jo vetëm nga opozita por nga një sërë segmentesh të lidhura me njëra- tjetrën”, u shpreh ai. Në këtë kontekst, Rama nuk nguroi të shprehte kritika për opozitën dhe madje kreun e shtetit të cilët sipas tij mbështetën sipas tij një bashkëpunëtor të trafikantë, referuar oficerin Zagani dhe rrëfimit të tij që implikonte edhe ministrin e Brendshëm. “Një kriminel, një nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën t’i identifikojë në radhët e vetë dhe ti pakësojë në radhët e vet, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje, dhe i kreut të shtetit së fundmi. Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim, nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të. Por paraqitet për azil politik në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës, të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar sa poshtë ka rënë ky pazar”, deklaroi kreu i qeverisë. Në mbyllje të diskutimit të tij duke i cilësuar si mbështetje praninë e dy ambasadorëve në sallë, lëshoi edhe një batutë kundër opozitës. “Gjithçka sot u shfaq këtu dhe fatmirësisht mori vulën e dy partnerëve, dy ambasadorëve që u përfshin drejt për drejtë në emër të shteteve të tyre në këtë përpjekje, nuk besoj se ishin gënjeshtra dhe nuk besoj të fusin ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizmin”- tha ai.

 

Box

Gjatë dy viteve të qeverisë së majtë është asgjësuar shumë herë më shumë lëndë narkotike, se gjatë 8 viteve të qeverisjes së djathtë si edhe është kultivuar tetë herë më pak se të gjitha vitet e shkuara. Kështu deklaroi dje në konferencën “Antidroga histori suksesi”Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ku tha se  sot lufta ndaj lëndës narkotike është kthyer në një qëllim parësor të Policisë dhe për këtë lufta ka nisur nga radhët e policisë për të zbritur në terren. “Kemi 721 Polici të proceduar, të cilët o kanë bashkëpunuar, ose kanë qenë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me trafikant. ë vitin 2013 kur ishte qeveria e kaluar në pushtet, Guardia di Finanzza raportonte se ishin identifikuar  323 hektar bimë narkotike të kultivuara, të identifikuar me fotografim ajror. Nga këto u shkatërruan vetëm 7.5%. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2015 sipërfaqja  e kultivuar 44 hektar, të identifikuan nga fotot, 8 herë më pak se ajo e mbjellur dy vite më parë, pra 8 herë më pak kultivim. Nga kjo sipërfaqe, Policia ka shkatërruar deri më ditët e sotëm 92,2% të sipërfaqes së identifikuar. Një punë kolosale”, theksoi Tahiri.

 

Replikat në distancë

Lu: Të dyja palët akuza. Rama: Është kthyer në modë deklarata “të gjithë janë njësoj”

Ambasadori amerikan gjatë fjalës së tij dje tha se, dy të palët si maxhoranca dhe opozita kanë lëshuar akuza të ndërsjella për lidhje me krimin dhe sipas Donald Lu të dy palët vuajnë nga ky problem. “Partitë politike e kanë akuzuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Më lejoni që të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem. Shqipëria ka nevojë që të luftojë kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar”, tha ambasadori.  Ndërkaq Rama u kundërpërgjigj duke thënë se, është komode të thuash që të dy palët kanë faj. “Është bërë modë këtu në Shqipëri, dhe unë i mirëkuptoj edhe miqtë edhe partnerët tanë që e kanë përqafuar këtë modë. Sepse në fakt është një modë komode, që “të gjithë janë njësoj, të dyja palët kanë faj, të dyja palët kanë shumë arsye për t’u ndjerë keq përpara popullit shqiptar” e të tjera. Por, nuk po i hyj kësaj, kjo është një modë që unë e kam neveritur me kohë dhe me vakt dhe do vazhdoj ta neveris”, deklaroi ai.

 

Share it :