Raporti përfundimtar i ODIHR-it / Basha: Damkë për zgjedhjet, si në 2003-shin. Rama: Ngjan si Sudja duke lexuar “Financial Times”

 

lulzim basha rama-twitterKreu i PD-së: Rama dhe Meta janë nën akuzë, sepse e kthyen vendin në ditët më të errëta, pa zgjedhje, pa votë të lirë të sovranit. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” nuk figuron në raport

Gëzim Saliu

 

Mazhoranca dhe opozita e kanë parë në këndvështrime të ndryshme raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Sipas opozitës, raporti përbën damkën më e zezë që ka marrë një proces zgjedhor në Shqipëri që prej vitit 2003. Ndërkohë, nga ana e saj, qeveria e cilëson raportin si më të arrirë se ai i kaluari, duke vënë theksin tek rëndësia e përmirësimit të vërejtjeve. Ndërkaq, Kryeministri Rama nuk ka “guxuar” të komentojë raportin e ODIHR-it, duke zgjedhur që qëndrimin zyrtar ta shprehë ministri i Jashtëm, por nga ana tjetër ka reaguar me jo pak ironi mbi qëndrimin e kryedemokratit Basha. “Vajmedet PD flet e s’di ç’flet po kur lexon Raportin e ODHIR-it ngjan tamam si te ishe Sudja duke lexuar me zë te larte Financial Times”, – shkruante Rama në rrjetet sociale.

 

Qëndrimi i PD-së

Përmes një deklarate të posaçme nga selia blu, kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore nxjerr në pah të dhëna që vënë nën akuzë publikisht dhe zyrtarisht dyshen Rama-Meta për cenim të standardeve zgjedhore. “OSBE-ODIHR publikoi raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 21 qershorit, i cili me plot gojën është damka më e zezë që ka marrë një proces zgjedhor në Shqipëri që prej 2003. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standardi më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhagës, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua”, – theksoi Basha. Më tej kryedemokrati theksoi se konkluzioni i dytë kryesor i raportit ka lidhje me zhbërjen e standarteve themelore të zgjedhjeve si liria e votës dhe standardeve të tjera. “Nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet”, – pohoi ai. Duke listuar konkluzionin e tretë kryesor të raportit, Basha nënvizoi se në këto zgjedhje pati presion ndaj nëpunësve. “Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurrencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën. Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve”, – u shpreh shefi i opozitës duke shtuar se blerja e votës është tashmë e provuar nga ky raport i ODIHR dhe se është hera e dytë pas 2013, që blerja e votës shfaqet si problem. “Dyshja Rama-Meta rekrutoi bandat e i vërsuli me tërbim para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve, me mbështetjen dhe nën mbrojtjen e Policisë. Dyshja Rama-Meta bleu masivisht votat me paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit. Dyshja Rama-Meta urdhëroi me zë drejtorët të mbushnin kutitë e votimit. Dyshja Rama-Meta vuri në dispozicion si asnjëherë më parë infrastrukturën shtetërore, policinë madje dhe ushtrinë në funksion të kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve. Kriminelët më në zë të vendit u rreshtuan në krah të qeverisë në zgjedhjet e 21 qershorit”, – deklaroi Basha duke deklaruar në mbyllje të qëndrimit të tij se PD është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë dhe çdo mjet përballë asaj që ai e cilësoi si makineri të inkriminuar. “Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të bëhet deri në fund dhe çdokush që ka prekur votën e qytetarëve do të mbajë përgjegjësi”.

 

 

Share it :