Çështja e CEZ-it / PD: Meta iu imponua CEZ-it për Ismailajn. LSI: Jeni qesharakë, Basha si “Bruti ndaj Cezarit”

 

vasiliLëvizja Socialiste për Integrim, përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili, deklaroi dje se Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk është aspak i përfshirë në “aferën CEZ”. I pyetur nga mediat lidhur me akuzat e PD-së, Vasili tha se kjo lidhet në mënyrë të veçantë dhe me një sjellje të drejtpërdrejtë që Partia Demokratike ka për një problem të brendshëm në funksion të luftës së brendshme të saj. “Për të qenë shumë transparent me opinionin publik po i referohem jo më shumë e jo më larg se sa gazetës së sotme zyrtare të Partisë Demokratike e cila në faqen e parë keni mundësi të shikoni një titull që citon z. Heysek, i cili, sipas RD-së, thotë se biznesmeni është një njeri i besuar i z. Meta. Kjo frazë nuk gjendet dhe as ky emër nuk gjendet në raport dhe PD-ja çuditërisht bëhet korrekte dhe këtu nxjerr edhe thelbin e çështjes në faqen 3, ku thotë shumë qartë se biznesmeni është një njeri i besuar edhe i ish-Kryeministrit Berisha. Kjo ka të bëjë pikërisht me në qerthull njerëzish të besuar dhe të afërt të z. Berisha, të cilët sigurisht z. Basha i njeh shumë mirë dhe jo pa qëllim i bie pragut “Meta” për të dëgjuar Sali Berisha. Është shumë e qartë që sot kemi një betejë që po të marrim një analogji me politikën e mijëra vjetëve më parë, është sindromi i “Brutit ndaj Cezarit”, – theksoi Vasili. Por në reagimin e saj PD tha se provat dhe dëshmitë për skemën e madhe të korrupsionit dhe mashtrimit ku është direkt i përfshirë Meta, janë bërë publike. “Provat e ryshfetit të tij, janë pjesë e raportit zyrtar që avokatët e qeverisë shqiptare kanë paraqitur në arbitrazhin e Vjenës. Ilir Meta iu imponua kompanisë CEZ, për të kontraktuar mikun e tij Kastriot Ismailaj, edhe kur ishte Ministër i Jashtëm duke bërë negociata private pa pasur asnjë tagër zyrtar, por dhe më pas kur ishte Ministër Ekonomie. Ai loboi fort që Kastriot Ismailaj të merrte miliona euro nga CEZ, dhe natyrisht Ilir Meta kishte pjesën e tij në këto shuma marramendëse”.

 

Share it :