Qeveria shqiptare reagoi nëpërmjet ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për raportin e OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet vendore duke e përshkruar atë me frymë pozitive. Bushati tha se ODIHR do të vijë në Tiranë për të diskutuar mbi rekomandimet, në mënyrë që ato të kthehen ne një plan të qartë masash për zgjedhjet e ardhshme. “Ka elementë të cilët duhet të adresohen si për sa i përket funksionimit të KQZ-së, administrimit të procesit zgjedhor në nivel kapilar, një roli më të mirë të medias, një përsosmërie për sa i përket etikës në procesin zgjedhor të ndarjes së shtetit nga pushteti”, – theksoi ai. Ndërkohë pyetjes së gazetarëve nëse qeveria po e lexon rozë raportin dhe se cila është përgjigjja për akuzat e blerjes së votës, ministri i Jashtëm iu përgjigj duke pohuar: “Nuk do e ndaj konstatimin me ju që leximi i qeverisë shqiptare është rozë, për sa kohë qeveria në mënyrë të kthjellët njeh progresin që evidentohet në raport dhe është e gatshme për të përmirësuar dhe konsoliduar më tej procesin zgjedhor sa i takon pjesës që ka qeveria në një proces zgjedhor bazuar mbi rekomandimet specifike të raportit. Ishte kërkesë jona për të evidentuar rast pas rasti të gjithë ata që mund të konsiderohen mangësi. Ju i referuat pjesës së raportit sa i takon akuzave të ndërsjella për blerjen e votës dhe natyrisht raporti bën një fotografim të situatës dhe nuk mund të mos rri pa përmendur se gjatë gjithë fushatës ka pasur akuza nga të dy krahët politikë. Qeveria është e hapur për të punuar me ODIHR për këtë drejtim. Ka marrë një letër ku ata dëshirojnë të vijnë në Tiranë për t’i kthyer në plan masash. Ne kemi angazhim për të bashkëpunuar me minorancën parlamentare dhe për të studiuar opsionet e zbatimit të rekomandimeve”.




