Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë nga dy plumba pistolete paraditen e djeshme në Shkodër, pas një atentati që u bë mbi të. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës pranë vendit të quajtur “Dollari” ngjitur me selinë e Partisë Demokratike ndërsa është qëlluar me 2 plumba Lulzim Lelckajn, 35 vjeç, dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë. Kanë qenë kalimtarët e rastit, të cilët pasi kanë dëgjuar të shtënat i kanë ardhur në ndihmë 35-vjeçarit si dhe kanë lajmëruar policinë. Lelckaj është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor ku edhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në cilësinë e provave materiale uniformat blu kanë sekuestruar 2 gëzhoja plumbash pistoletë “TT”, si dhe kanë kërkuar nga bizneset përreth filmimet e kamerave të sigurisë për të identifikuar filmimet e momentit të plagosjes se 35- vjeçarit. Për momentin nuk dihet autori i kësaj ngjarjeje ndërsa dyshohet se është ndihmuar edhe nga të tjerë persona për tu larguar nga vendi i ngjarjes, pas kryerjes së krimit. Dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për larje hesapesh.




