Media, pasqyra e krizës greke

gazetgrekeNga Alexis Papachelas

Po t’i hedhësh një sy gjendjes në të cilën ndodhet industria mediatike, do të kuptosh qartë se cilat janë në të vërtetë problemet ekonomike dhe pasojat e krizës financiare në vend.

Përgjatë këtyre dy dekadave të fundit(përpara se të shpërthente kriza financiare), numëri i mediave të shkruara dhe stacioneve televizive kapi një treg më të gjerë sa ç’pritej. Shtypi i shkruar rritej në mënyrë të ndjeshme dhe askush nuk mund t’i jepte shpjegim faktit se përse në Greqi kishte më shumë media në numër, krahasuar me vendet që kanë popullsi me të madhe se ajo greke.

Gjithsesi, media ka vepruar në një terren të boshllëkut ligjor, edhe pse ajo ka dalë në treg pa qënë mirëfilli e liçencuar, pa mbuluar shpenzimet që diktohen nga sigurimet shoqërore, apo duke mos paguar edhe fatura të tjera të nevojshme të zhvillimit normal të këtij aktiviteti. Vetë politikanët kanë qenë ata që e kanë yshtur këtë mendësi, duke besuar se kjo do të ishte një zgjidhje frytdhënëse.

Nga ana tjetër, bankat i kanë financuar me bollëk mediat kryesore, për shkak edhe të lidhjeve të ngushta që ato kanë me politikanët, pa e menduar dy herë pë mundësitë e tyre financiare për mbijetesë. Ndërkaq, shumë prej nesh kanë vërejtur se pronarët e stacioneve kryesore televizive e kanë përdorur median më shumë si një mjet për të ushtruar ndikim në politikë në dobi të interesave të tyre vetiake, sesa si një aktivitet i pavarur mediatik.

Tashmë situata ka ndryshuar kryekëput. Shteti nuk ka më para pa, bankat janë më tepër të shqetësuara ndaj kthimit të kredive të këqia dhe shpenzimet për reklama në media janë tretur si kripa në ujë. Kësisoj, media greke e gjen veten të zhytur kokekëmbë në borxhe, ku shpenzimet operative janë rritur, e për me tepër , ajo vetë gjendet në qendër të vorbullës së krizës më të madhe ekonomike e financiare në vend.

Mbetet për t’u parë se a do të jetë e aftë vetë media ta përshkojë me sa më pak plagë këtë rrëpirë? Cili do të jetë çmimi që do të paguajnë vetë punonjësit e mediave në këtë kohe krize? Apo, në çfarë përmasash do të shtrihen rregullat dhe ligjet e vendosura nga shteti, me qëllim që edhe ky sektor i vogël por i shëndetshëm për shoqërinë, të dalë paq nga vorbulla e krizës shumëplanëshe?

(Marrë nga “Kathimerini”)

Share it :