Teksa aksioni antiinformalitet ka hyrë në fazën e sekuestrove, bizneset e vogla që janë më së shumti pre e këtij aksioni, gjenden tërësisht të paqarta se si mund rimarrin vlerat materiale të sekuestruara. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëjnë me dije se, arkëtimi më forcë i detyrimeve (sekuestrot) është i përcaktuar në ligjin e Procedurës Tatimore, i cili nuk njihet thellësisht nga biznesi i vogël.
Duke komentuar ligjin e procedurave tatimore, ekspertë në tatime shpjeguan se bizneset të cilat ndodhen në sekuestro duhet të kryejnë urgjentisht pagesat e tatimeve të prapambetura ose nëse janë të paregjistruara duhet të regjistrohen urgjentisht.
Me mandatet bankare të pagesave ata duhet të paraqiten tek drejtoritë rajonale të tatimeve ku marrin vërtetimin përkatës se, detyrimet janë paguar dhe malli duhet të kthehet mbrapsht.
Më këtë dokument të lëshuar nga Tatimet, bizneset paraqiten tek Drejtoria e Rezervave të shtetit për të ri-marrë mbrapsht mallin. Mirëpo sipas afateve të ligjit, detyrimet duhet të paguhen brenda 15 ditëve pas konfiskimit të mallit, përndryshe sekuestrot dalin në ankand.
Ndërprerja e procedurës së sekuestros
Ndërprerja e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor
Administrata tatimore ndërpret menjëherë zbatimin e masave shtrënguese të sigurimit të detyrimit tatimor, të parashikuar në këtë ligj:
- a) kur tatimpaguesi shlyen plotësisht të gjitha detyrimet tatimore;
- b) pas mbarimit të afatit të parashkrimit, sipas nenit 100 të këtij ligji;
- c) pas deklarimit si të pambledhshëm të detyrimit tatimor;
ç) kur detyrimi tatimor falet me ligj të veçantë.
Kur bëhet sekuestro
- Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, për njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata tatimore mund ta mbledhë detyrimin tatimor të papaguar nëpërmjet sekuestrimit, e më pas konfiskimit, të pasurisë së siguruar në favor të administratës tatimore, në pronësi të tatimpaguesit. (Ndryshuar me Ligj Nr. 10415, dt. 7.04.2011. Botuar ne Fl.z. nr. 51. dt. 03.05.2011).
- Urdhri për sekuestrimin e pasurisë bëhet me shkrim nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore. Urdhri duhet të identifikojë tatimpaguesin, pasuria e të cilit është objekt i sekuestrimit, vendndodhjen e pasurisë dhe vlerësimin e tatimit, për të cilin vihet sekuestroja. Urdhri i dërgohet tatimpaguesit me postë rekomande.
- Administrata tatimore mund ta sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë, në përputhje me nenin 91 të këtij ligji dhe vetëm 30 ditë kalendarike pas datës, kur urdhri i sekuestrimit është marrë ose vlerësohet të jetë marrë nga tatimpaguesi, në formën e parashikuar në nenin 94 të këtij ligji.
- Nëse administrata tatimore vëren se mbledhja e tatimit është në rrezik, mund të dërgojë njoftim dhe kërkesë për pagesën e menjëhershme të këtij tatimi dhe nëse detyrimi tatimor nuk paguhet plotësisht, administrata tatimore ka kompetencë të bëjë sekuestrimin, pavarësisht nga afatet e parashikuara në këtë nen.
Urdhri i sekuestrimit duhet të përmbajë
- a) shumën e detyrimeve tatimore të papaguara;
- b) afatin për pagesën e detyrimeve tatimore;
- c) pasurinë që sekuestrohet;
ç) mënyrën e ekzekutimit të sekuestrimit;
- d) informacionin rreth së drejtës së tatimpaguesit për ankim administrativ.
2) Nëse objekt i sekuestrimit është paga e tatimpaguesit, urdhri përfshin edhe emrin dhe adresën e punëdhënësit të tatimpaguesit.
Pasuria, objekt i sekuestrimit E gjithë pasuria e tatimpaguesit është objekt i sekuestrimit në masën e detyrimit tatimor të papaguar, përveç sendeve të përcaktuara në nenin 529 të Kodit të Procedurave Civile.
Shitja e pasurisë së sekuestruar
- Nëse edhe me kalimin e 15 ditëve kalendarike nga sekuestrimi i pasurisë, bërë në përputhje me nenin 93 të këtij ligji, tatimpaguesi nuk shlyen të plotë detyrimin tatimor të prapambetur, pasuria e sekuestruar konfiskohet nga administrata tatimore dhe shitet në ankand publik, në përputhje me dispozitat procedurale të ligjit për ankandin publik.
- Të ardhurat nga shitjet përdoren fillimisht për të paguar shpenzimet e shitjes dhe më pas zbatohet radha e pagesës, në përputhje me nenin 79 të këtij ligji. (Ndryshuar me Ligj nr. 164/2014, dt. 4.12.2014. Botuar ne FLZ. Nr. 198, dt. 12.2014.) 3. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve pune nga data e përfundimit të ankandit.
Gjoba
Tatimpaguesi, që lëshon faturë tatimore të pasaktë e që rezulton me ulje të detyrimit apo rritje të shumës për t’u rimbursuar, dënohet me gjobë të barabartë me 50 për qind të shumës së efektit në ulje të detyrimit tatimor, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave të llogaritura në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore, bëjnë me dije burimet zyrtare në tatime, referuara ligjit për procedurat tatimore.
Tatimpaguesi, që lëshon një faturë tatimore me pasaktësi, por që provohet se nuk ka efekt në llogaritjen dhe pagimin e detyrimit tatimor, dënohet me gjobë 10 000 lekë.
Tatimpaguesi, i cili nuk është subjekt i detyrimit për lëshimin e faturës me TVSH dhe lëshon fatura të tilla, dënohet me gjobë të barabartë me 50 për qind të TVSH-së së dhënë në faturën tatimore të paautorizuar, si dhe me marrjen e 100 për qind të TVSH-së së faturuar padrejtësisht.
Për shkeljet e konstatuara në rastin kur përgjegjës për TVSH-në është personi i tatueshëm blerës nëpërmjet “autongarkesës së TVSH-së”, aplikohen dënimet si më poshtë:
Mosmbajtja e saktë e librave, regjistrave dhe dokumentacionit Tatimpaguesi, që nuk arrin të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, të kërkuar sipas këtij ligji, detyrohet të paguajë një gjobë me 10 000 lekë, për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si biznes i vogël, dhe me 50 000 lekë për çdo shkelje, në rastet kur është klasifikuar si lloj tjetër biznesi.
Moslëshimi i faturës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore.
————
Raporti
Banka Botërore: Qeveria shqiptare nuk ka program punësimi për të varfërit
Tregu i punës në Shqipëri në sektorët jobujqësore rezulton me 48 % në informalitet. Shifrat alarmante për të punësuarit e padeklaruar i ka dhënë Banka Botërore në një studim të posaçëm të publikuar kohët e fundit për tregun e Punës në Shqipëri.
Raporti i Bankës Botrërore vëren se cilësia e punësimit është e ulët dhe se informaliteti është mjaft i përhapur.
Banka referon se vlerësimet e anketës së fuqisë punëtore sugjerojnë se afër gjysma e punësimit total jashtë bujqësisë korrespondon me punësimin informal dhe pothuajse tre të katërtat e punës në ndërtim është informale.
Banka Botërore vëren se niveli arsimor i punëtorëve jashtë bujqësisë është gjithashtu i ulët, veçanërisht në disa sektorë. Sektori i ndërtimit thith shumë punëtorë të pakualifikuar, ku më shumë se gjysma e vendeve të punës të ndërtimit janë të zëna nga punonjës me arsim fillor. Në të kundërt të ndërtimit, sektori i shërbimeve ka shumicën e punonjësve të kualifikuar. Rreth 82 për qind e punonjësve në shërbime janë me arsim të lartë.
Studimi i Bankës Botërore vlerëson se, në sektorin e ndërtimit 70% e të punësuarve nuk deklarohen, në sektorin e shërbimeve madhësia e informalitetit është 35% dhe në sektorin e industrisë është 46 %.
Nga ana tjetër referuar të dhënave të INSTAT shihet se, në sektorin e shërbimeve janë të angazhuar 62% e të punësuarve, në sektorin e ndërtimit 10%, ndërsa në atë të industrisë 28%.
Banka Botërore ka konstatuar se Shqipëria përballet me sfida të shumta të tregut të punës. Sektori i bujqësisë punëson një pjesë të madhe të fuqisë punëtore, më aftësi të ulta, shumica e të cilëve janë punëtorë të papaguar të familjes ose të vetë-punësuar. Jashtë bujqësisë, informaliteti është i lartë dhe shumë prej tyre janë me kualifikim të ulët. Shifrat e punësimit tregojnë rezultate të dobëta tek gratë dhe tek të rinjtë.
Banka e Botërore vëren se Shqipëria nuk ka një axhendë politike për të angazhuar me punë të varfrit, në të cilën mundësitë për punësim të jenë të arritshme për të gjithë.
—–
Ofertat
Rruga e Kombit, mësohen emrat e kompanive në garë
Hapja e ofertave të kompanive që kanë aplikuar për marrjen me koncesion të Rrugës së Kombit është shtyrë për në datë 15 tetor. Ndërkohë, mësohen emrat e katër kompanive që janë në garë, nga të cilat, sipas Ministrisë së Transporteve, do të përzgjidhet oferta më e mirë.
Kështu kompanitë që kanë dorëzuar ofertën janë “China Communications Construction Company; Grupi Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd.Sti. – PT Citra Marga Nusaphala Persada TBK – Salillari Ltd – Savronik Sistem .Tah. San. Tic. A.S.Mr; Aktor Concessions S.A – Egis Projects S.A dhe GEK Terna/Terna.
Vlerësimi i ofertave do të bëhet më 15 tetor, ku do të përcaktohet edhe tarifa e saktë për të kaluar në aksin Milot-Morinë, megjithëse deri më tani është thënë se do të jetë 5 euro.
Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesioni do të zgjasë për një periudhë 30-vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumen Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Dhënia me koncension e rrugës së Kombit është lajmëruar dy vjet më parë, por duket se tashmë nuk ka më kthim mbrapa.
===
116 milion euro
Taksat në rënie, por kompanitë e huaj rritin transfertat jashtë
Kompanitë e huaja kanë transferuar në vendet e tyre të origjinës 116 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti, një shifër që është 26% më e lartë në krahasim me janar-qershorin 2014.
Të dhënat bëhen në ditura në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë. Sipas kësaj të fundit, të ardhurat dalëse nga investimet kanë qenë kryesisht në formën e pagesave të dividentëve dhe vlerës së fitimit të riinvestuar pjesë e investimeve direkte në Shqipëri.
Transferimi i fitimit është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit. Ai shënoi një kërcim në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, teksa kompanitë nxituan të transferonin fitimet në pritje të rritjes së dividendit që u rrit nga 10 në 15% nga 1 janari 2015 (shuma e transferuar në gjysmën e dytë të vitit ishte 122 milionë euro, disa herë më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më pare). Megjithatë, edhe në gjysmën e parë të vitit, transferimi i fitimeve ka qenë relativisht i lartë, vetëm 6 milionë euro më pak se gjysma e dytë e 2014-s dhe 24 milionë euro më shumë se gjashtëmujori i parë 2014.
Kjo rrëzon një alibi të Tatimeve, që kishin deklaruar se një nga arsyet e rendimentit më të të ulët sesa plani i të ardhurave nga tatim fitimi ishte transferimi i dividendëve që në 2014-n.





