Fjalimi në Parlament /Patozi, Ramës: Të bëftë mirë kafja e së hënës me Ilirin, ëndrra me ngjala vazhdon

 

patozi ..“Halli më i madh i kryeministrit nuk është as lulëzimi i krimit, as plantacionet e hashashit, as droga me avion, as ekonomia e vendit, as eksodi biblik, por hatërmbetja e Ilir Metës”

Patozi: Nëse qeveria do ishte një kompani private, seanca e sotme do te kishte vlerën e shpalljes së falimentit të saj

Nëse qeveria do të kishte qenë një kompani private, seanca e sotme do te kishte vlerën e shpalljes së falimentit të saj në bordin e përfaqësuesve të aksionerëve. Ky është pak a shumë thelbi i debatit të sotëm, i cili përpiqet të mbulojë dhe gjoja të riparojë humnerën e frikshme, që ka krijuar mungesa e rreth 250 milion dollarëve në arkën e përbashkët të shqiptarëve. Për mua kjo që po bëjmë sot është si të ndërtosh një urë me çarçaf dhe të presësh që mbi të të kalojnë makinat. Për kryeministrin dhe për të tijët, kjo është një gjë normale, që ka ndodhur edhe më parë. Me pak fjalë të gjithë aksionerët e kësaj kompanie të falimentuar, shqiptarët, që vidhen dhe abuzohen nga qeveria e vet, por edhe ne si përfaqësues të tyre, që kërkojmë qiqra në hell. Në këtë pikë ka mbërritur absurdi në këtë vend. Në cdo shtet serioz do të kishte mjaftuar vetëm ky argument që qeveria të shpallej publikisht e paftë, por pse jo edhe kleptokrate. Ju e keni dëgjuar besoj Ilir Metën, por edhe të tjerë përfaqësues të mazhorancës që janë prononcuar për ngecjen ekonomisë. Natyrisht, arsyet e tij mund të jenë krejt të tjera me tonat, ai mund të ketë shqetësim për fitimin e munguar dhe kërkon rishpërndarjen e tij, por e rëndësishme është që ngecja e qerres së qeverisë pranohet botërisht, edhe nga ata që praktikisht gjenden brenda saj.

Por në këto dy vjet, Shqipëria është shndërruar me shpejtësi në një vend të pashpresë, ku gjithkush rreket të largohet e të kërkojë azil nëpër Europë. Madje nuk e teproj po ta them se këtë gjë janë gati ta bëjnë edhe deputetët. Që të mos gëzohet njeri kot para kohe, unë vetë nuk bëj ende pjesë tek kjo kategori, por do të mirëkuptoja këdo tjetër që është lodhur nga zhgënjimi.

Ata ikin edhe për faktin se nuk kanë më asnjë shpresë se prej kësaj salle mund të dalë ndonjë gjë e mirë për ta. Sepse ky parlament ka rënë, jo thjesht se Armando Prenga qiti pushkë në mes të mexhlisit. Por sepse në më pak se një vit janë të paktën 7 deputetë të shumicës që kanë dorëzuar imunitetin ose kanë lënë mandatin, për ngjarje të rënda, disa prej të cilëve kanë përfunduar në burg. Dhe mos fërkojë njeri duart kot se mund t’ua quajë njeri si kontribut për dekriminalizimin faktin që “Revolucioni po ha bijtë e vet.” E morët edhe mesazhin e djeshëm të rrugës të Elbasanit, të ftohtë dhe të akullt. “I shkofshin prapa, të tjerët, po mos u mburrni shumë”.

Ata ikin se Shqipëria e tyre është shndërruar në magazinë gjigande droge dhe se harta e hashashit nuk po kursen as lagjet e qyteteve kryesore të vendit. Se për zonat rurale, as që bëhet fjalë…Këto ditë kam ndjekur me keqardhje se, jo vetëm ministri i Brendshëm, por edhe e gjithë tifozeria rilindase rretull tij, gëzoheshin si fëmijë, ngaqë avioni i fundit që u kap me drogë shqiptare në Itali, nuk paska mbërritur direkt nga Shqipëria në Piemont, por paska bërë një ndalesë në Lecce për furnizim. Dhe kjo e shpëtonte atë nga përgjegjësia, e cila, për çudi, i kaloka opozitës. Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe tronditëse.  Po ta fal një avion mor zoti ministër, ndonëse nuk e kam këtë të drejtë. Se nuk kam ku ti çoj ato 400 mijë euro për një rrugë. Nuk janë pak, apo jo? Po ai para një jave, po ai i Divjakës, po të tjerët, qe nuk mbarojnë, ku do t’i fusësh?

E di që ju irriton kjo që po them, madje ju jep mundësi të përmendni kohën tonë, të përmendni Gërdecin, 21 janarin, dhe klishetë e tjera, që i kini në majë të gjuhës, sa herë keni ndonjë siklet të madh, por kjo nuk ju ndihmon.  Njerëzit tanë po ikin se këtu nuk ka asnjë shpresë se mund të bëhet drejtësi. Se këtu mund të kalbesh në burg për një faturë të energjisë, nëse je njeri i thjeshtë, dhe duhet të vrasësh mbi 5 vetë që të arrestohesh nga policia, nëse ke lidhje politike.

Sot ne pretendojmë të bëjmë reformën e madhe në drejtësi me votat e atyre që edhe në ambientet e këtij Kuvendi, por edhe kudo i është dhënë rasti, kanë provuar se janë kontingjente të policisë dhe problemi real i kësaj shoqërie. Dhe ku kryeministri kërcënon se mund ta bëjë reformën edhe pa opozitën, ndonëse me rezultatin e 2013-es i duhen plot 11 vota, pa llogaritur Doshin, Frrokun e ndonjë tjetër, që deri sot të paktën mungojnë në apelin zyrtar të mazhorancës. Njerëzit ikin me nxitim edhe se këtu nuk bëhen zgjedhje, por votime. Se këtu votat blihen ose vidhen me të njëjtën lehtësi me të cilën mbillet hashash apo kalon një makinë pa doganë.  Njerëzit po ikin, sepse kanë kuptuar që halli më i madh i kryeministrit të tyre nuk është as lulëzimi I krimit, as zgjedhjet, as plantacionet e hashashit, as droga me avion, as çmimi stratosferik i naftës, as korrupsioni, as grabitjet e zyrtarëve të shtetit, as ekonomia e vendit, as xhepi i tyre, madje as eksodi biblik i tyre, por hatërmbetja e Ilir Metës, prej së cilës me sa duket po e shpëton disi halli i përbashkët që i ka zënë pas ngjarjeve të papritura në Qarkun e Lezhës.

Shqiptarët po ikin edhe se lexojnë, ndoshta edhe me ndihmën e Ilir Metës, se kryeministri i tyre, ditën që shpreh admirimin për ministrin e Brendshëm apo drejtoreshën e Tatimeve, i ka dërguar Saimir Tahirit dhe të gjitha ministrave të tjerë një email, ku i thotë se janë, edhe të paaftë, edhe harbutë dhe se mund t’i fshijë nga faqja e dheut me një klikim. Ndaj edhe ky problemi i sotëm i gropës së buxhetit nga babëzia dhe paaftësia e kësaj qeverie, që do të kishte shkundur çdo parlament tjetër në botë, ngjan si një ngjarje e zakonshme. Se kjo qeveri ka një meritë të pamohueshme. Ia ka dalë në një kohë fare të shkurtër që ta relativizojë të keqen. Ndaj edhe ta gëzosh buxhetin e ri Edi Rama! Të bëftë mirë edhe kafja e së hënës me Ilirin! Ëndrra me ngjala vazhdon                                *Pjesë nga fjalimi në Parlament i deputetit të PD-së Astrit Patozi

 

Jahjaga fjalim në Kuvend, gjysma e ministrave s’janë në sallë, Rama ikën në Gjermani

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në kuadër të vizitës që zhvilloi dje në Shqipëri mbajti edhe një fjalim në Parlamant para ligjvënësve shqiptarë. Por në këtë fjalë të saj, si rrallë herë u vu re se gjysma e ministrave të kabinetit qeveritar mungonin në sallë, si edhe kryeministri Rama, i cili u nis për një vizitë në Gjermani.  Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, që drejtohej nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu. “Ne nuk mbetëm rob të historisë, por po ecim përpara. E gjej veten në Tiranë si përfaqësuese e një shteti të vogël, po dinamik dhe serioz. Kosova garanton për të gjithë qytetarët e saj, të drejta të barabarta dhe të drejtat që kemi luftuar nuk do t’ia mohojmë askujt. Ne Kosovën do ta kthejmë në një shoqëri ku njerëzit bashkohen dhe takohen lirisht si shqiptarë dhe kosovarë. Lidhja ndër dy vendeve tona është e pakthyeshme e sidomos në fushën e ekonomisë ne kemi nevojë për një komunikim më të hapur dhe nuk kemi partner më të mirë se Shqipëria. Të bashkohemi për të mos lejuar të rinjtë tanë të indoktrinohen me kauza terroriste. Çdo fillim është i vështirë, po sot qytetarët e Kosovës po ecin përpara dhe për mua nuk ka krenari më të madhe për të ndarë vizionin e tyre, historinë e tyre me ju, si Presidente e këtij vendi,” theksoi ajo. Ndërkaq kryeministri Rama për të shuar zërat se nuk ishte prezent në sallë kur foli Presidentja e Kosovës nis dje në mbrëmje njoftim nga zyra e shtypi ku lajmëroi se,: “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka nisur sot ( dje) vizitën zyrtare në Mynih, i ftuar nga Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer. Gjatë takimit mes dy delegacioneve që do të zhvillohet ditën e nesërme, Kryeministri Rama do të diskutojë me Kryeministrin Seehofer mbi bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe rajonit të Bavarisë, bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional dhe universitar, por edhe mbi çështjen e azilantëve që mbetet një temë aktuale”, thuhej në njoftimin e qeverisë Por ndërsa u mundua të zbuste mungesën në Kuvend me një fotot të takimit në rrjete sociale, sërish Rama bëri një “gafë duke ngatërruar emrin e Presidentes Jahjaga nga Atifete në Ahtifete.

L

Share it :