Një këmbësor është përplasur për vdekje nga një mjet i tonazhit të rëndë në aksin rrugor Shkodër – Hani i Hotit. Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Mësohet se viktima Fatmir Jaukaj, 50 vjeç, i ka prerë rrugën kamionit duke mos i lënë mundësi drejtuesit të mjetit që të shmangte përplasjen. Ndërkohë që në vendngjarje ndodhen forcat e policisë për të bërë këqyrjen e zonës ku ndodhi aksidenti. Sipas “bluve”, shkak i aksidentit dyshohet te ketë qenë pakujdesia e këmbësorit. Autostrada Shkodër – Hani i Hotit mbetet një nga akset më problematike për sa u përket aksidenteve me pasoja në njerëz.
Masa e sigurisë, Gjykata e Tiranës lë në burg farmacisten-tutore
Gjykata e Tiranës ka vendosur të lë në burg 22-vjeçaren “tutore farmaciste”, e cila së bashku me një bashkëpunëtore të saj dyshohet se kanë shfrytëzuar për prostitucion një vajzë të mitur. Edhe pse avokati kërkoi arrest shtëpie, gjyqtari Brahim Hoxha vendos arrest me burg si mase sigurie për 22-vjeçaren. Silvi Zhuri ra në prangat e policisë pasi në bazë të hetimit të para disa muajve efektivët e kryeqytetit goditën një rast veprimtarie kriminale të koduar “Tallavaja 2015”. Sipas policisë, Zhuri dhe e shpallura në kërkim A. D. në bashkëpunim edhe me një tjetër grua me iniciale F. Xh. që është arrestuar më 25 Maj të këtij, shfrytëzonin seksualisht të miturën me klientë të ndryshëm në hotele të Tiranës.
Nuk ka fund kanabisi, 3500 rrënjë të asgjësuara në Gjirokastër e Sarandë
Operacionet kundër kultivimit të kanabisit vijojnë ende në të gjithë territorin e vendit. Vetëm gjatë ditës së djeshme në Gjirokastër janë zbuluar e po asgjësohen 3000 rrënjë. 2000 prej të cilave u zbuluan në malin Dhëmbel, ndërsa 1000 në fshatin Fushëbardhë. Bëhet e ditur se në aksionin në malin Dhëmbel forcat e policisë së Gjirokastrës mbështeten nga FNSH-ja. Ndërkohë që në fshatin Shën Vasil të Sarandës janë zbuluar e asgjësuar 447 rrënjë kanabis. Policia thekson se krahas asgjësimi të kanabisit, po punohet për identifikimin e arrestimin e kultivuesve të kanabisit.




