Rikthimi i mësuesve të Hotolishtit në punë, PD: Largimi i tyre, prapavije politike

Lindita Nikolla

Mësuesit e Hotolishtit u rikthyen ne punë, pas protestave të  organizuara nga nxënësit dhe prindërit. Ministrja Nikolla pas një dite inspektimi për procedurë, ndjekur nga drejtuesit lokalë të arsimit ne Librazhd, shkoi vetë ne fshatit Hotolisht. “Unë i dëgjova dhe ata vijojnë punën e tyre në detyra të reja. jo vetëm për ti thënë jo dhunës në të gjitha format që ajo vjen, por edhe për të ndjerë një lloj tjetër aktivizmi krejtësisht të kësaj shkolle, në kuptimin e një shkolle të re me aktivitete”-tha ajo. Ndërkohë deputeti i partisë demokratike në Elbasan, Luciano Boci pasi takoi mësuesit e Hotolishtit, tha se përgjegjës për shkarkimin e tyre, janë politikanët të cilët kanë urdhëruar këto lëvizje. Më tek ai tha se: “Shqetësimi ynë kryesor është se i gjithë ky veprim ka sfond politik. Një veprim i frymëzuar nga deputeti i zonës, i cili u ka vene vulën gjithë këtyre lëvizjeve”. Ndërkohë ministrja dhe deputeti replikuan në distancë për kontratat kolektive të punës për mësuesit. Deputeti Boci deklaroi se në të gjithë Shqipërinë, dhe në të gjitha rrethet, ne kemi sinjale që ka lëvizje dhe transferime joligjore. “Rëndohet situata sepse mësuesit janë të zhveshur nga ajo që i mbron, nga kontrata kolektive e punës” shtoi ai më tej. Ndërsa ministrja Nikolla tha se sa i përket kontratës kolektive të mësuesve jemi në proces negocimi. Edhe pse sot nisën punën, mësuesit e shkollës së Hotolishtit ende ndihen të çorientuar përballë një situate, kur brenda dy ditëve u shkarkuan dhe u riemëruan sërish në punë.

 

Share it :