Europa League /Beshiktashi vuan mungesat ndaj Skënderbeut

 

Turqit vijnë përballë korçarëve me mungesa të rëndësishme në ekip. Një favor për skuadrën e Josës që kështu mund të tentojë një rezultat pozitiv në “Elbasan Arena”

 

Jurges Veizaj

 

Dy fitore radhazi, më e fundit në derbin përballë Istanbul Basaksehirit të Sokol Cikalleshit. Beshiktashi është gati për ndeshjen e parë në grupet e Europa League me Skënderbeun. Gjigantët turq do të paraqiten të enjten në “Elbasan Arena” me disa mungesa. Më i fundit në infermieri është Oguzhan Ozyakup. Mesfushori që cilësohet si një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit turk, u dëmtua në sfidën e luajtur në stadiumin olimpik “Ataturk”. 22-vjeçari do të detyrohet të qëndrojë të paktën një javë jashtë fushave të lojës, duke mos udhëtuar me pjesën tjetër të ekipit për duelin me kampionët e Shqipërisë. Njoftimi është dhënë në faqen zyrtare të klubit nga Stambolli, që konfirmoi se pas kontrolleve mjekësore, lojtari duhet të stërvitet i diferencuar. Ozyakup ka një histori mjaft interesante. Ai ka lindur në Holandë dhe është aktivizuar me përfaqësueset U-17 dhe U-19 të tulipanëve, ndërsa ishte pjesë e Arsenalit. Me transferimin te Beshiktashi, mesfushori zgjodhi të përfaqësonte Turqinë. Fillimisht me kombëtaren U-21 dhe prej vitit 2013 me skuadrën e parë, ku numëron 12 ndeshje dhe një gol. Për ironi, rrjeta është shënuar në portën e Holandës, në ndeshjen e 6 shtatorit të fituar 3-0 nga turqit, që vlen në garën për një vend në play-off. Mes lojtarëve të tjerë që trajneri Senol Gunes nuk ka në dispozicion duelin me Skënderbeun janë Ramon Mota, Tolgay Arslan dhe Veli Kavlak, me këtë të fundit të papërfshirë në listën për Europa League. Rreziku kryesor nga Beshiktashi përbëhet nga dy yjet e skuadrës, mesfushori Ricardo Quaresma dhe sulmuesi gjerman Mario Gomez.

 

Bognar, gjyqtari i ndeshjes

Gjyqtari hungarez Tamas Bognar është përcaktuar nga UEFA për të vendosur drejtësi në fushë, në duelin e grupit H të Europa League, ndërmjet Skënderbeut dhe Beshiktashit. Bëhet fjalë për një arbitër të niveleve të larta, që mban stemën e FIFA-s prej vitit 2009. Tamas Bognar e ka nisur karrierën mes “xhaketave të zeza” prej vitit 1995, duke gjykuar ndeshje të kategorive të ulëta. Prej 2002-shit ai u emërua në kategorinë e dytë të futbollit hungarez, ku spikati me autoritetin në fushë dhe vendimmarrjen e saktë. Kjo bëri që në harkun e 4 vjetëve, arbitri të drejtonte ndeshje në elitë e futbollit. Prej vitit 2013 Bognar është përfshirë në listën e 12 gjyqtarëve profesionistë të Federatës Hungareze. Ashtu si për Skënderbeun që debuton në fazën finale të kupave të Evropës, edhe për gjyqtarin 36-vjeçar sfida e së enjtes në “Elbasan Arena” është e para në fazën e grupeve të një evenimenti të rëndësishëm. Tamas Bognar ka drejtuar ndeshje të të gjitha niveleve në arenën ndërkombëtare, ku më e fundit ishte sfida kualifikuese ku Izraeli mposhti 4-0 Andorrën. Por, në Kupat e Evropës, bilbili hungarez ishte emëruar vetëm për ndeshje kualifikuese në Champions dhe në Europa League. Në një prej këtyre rasteve, në korrik të 2014-ës, Bognar gjykoi takimin e Laçit me Rudar Velenjen në turin e parë. Pas barazimit 1-1 kurbinasit u kualifikuan 3-2 me penallti, duke regjistruar kalimin e parë në histori, të një turi në kupat e Evropës.

 

 

 

Balotelli: Interi nuk e meritonte fitoren

 

Mario Balotelli nuk ka qenë dakord, nuk e ka pranuar humbjen në derbi. Dhe ka dashur të karikojë kuqezinjtë nëpërmjet Instagram-it, me fjalë të denja për një lider dhe një djalosh që ka dëshirë të jetë pjesë e një grupi, pas një vetmie të gjatë. Beteja e tij ka filluar në minutën e 61-të, pak pas golit të Guarinit. Mario është vendosur në krah të Luiz Adrianos, por ka pasur më shumë liri veprimi. Është zhvendosur pak mbrapa në kërkim të hapësirave për të goditur portën. Ka prekur shumë topa (26, kundër 29 të Luiz Adrianos që ka luajtur për 90 minuta), ka pësuar katër faulle, ka shmangur tre herë kundërshtarin dhe ka ruajtur qetësinë kur Felipe Melo i ka dhënë një mesazh me një ndërhyrje të ashpër. Mbetet shtylla e goditur nga larg, goditja e dënimit nga një distancë akoma më e largët dhe e devijuar në goditje këndore nga Handanovic. Lehtësia me të cilën Mario godet portën është një armë e çmuar, akoma më shumë nëse kujtojmë se Milani është skuadra e Serisë A që godet më pak portën: shtatë gjuajtje në tri ndeshje. “Mario duhet të vazhdojë kështu, po punon mirë në stërvitje, por nuk mund ta vlerësoj pas vetëm 30 minutash lojë”, – ka thënë trajneri Sinisa Mihajlovic.

 

Beintez: Ronaldo, më i miri në botë

 

Trajneri i Realit të Madridit, Rafa Benitez, ka lavdëruar Cristiano Ronaldon, duke e quajtur “lojtari më i mirë në botë”, pak para ndeshjes hapëse ndaj Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampionëve. Ronaldo shkëlqeu në takimin e fundit të Realit duke realizuar pesë herë në fitoren 6 me 0 ndaj Espaniolit. “Ai është një prej lojtarëve më të mirë që kam trajnuar, por mund të them se tani ai është më i miri sepse kam qenë trajner i shumë lojtarëve të mirë”, – ka thënë Benitez në një konferencë për media të hënën, raporton “goal.com”, transmeton “koha.net”. Portugezi me pesë golat ndaj Espaniolit ka kaluar legjendën e “Mbretërve” Alfredo Di Stefano (227) dhe Raul Gonzalesin (228) me gola të shënuar në La Liga për Realin. Ronaldo deri tani ka shënuar 231 gola në La Ligë.

 

Gerrard: Balotelli, një mbeturinë

 

Ish-kapiteni i Liverpulit, Steven Gerrard, e ka përshkruar sulmuesin e Milanit, Mario Balotelli, si një “mbeturinë spektakolare e talenteve”. Balotelli kaloi më 2014-15 në “Anfield” dhe ka luajtur vetëm 10 ndeshje në Premier Ligë dhe përsëri u kthye në San Siro në formë huazimi. Gerrard ka zbuluar tani në autobiografinë e tij, e cila është duke u përgatitë nga “Daily Mail” se ai kishte shqetësime në lidhje me profesionalizmin e Balotellit. “Unë kurrë nuk e kisha takuar Balotellin, por kisha dëgjuar të gjitha historitë rreth tij dhe Jose Mourinho e kishte përshkruar atë si një lojtar të pakontrollueshëm. Ai ishte një futbollist me cilësi, por pjesa tjetër e karrierës së tij dukej si një mbeturinë spektakolare e talentëve. Ky ishte mendimi im për Balotellin. Ndonëse ai ka luajtur mirë për Italinë”, – ka thënë Gerrard.

 

Dybala: Mposhtim City-n dhe harrojmë gjithçka

 

Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, thotë se një fitore ndaj Manchester City-t do t’u ndihmonte bardhezinjëve që ta harronin fillimin e keq në kampionatin italian. Kampioni i Serie A e ka nisur sezonin e ri me dy humbje dhe një barazim që është edhe rekordi më i keq në histori të klubit. “Ndeshja e parë e Ligës së Kampionëve mund të jetë shumë e dobishme për ne. Nëse bëjmë një ndeshje të shkëlqyer në Mançester, mund të harrojmë se çfarë ka ndodhur deri më tani në ligë. Nuk e di akoma nëse do të luaj, trajneri do të vendosë. Për çdo rast, do të përpiqem të jap maksimumin, të shënoj gola dhe t’u ndihmoj bashkëlojtarëve”, – ka deklaruar Dybala.

 

Mascherano: Roma, skuadër që luan futboll të bukur

 

Futbollisti mbrojtës i Barcelonës, Javier Mascherano, është i vetëdijshëm për cilësitë e Romës, para ndeshjes së Ligës së Kampioneve që zhvillohet të mërkurën. Argjentinasi ka thënë se është vështirë të luash në Itali, sepse është shumë vështirë të shënosh atje. “Mezi po presim të luajmë në Ligën e Kampioneve, një garë që është e veçantë për ne. Roma luan futboll. Kjo nganjëherë është mirë për ne, por është një skuadër cilësore dhe e dimë se do ta bëjnë lojën e tyre nga fillimi dhe do të luftojnë për çdo top”, – ka deklaruar Mascherano.

 

 

 

 

 

 

 

Share it :