RROTË E HUMBUR

Edgar Degas dance-class-1871

Marina Mijakovska ka lindur më 8.7.1984 në Shkup. Është autore e përmbledhjes poetike “Shpirti nomad”, e botuar në vitin 2010 nga shtëpia botuese “Antolog” në Shkup. Mijakovska ka marrë pjesë në disa manifestime poetike, si në Mbrëmjet poetike të Strugës, në vitin 2010, dhe Netët Korçare të Poezisë në vitin 2012, ku fitoi çmimin e dytë për poezi.

 

BOTË PA KUFI

 

Ky do të ishte titulli që do t’i shkonte këtij cikli poezish të poetes maqedonase Mijakovska, sepse sot më shumë se kurrë bota ku jetojmë është e ndarë vetëm me kufij simbolikë politikë. Hapësira, si një prej elementëve të duetit Kohë-Hapësirë nuk mund

të lihet jashtë vëmendjes sonë, për më tepër të një poeti që tek të dy elementët, uniteti i tyre është i padiskutuar, shikon mishërimin e botës reale, por edhe të botës shpirtërore, të fantastikes dhe mistikes. Pa hapësirën nocioni i vetë jetës nuk do të kishte kuptim, ashtu si nuk do kishte kuptim ekzistenca e gjithë pasurisë kulturore të një kombi në veçanti dhe të botës në përgjithësi. Pa hapësirën, nëse do të kishte jetë do të ishim ajrorë, gjithmonë thërrmija në kërkim të një vendi për të ndalur fluturimin, sepse lidhjet lëvizje-ndalesë janë tharmi i larmishmërisë së jetës. Nëse në hapësirë do të ishim gjithmonë në lëvizje, në fakt në sensin e gjerë jemi, toka rrotullohet, atëherë asgjë nuk do të na dallonte nga figurat imagjinare që nuk pushojnë kurrë. E pra, ndalesat janë stacione të domosdoshme dhe këto përcaktojnë rrënjët që njeriu i ka hedhur dhe që nuk mund të shkulet kurrë prej tyre. Tatan ka Lyothan ka shprehet se njeriu i përket tokës, ndërsa toka nuk i përket njeriut. Shkëputja për pak kohë nga pozicioni me këmbë në tokë nuk mund të jetë e përjetshme, sepse vetë lëvizja jonë ka limite mbarimi. Në hapësirën tone je mite rrethuar nga Koha e njerëzve dhe e objekteve – siç thotë Marina në poezinë e saj të parë. Por, nëse si pike referimi marrim alkiminë, atëherë interpretimi i kohës dhe hapësirës merr përmasa të tjera, ku koha dhe hapësira individuale e ngushtë e secilit prej nesh tkurret fort, për të kaluar më pas në atë që na bashkon dhe na bën të ndërveprojmë me të tjerët. Dua të ta mat temperaturën – shkruan poetja maqedonase. E ky ritëm jetësor dhe njerëzor ngjan me zërat e përhershëm të botës, me zhurmat, klithmat, rënkimet, brohoritjet për gjithçka kemi krijuar në shekuj, janë tingujt e ëmbël të një ekzistence që zhvillohet vazhdimisht me kontradiktat e saj sa absurd aq dhe racionale, të ndërlidhura pazgjidhmësisht mes tyre. Poeti është shkencëtar po aq sa shkencëtari është poet dhe në këtë harmoni poetike koha dhe hapësira i japin tonet çdo ngjarjeje për të cilën edhe poetja nuk është e qetë. U bëra shkencëtare dhe me duar end shumë fjalë – tingëllon vargu i Mijakovskës.

 

RROTË E HUMBUR

 

Kjo është Kohë objektesh:

Radhë njerëzish,

Radhë pasionesh

Të shkelura

Nga syri i dëshpërimit.

Nga koha në kohë

Dua t’i shkul shigjetat

Nga objektet dhe

Të të zbuloj ty

Tek subjektet.

 

 

ALKIMIA

 

Po luaj me fijet

e Psikoanalizës.

dua të ta mat

temperaturën

me ballin e Pasionit,

të ta ledhatoj dëshpërimin

me shikimin vigjilent të Dritës,

të ta ndriçoj terrin

me impulset meseve

të zhvendosura.

Dua dhe nuk dua…

Dua…

Të ta thur kurorën prej kimisë

aty mes

Diellit dhe Hënës, po

këtë e dua.

 

 

 

PASIONE

 

Lëngjet

e “parajsës” sime

vizatojnë

rrathë

mureve

të së Panjohurës.

I gërvishtin

thembrat dhe pëllëmbët

ku përhumben

koka dhe gjoksi.

U groposa

nën ullinj

e zhytur

nga

onomatopeja

e munguar.

 

SHKENCËTAR NË POEZI

 

Desha të bëhem shkencëtare,

Të shëtis meridianëve të mendimit,

Të përmas Hapësirat dhe Kohërat,

Të cilat dikush tjetër para meje i kamatur,

Pa metër e vizore.

U bëra shkencëtare,

me duar end shumë fjalë

pa u hallakatur andej-këndej,

dua ta Hulumtoj këtë horizont,

dua ta përshkoj atë dhe

me zë të lartë do të klith:

Poezia është

shkencë..

 

 

RRJETË MERIMANGE

 

Jam koleksioniste

e stringlave të çmuara.

fillimisht do të të kërkoj,

nën letrën e merimangës

sëmurit,

do të të gjej.

Më mëso të end!

Mbledhës jam

i mençurisë

së shtrenjtë e të bekuar

Të gjyshes sime,

nga stërgjyshja jote:

pasqyrë tepër e lashtë.

Më mëso të ligjëroj!

Nuk jam instrumentiste

dyersh e dritaresh,

jam vetëm

sënduk artizanesh

me pluhur mbuluar.

 

HEMISFERAT

 

Do t’ia filloj nga dallimet

E gdhendura nën Oqean,

Në fonemat

E çdo fjale të thënë

Që fillojnë me gërmën O

Do të të kërkoj.

Tetërrokshe, Dehje, Mullagë…

Do të frymoj

I ngulfatur nga Pafuqia ime,

Do të të zvarris

Para dhe Pas,

Pas edhe Para.

Por ti mos m’i

Shkatërrosh liarët

“mes”

Botëve pa Kufi.

 

Përgatiti Arjan Kallço

 

 

 

Box gri

 

MENDOJ PËR TY

 

José Batres Montúfar

(El Salvador 1809-1844)

 

Mendoj për ty, ti jeton në mendjen time,

e vetme, e palëvizshme, në çdo orë, pa pushim,

edhe pse ndoshta fytyra jote me mospërfillje

nuk do t’i resht mbi ballin tim pasqyrimet

e flakëve që në heshtje më përpijnë.

Në fantazinë time të mortshme dhe të ftohtë

shkëlqen imazhi yt i pastër dhe i qetë,

si një rreze drite që dielli dërgon

nëpërmjet asaj të errëtës kupolë

tek qivuri me të thyerin mermer.

E heshtur, e pajetë, në gjumë të thellë,

zemra ime mbyllet dhe largohet,

dhe atje në qendrën e saj dridhet duke dhënë jetë

kur mes zhurmës së kotë të kësaj bote

melodia e emrit tënd dëgjohet.

Pa përpjekje, pa zjarr dhe pa u ankuar,

pa u përpëlitur, në të verbër dalldi,

pa shqiptuar asgjë, asnjë tingull të shuar,

orët e gjata të natës duke numëruar

unë mendoj për ty.

Në shqip: Erion Karabolli

 

 

(Kolonë gri anash)

 

Pa titull

 

Saimir Perihana

Deti shkrumbezon dallget brigjeve aziatike

Dallge veshur bardhesish ne endje kridhen

Ca varka ngarkuar me kenge resh

Nen miklimin e rezeve diellore te Shtatorit

Horizontet kerkojne te mberrijne

 

Praruar me rreze te arta ky bregdet

Deti buqete valesh thurr perjetesisht

Rrezuar diku tej nje femije

dhe gjume i rende i heshtjes

mbi qerpiket me kripe rri

Deshmimtar i pagoje dhe tragjik

Trondit ti kufinjte e mundesise

 

Trup i vogel, peshe e rende

sa nje bote dhe gjithesi

Vogelush qe priste te rritej dikur

e tashmja dhe e arrdhmja

bashkuar mbi lekuren e bardhe gri

 

Trup i vogel, permendore e kohes

se sotme dhe asaj qe do te vije

Shkelmuar nga hovi cmendurak i dallgeve

te fatit tend mbushur plot me marrezi

 

Vrare henat dhe diejt

perrronjte dhe lumenjte

buzembremjet dhe mengjeset tek ti

 

Trego vogelush me buzet e djegura nga dallga

Perzhitur fytyre e embel nga dielli

Trego pse dielli dallga, deti, njerezit

ne nje komplot te eger zjarri

jeten ty ta vodhen,

endrrat ty ti moren

 

Trego vogelush perse dielli, deti, njerezit

Fshehur nen nje turp tragjik

Nuk deshmojne per ty tragjedine

Trego vogelush nga cila enderr errdhe ?

Ne cilen enderr shkove ?

Ngarkuar supesh te brishta

Trego perse ike perse u trete ?

Mes dallgeve te egra dhe indiferences shekullore

te shitblerjeve pa turp

te nje bote tradhetish mesuar te rroje

pafajesine feminore vret dhe shkel

 

Tregome per syte e tu te kalter

Fole e shkruar qiellore

Vrare ketij buzedeti pa hene

Qe dot ti nuk e mberrite

Arkivol i hapur enderrash cfilitese

 

Trego per dashurine

Per nenen, babane, motrat dhe vellane

Trego per qeshjen tende tek jehonte

Dikur mureve te muzgeta te qytetit tend

Veshur me trishtim

Murgj harruar nga bota e tere

Veshur sot me flake e tym

 

Trego vogelush i shtrire ashtu ne breg pertoke

i papranuari vogelush i shekullit XXI

Trego dhe une do te te degjoj

Thellesine e vuajtjes dhe mjerimit njerezor

Perballe nje deti te paane indifferent

qe dallget mbi dallge e plage mbi plage hedh

*Nga ngjarja e fotos që bëri xhiron e botës, që dëshmon ngjarjet tragjike në Siri

 

 

(Kolonë anash)

 

 

Publicistikë

 

Shqiptarët s’e duan shumë punën

 

Faik Konica

 

Këto ditë një mik na shkruante për një këmbim fjalësh që kish bërë me një Shqiptar. -A do të të mësoj shqipen? Jo, or zot, ç’më duhen mua ato? -Po shqipja është gjuha tënde, duhet të dish ta shkruash. -Unë s’përzihem me të tilla punëra. Fund, e shoh që s’do. Po thuamë psenë e vërtetë të kësaj mosdashjeje. – Do të vërtetën? Nuk del ulefeja me shqipen.

S’del ulefeja…! aty është gjithë puna. Po të dilte ulefeja të gjithë ata shqiptarë që sot mohojnë gjuhën e tyre do ta gjenin të mirë, të bukur të shijshme…

Ç’është kjo e Shqipëtarëve që, përveç ulefesë s’duan gjësendi? Besoj se është përtimi. Shqipëtarët s’e duan shumë punën, që nga bujqësia gjer në tregëti të madhe ghithë mjeshtëritë duan, pak a shumë, punë dhe mundime. Po për kundre, a gjen më lehtë se të jetë njeriu “dragat” “memur” “zaptie” a “pasha”?

Është e vërtetë që tregëtia në Shqipëri s’bëhet dot, përveç në qytetet afër detit. Ngarko për tregtim ca barrë nga ato “peshqt” e verës aq të shijshme të Ohrit për t’i shpënë jashtë. Ca kuaj a mushka, duke shkuar anës pronave, nëpër rripa e thika, të ngushta e të rrezikshme, do të bien e do të mbeten në vent, më tutje, ndofta do të dalin kusarët, të të marrin ç’ke e në mbettë nonjë barrë, do t’a arrihne qëllimin pas shtat a tetë vjet e peshqtë do të jenë pak të prishur.

Prandaj rroftë “ulefeja”.

Me bie në ment një e pashfaqur (anektode) që rrëfen mirë dëshirën e Shqipëtarit për ulefenë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë njoha në Shqipëri një fshatarak i cili dëshironte të bëhej kolhghi. Kish një arë e një vreshtë, por s’i punonte e s’kish bukë. Vente hante nëpër konakët, duke pritur ulefenë.

Dhjetë vjet pastaj e poqa përsëri, e ngaqë më ka pasur gjithmotin enda të kuvendoj me fshtarakët, e pyeta si vente. S’mbaja dot të qeshurën kur më tha që priste ulefenë. Dhjet vjet kish pritur edhe s’qe lodhur.

Me gjith këtë, le të mos harrojmë që Shqipëtari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se kanali i Korinthit, në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u-rrëmih më shumë prej punëtorësh shqipëtarë. Punonin, ata djelmt e shëndoshë të Shqipërisë, punonin e duke i parë, m’u mbush zembëra me shpresë për fatin e Shqipërisë, se ne komb përtimtar, është komb i ngordhur. Nga të gjith anët e Shqipërisë, gjer nga Prizreni, kishin vajtur të punojnë.

Njoha atje një Gegë, i cili, në pak kohë, kish mësuar të kuvendonte greqishten. Edhe e kuvendonte aqë të shtrembur e të shijshme, sa kurrë në jetë t’ime s’kam qeshur aq, -e u ndamë si miq të vjetër.

1902

 

 

Tregim

 

 

RRUGA E PYLLIT

 

Lazer Stani

Lisa S. nuk mundi ta besonte kurrë vdekjen e stërgjyshes së saj, Zoga S., që në të gjallë nuk e pati njohur. (Zoga vdiq në moshën 99 vjeçare, njëzet vjet para se të lindte Lisa.) Grua e sertë dhe dinake, e vrazhdë dhe kryeneçe si një pelë e pashaluar kurrë, Zoga me siguri duhej të kishte shkuar diku, në ndonjë vend të humbur e të largët, andej nga perëndonte dielli, që gjindja ta pandehnin të vdekur e t’u zgjidhej gjuha e ligë që u qe bërë nyje e plagë nga të kafshuarit prej tmerrit dhe frikës, që u pati ngjallur shtati i saj i gjatë e muskuloz prej mashkulli, sytë shpues si turjela, gjuha e saj brisk që i lëshonte fjalët të mbështjella me qeska të përçudshme e të ujëtisura me një lëng të hidhtë zeher dhe sidomos jetëgjatësia e saj që dukej sikur nuk do të sosej kurrë. Ajo qe zhdukur papritmas në një ditë vere, sapo dielli qe ngritur dy pash në qiellin e kthjellët si loti; të gjithë e kujtuan të vdekur, po ajo me siguri qe mërzitur me ata njerëz qyqarë e tutcakë, që i silleshin nëpërkëmbë, rrinin sus para saj e shtireshin si engjëj të përvuajtur.

Tha me vete t’ua punonte dhe një herë siç ua kishte punuar gjithmonë, u rrëzua nga shkalla e ra pingul në oborrin e shtruar me kalldrëm, la aty palmuç një trup të pashpirt, dha kushtrimin gjamatar për vdekjen e saj, e kur pa se njerëzit po dilnin të shastisur nga oborret e po vraponin si të tërhuzur, mori shkopin e saj nyjëçan prej thane, zbriti tinëz anës gardhit e u zhduk rrugës së pyllit pa lënë nam e nishan. Por ajo s’mund të ndahej kaq lehtë nga kjo botë (kështu mendonte Lisa), kishte hesape për të larë e, sakaq, duhej të merrte vesh se s’bën kur të kthehej se ç’do të thoshte për të djali i saj i vetëm Ndreu, dy të bijat, Katerina the Pashkja, nipi i vetëm Palushi, nusja e nipit, që gjithashtu quhej Katerina, dhe e stërmbesa Lisa, që do të lindte pas njëzet vjetësh. Asaj i duhej të dinte se s’bën se ç’do të thoshin për të fqinjët e saj (“ Përndryshe s’mund të rehatohem në atë botë”, supozohej të kishte thënë) që, sa qe gjallë, s’kishin guxuar t’ia permendnin emrin, por që kur e pandehen të vdekur nuk lanë gjë pa thënë për të, e quajtën kulçedër me shtatë krena, shtrigë plakë, bushtër, xhinde, nietzezë, koprrace, cipëplasur, sykeqe që çartte edhe gurët, magjistare, përbindshe, nemë e qiellit për kushedi se ç’mëkat të lashtë: për Zoga S. u shpenzua i gjithë fjalori i sharjeve dhe mallkimeve që te fqinjët qe më i pasuri në botë.

Hamendje e pagabueshme e Lisës u vërtetua në mëngjesin e 20 majit, kur ajo pa të ngjitej anës së përrojit Zogën, që ende mbante në dorë shkopin nyjëçan prej thane dhe, pas çdo tre-katër hapave, ndalej që të mbushej me frymë, ngaqë nuk do të shërohej kurrë nga astma. Lisa vrapoi t’i dilte përpara, (në dorë mbante peshqirin e lagur që pati dalë ta nderte në gardh), iu hodh në qafë dhe e përqafoi plakën e sertë e të paepshme, i tha, duke çikratur si mëllenjë e trembur, se ajo qe e vetmja që i kishte hapur rrugën e saj, i tha se fqinjët nuk kishin lënë gjë pa thënë për të, por asaj s’ia nxinte goja fjalë të tilla gojëkeqësh, i tha se Marku qe gëzuar kur ti vdiqe, se do të hante mish të fresjkët në varrimin tënd, gjyshi përmend të atin, por ty nuk të kujton kurrë, babai thotë se ishe me kacabuj e nuk duroheshe, nëna më ka treguar se nuk i duroje femrat dhe u nxije jetën.

Zoga Spani e dëgjoi në heshtje stërmbesën e saj, sytë iu mbushën me lot, duart iu varën të pafuqishme, shkopi prej thane i shpëtoi nga duart dhe doreza e kthyer iu ndot në baltë në vijën e ujit, që rridhte e mekur te këmbët e tyre. Ajo u përkul e mori shkopin, ia fshiu dorezën me kindin e xhaketës së vjetër, i ktheu kurrizin të stërmbesës dhe u nis rrugës së pyllit aq e dëshpëruar, sa mezi çapitej. Kur po humbiste midis drurëve të lartë (me majë në qiell), ajo tha të vetmet fjalë, që Liza S. nuk mundi t’i harrojë kurrë e i kujtoi gjer në pleqërinë e thellë. Madje, edhe atëhere kur i bënte ngjarjet lesheli e përziente kohë e mote, ajo nuk i ngatërroi kurrë e gjithnjë i rrëfeu esëll fjalët e Zogë Spanit, që i tha kur po humbiste në pyll: “Jetë muti! Si paskam jetuar një shekull pa njerëz!”.

*Nga “Misteri i hijeve”, botuar në vitin 1993

 

 

(Kolonë anash me gri)

 

DHUNA

 

JORGE MAJFUD*

Përgjithësisht filozofët kanë qenë krijesa tolerante, por jo ndjekësit e tyre. Për luftën gjithmonë nevojitet një lloj çmendurie dhe harrese për çfarë luftohet. Ama, në fakt, barbaritë në Gea (Tokë) nisin me një të vërtetë të përligjur fort nga ndonjë fjalim. Qysh në shekullin XI, poeti, skeptiku dhe pijetari i zellshëm pers, Omar Ibn Khajam, kishte shkruar një këshillë që më vonë u harrua në mënyrën më të suksesshme: «Përpiqu që i afërmi yt të mos vuaj prej urtësisë tënde». Në të gjitha luftrat, të vërtetat që i nxitin ato janë përherë spektatore të thjeshta të krimeve, të cilat i kryejnë ndjekësit e tyre. Për shembull, gjatë Luftës së Ftohtë, një nga sentencat drejtuese thoshte: «Qëllimi justifikon mjetin». Dhe mjetet për të dy qëllimet dihet që ishin tragjikisht të njëjta. Viktimat e Vietnamit apo të Pragës i provuan njëlloj: torturat dhe vdekjen. Në çastet më të ashpra të luftës, si për ushtarin edhe për guerilasin, më i qartë është objektivi ideologjik se sa vetë suksesi i betejës. Kjo gjë, që është aq e arsyeshme në një betejë apo në një ndeshje shahu, bëhet absurde kur konfuzioni është i prirë për t’u përjetësuar. Atëherë qëllimet lihen në harresë për t’u përdorur vetëm mjetet. – Gnesologjia nuk këshillon përdorimin e forcës për të demonstruar idetë. Lakmia për të imponuar idetë me forcë është një ndjenjë e zakonshme dhe kalimi i saj në një akt dyfish të papërgjegjshëm, sepse idetë zakonisht janë të gjymtuara apo të gabuara, duke qenë se lindin në një organizëm të programuar për të dështuar pa paralajmërim; dhe sepse dhuna është një përvojë përfundimtare. Përkundrazi, «principet» janë më të besueshme. Po ashtu për arsye tjetër të dyfishtë: sepse, sipas përkufizimit, janë më të thjeshta dhe më të qarta; dhe sepse lindin në një organizëm, i cili kur mbetet lajmëron: zemra.

Marrë nga: “Kritika e pasionit të pastër”, kapitulli VXI: Intoleranca, eseja 146.

Në shqip: Bajram Karabolli

 

*Horhe Mahfud (1969) – shkrimtar dhe eseist uruguaian. Ka mbrojtur titujt master në letërsi dhe doktor në filozofi në Universitetin e Xhorxhias (2008). Është i njohur për romanet e sidomos për esetë e tij kritike që janë botuar rregullisht në mediat dhe gazetat më prestigjioze të botës: Milenio Diario (Meksiko), La Republika (Montevideo), Panamá América, La Vanguardia (Barcelonë), Courrier Internacional (Paris), Hispanic Culture Review (Universiteti George Mason), Pegaso (Universiteti i Oklahomës), Tiempos del Mundo (Washington), etj.

  1. Mahfud, veç Universitetit Georgia ka qenë profesor në Universitetin Linkoln dhe në Universitetin Jacksonville. Ai ka marrë disa çmime letrare ndërkombëtare: Mención Premio Casa de las Américas, La Habana, Cuba 2001, Excellence in Research Award’, University of Georgia 2006, and Faculty Award for Excellence in Scholarship and Professional Activities, etj.

Është autor i dhjetëra librave, midis të cilave shquhen: “Koha që më takoi të jetoj” (2004), Qyteti i hënës (2009), “Iluzionistët” (2012), “Kritika e pasionit të pastër” etj.

 

 

 

 

Në kohën kur çështja e intelektualizmit dhe vetëdijes shqiptare ishte në kulm të debateve, kur rrjedhat politike ndryshonin me intensitet historinë shqiptare, një prej personaliteteve që mbeti në heshtje, Mihal Zallari me një formim të gjerë kulturor, me një edukatë dhe emancipim perëndimor, të ndërthurur me një nacionalizëm të theksuar të befason kur lexon artikujt e botuar në vitet `30-`40, me gjerësinë shpirtërore, gjykimin e rreptë për fenomene të shoqërisë shqiptare, për thellësinë dhe modernitetin e trajtimit të tyre. Kjo jetë intelektuale është botuar e plotë në librin e përgatitur nga e bija, Elza Poga, ndërsa shkëpusim disa artikuj të botuar në disa prej periodikëve të kohës

 

 

Na mbyti banaliteti

 

 

Mihal Zallari

 

Besa, Tiranë, nr. 1396,10 mars, 1936, f. 2

Shtypi i lirë i hapi rrugën kryesisht banalitetit. Ky nuk rnund të jetë kuptimi i lirisë së shtypit. Me gjithë këtë Qeveria e toleron. Atyre, që ankohen, Qeveria u tregon gjykatoren; g]yq kundra banalitetit! Është tallje! Është një shfrenim liberalizmi! Shumë thonë që kështu e lyp politika e brendëshme. Heq dore t’a kuptoj këtë politikë. Bile heq dorë nga shumë gjëra. Do të heq dorë të kuptoj nevojën e dallimit në të rinj e në të vjetër. Prandaj, Tajar, sa për mua mos u mundo ta shkruash artikullin e katërt në “Illyrin”. Jam ibindur dhe…i mundur! Më mundi banaliteti! Të “shtatët” e “Arbënisë” qënkeshin të fortë. Ata thonë se janë 50 deri 70 mijë. Por mua do të më mjaftonte”dinamiku” që të më mbylli gojën.

Pse shkruan? – më pyetnin shumë nga shokët. Pyetja më duket absurde. Shtypi është i lirë, kujtonja unë. Dua të mbrohem si mësues,si njeri, si i ri; prandaj shkrova, ç,kam shruar gjer sot. Kështu e kam kuptuar lirinë e shtypit.

Por qysh me artikullin e pare takova në banalitetin: komentet e “Vatrës” për pake më bënë të thyej qafën! Një shok kur më pa të turbulluar më tha: Zallar! Kemi dhënë fjalën të mos skandalizohemi. Mm! U lëkunda dhe vazhdova….të shkruaj në “Illyri”.

Një ditë drejtori i “Illyrisë” më dha të kuptoj se artikujt e mij ishin jashtë programit të fletores. Kështu filloi një luftë për çdo artikull qe u shkrua ose nuk u shkrua. Përse ta zgjat: erdhi një ditë që drejtori deshi ti ndryshojë ato që kisha shkruar unë; pastaj erdhën ditët e tjera që drejtori as deshi ti lerë të shtypen dhe kur ika ma hodhi atë artikullin ” Autokritika” nga pas.

Dhe kështu u bëre besaxhi! do të më thoni.- Jam i mendimit që “Besa” është gazetë më e ndershme; është e vetmja e cila ka arsye ekzistence: Mbrohet. Ç,arsye kanë “Vatra”. “Arbënia”, “Illyria”? Të mirat dhe të këqijat e “Besës” Janë të sajat. Të mirat dhe të këqijat e shtypit tjetër janë të huaja, të vjedhura të dtktuara! Shtypi tjetër i Tiranës është kryekëput falso dhe banal: iu merr sendeve bukurinë dhe freskinë!

Shtypi banal i merr lëvizjes së re (!) bukurinë dhe freskinë kur thotë: ç’të duhet ty se kush jam unë si njeri privat; si gazetar ta mbaroj punën. Shtypi banal i merr lëvizjes së re (!) bukurinë dhe freskinë kur thotë: kam qenë dallkauk; por kam qenë “par diplomatie”!- Dhe të këtille’ njerëz pa një bindje të madhe, pa një jetë në çdo pikëpamje të pastër, duan të frymëzojnë një lëvizje nacional-sociliste,a la HiUer!

Banalet kanë gjetur një gjë te re: Duan një ideologji të tyren, shqiptare! Branko Merxhani na pastë më qafë! Ay që kundra ndërgjegjes thotë në fillim ka qënë fiala, kuptimi, forca; kurse e vërteta është: në fillim ka qënë të bamunit (im Anfang ëar die Tat!- Faust). Djalëria në vend që të bëjë sikurse është ngarkuar me zgjidhë problemet e botës dhe gjoja sikur kërkojnë të krijojnë një ideologji të sajën duhet të ketë një doktrinë: doktrinën e aktivizmit.

Djalëria në vend të shajë të vjetrit, bën mirë të kallëzojë vlerat e saj!

Jam i mendimit, ose më mirë me thënë kam bindjen që, popuj dhe njerëz si ne, duhet të jenë të thjeshtë në jetën e tyre, ndryshe rrezikojnë të bëhen banalë. Por për me qënë i thjeshtë, zotërinj neoshqiptarë, duhet pak karakter dhe një dozë bonsensi!

 

Edhe një herë arsim

 

Illyria, Tiranë, nr. 35, 24 dhjetor 1935, f. 5

Kanë shkruar dhe shkruajnë kaq intelektualë ilegjitimë. Shkrova edhe vetë një herë si arsimtar mbi arsimin. Më mirë me thënë: lashë të flasin gjendja dhe punët. Mjerisht shumë kujtuan se fjalët me të cilat ia parashtrova publikut atë realitet. ishin brutale. Por brutal është realiteti dhe jo unë. Dhjetë vjet tash jam mësues; dhjetë nxënës nuk munt të gjinden, të cilët të mund të thonë, që kam qënë ndonjëherë me ta brutal. Shkrova një përqindje të vogël të atyre që kam parë dhe ndjej.

Shumë janë ata, që u skandalizuan me titullin: padis! Unë vet sot jam penduar! – Padis! Por kujt? pyes unë veten time i pari: Kujt i padis?!- Një humnerë hapet para meje….

O, jo! Nuk padis! Ndërgjegja kombëtare nuk ekziston, ose është në gjumë! Prandaj s’kam kujt t’i padis! Qava thjesht hall, që, kujtoj është edhe ay i djalëris. Djalëri e desekuilibruar! E keqorientuar.

Qava hall dhe shpreha një dëshirë: duam, thashë, shkak për entuziazëm të vërtetë. Kërkush më tepër se djaleria ka për të jetuar, nevojën e enthuziazmit. Kërkush më tepër se djalëria ka nevojë për dashuri dhe respekt. Dhe kërkush më tepër se burrat e popullit vet, e kohës së vet mund të inspirojë këtë dashuri, këtë respekt në shpirtrat e djalërisë. Shumë popuj kanë një të kaluar të shkëlqyer, por ata vetë ndodhen parterre. S’mjaftokan burrat dhe idealet e një kohe të kaluar: duhet një elitë e bashkëkohsave; një elitë që neve na mungon. Neve, përsëri, na mungojnë burrat, që inspirojnë dashuri dhe respekt! Duhet të sakriflkohet një brez, mbase shumë breza, që të krijohet kjo elitë dhe që të mos vazhdojë ky popull të eci në hije midis popujve të tjerë.

Sakrificën e kemi bërë, bërtasin shumica e madhe, afer 3 milionë, do të thotë afër 1/5 të buxhetit, për arsim! 3 milionë për të ushqyer afer 1000 nëpunës dhe familjet e tyre, thotë brutalisht realiteti; por jo për arsim!

O, jo! Nuk padis kërkënd! Qaj halle! Ndjej nevojë urdhëruese të shprehem. Gjëra që s’thuhen bëhen helm dhe prishin karakterin. Prandaj them: me 3 milionë s’mund të mbahen 900 shkolla fillore dhe 7-8 shkolla të mesme. Ashtu siç nuk është e mundur më 10 kg miell të gatuhen 200 kg bukë. Shkolla tona kanë shumë, tepër shumë, halle.

 

 

Vjetët kalojnë…

 

Dhe zemra e njeriut hesht e përgjon…

Mesnatë ësht, në mes të dimrit mesnatë. Dhe në këtë kohë të vetëmis së madhe kanë dhënë rendez-vous, si pas zakonit, viti plak dhe vit’ i ri. Netët janë përgjithësisht koha e pjekjeve të rëndësishme. Netët janë dhe koha e mbarsjes të ëndravet, të mendimevet, të vepravet dhe shumë njerëz do mos e kujtonin as numëronin jetën e tyre pa netë: netët e dashurisë, netët e tmerit; netë malli dhe dëshpërimi!

Mesnatë është; të gjitha heshtin; hesht edhe njeriu me lot në sy dhe me një jo fort të guximshëm gaz në buzë përgjon…. Përgjon pastingëllimin e ëmbël ose t’egër, të telave të zemrës, siç i zuri, sa që mbretëronte viti plak, dor, e Fatit: butë ose rreptë. Hesht dhe përgjon dhe mbase për të parën herë, në këto treqind e gjashtë dhjetë e pesë herë, njëzet e katër orë, njeriu kujtohet, që ky vit merr me vete në varr mundësinë e shumë lumturije; mundësi, të cilën as ndonjë vit, do të mundt që të risjellë as të zëvëndësojë!

Zemra e njeriut është e çuditshme: Herë herë e rrëmbyer dhe e dehur kërkon sikur t’ishte e mundur, ta rronjë jetën e vet në një ditë, në një orë, në një çast! Si një kupë vere, që pimë me një të marrë fryme gjer në pikën e fundit. Herë, herë e kap, si me thene, një fare “anemi” një mpitësi dhe indiferencë: mbyll dyert dhe dritaret dhe bën gjumë!…

Sa kremtime të natyrës s’u kremtuan, sa mendime s’u menduan; se zemra flinte!

I sëndisur dhe keq tronditur njeriu prej këtyre mendimeve lëkundet, ngrihet dhe- si për të harruar-I kthen krahët vitit plak dhe për të parën herë tashti takon sytë e vitit të ri, i cili e kap, e puth në balle dhe e heq me vete në aventura të reja. Dhe zemr, e njeriut vazhdon të dashurojë dhe të shpresojë, gjer sa të vinjë ay vit, i cili do të jetë dhe i fundit!…..

Gjer atëhere e mjera zemër, e fortdashura zemr, e njeriut: shumë lumturi!

 

Nji luftë e paarsyeshme në vazhdim

Edhe një herë, edhe një mij herë duhet me përsëritë: Dashurojnë burrat me vullnet të pastër, me shije fisnike dhe me shpirt të ekuilibruar dhe pak pyesim a janë të vjetër ose të rinj, t’ardhur nga orjenti ose nga oksidenti se vetëm burrat fisnikë me ide të preme formojnë elementët ndërtuese! Vetëm këta mund të luftojnë këto kaos mendimesh dhe ndjenjash, në të cilin ka rënë populli shqiptar. Këto cilësi ose janë te mundëshme në popullin tonë dhe atëhere janë të përfaqësuara në të gjitha brezat dhe sidomos brezat që janë kaq shumë aier me njëri-tjetrit, ose nuk janë dhe atëhere s.i ka kërkush. Burrat fisnikë me idera të caktuara i njofim nga guximi që kanë të vënë në rrezik të gjitha për të realizuar idetë e tyre. Shqiptarët e vjetër pra kanë patur një pasion: dashurinë për liri. Liria ka qënë si me thënë botkuptimi i tyre. Kësaj lirije gjyshrit dhe stërgjyshërit tanë i kanë falur lumturinë në familje. Gabimi i tyre ka qenë se kanë lakmuar ta fitojnë me fuqitë e tyre individuale. Mirëpo ky gablm pikëpamjeje dhe jo karakteri, shkaktoi fatkeqësi të pashoqe në historinë e popujve. Shqiptarët gjithmonë në luftë për lirinë e vet, nuk e patën kurrë rast të zhvillqjnë cilësitë e veta, çfarëdo natyre që kanë qënë ato!

Një luftë të ndershme por të kotë kanë bërë gjyshrit dhe stërgjyshërit tanë për liri- lirinë s’e fituan!

Nji luftë gjoja bëhet sot midis pleqvet dhe të rinjve, midis atyre që kanë ardhur nga orjenti dhe atyre që kanë ardhur nga oksidenti, për të luftuar kaosin – një luftë e paarsyeshme që e shton kaosin, se grupimi i fuqive është i gabuar! Gabim i madh është, them, me i nda shqiptarët në të rinj dhe të yjetër, n’orientalë e oksidentalë. Shqiptarët sikurse të gjithë popujt, ndahen: në të ndershëm dhe në të pandershëm, dua të them në produktiv dhe në parazitë. Dhe tashti dëgjoni bindjen time – kërkujt nuk i lejoj të dyshojë: kam parë Shqiptarë nga ata të brezit të vjetër, që e kanë dashur kët Atdheun e tyre, në kohë shpirterore të ligshta më tepër se shumë shqiptarë të rinj në kohët më të lumtura. Shumë shqiptarë të vjetër që kanë vënë me gëzim të gjtiha në rrezik! Shumë shqiptar të rinj, të cilët as në lartësinë e respektit s’munden të ngrehen.

O, jo! Burrnija, fisnikrija, intuisoni, elemente ndërtuese, s’janë privilegje të një brezi, të një civilizimi- se civilizimi do t’ju them këtyrë kulturavet tona oksidentale.

Prandaj grupimi i fuqivet duhet të bëhet ndryshe!

Kush ka veshë për të dëgjuar le të dëgjojë!

Illyria, Tiranë, nr. 36, 31 dhjetor, 1935, f. 1

 

Share it :