Berisha: “Hakmarrja për drejtësi” kërcënime Ramës. Tahiri-prokurorëve për “Sinanaj”: Më shpëtoni tezakun

Kryeministri Sali Berisha, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte miratuar me 68 vota pro, pa pjesemarrjen e opozites ne kete votim, ndryshimet ne projektligjin Per akcizat.

“Mijëra shqiptarë janë sulur drejt sporteleve për të ikur nga Shqipëria, se Edi Rama u vret shpresën përditë”

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në seancën e fundit parlamentare se ky vit u dominua nga krimi dhe korrupsioni. Duke risjellë në diskutimin e tij në foltoren e Kuvendit një sërë prej ngjarjeve të ndodhura që prej shtatorit të 2014-ës, Berisha theksoi se krerët e mazhorancës qeverisëse janë të lidhur me bandat e krimit. Pasi foli për çështjen “Doshi”, atë “Frroku” dhe më pas për laboratorin e drogës në Xibrakë, ish-kryeministri theksoi se kreu i qeverisë është kërcënuar nga “Hakmarrja për Drejtësi”. “Ky vit parlamentar, si asnjë parlament tjetër në botë, u dominua nga krimi dhe nga bota e krimit. Nisi me aferën Meta-Doshi në fillim të shtatorit. Vazhdoi me Vilunin e Mark Frrokut, vazhdoi me Kostandinin e partisë. Në dhjetor policia ndalon Mark Frrokun në Laprakë, Edi Rama urdhëron lirimin e tij pasi kishte në makinë kryetrafikantin Pllana. Në janar vjen kërkesa nga Brukseli për Mark Frrokun, fshihet kërkesa për 3 muaj. E kur doli, Saimir Shullazi arreston si egërsirë dy punonjës të Interpolit, një zonjë dhe një oficer, sepse ata kishin njoftuar. I pruri vetë Belgjika. Ju thatë nuk ka ardhur asgjë, ai djalë që arrestuat në mesnatë tha ka ardhur. Uzina e Xibrakës. Hakmarrja për drejtësi e ka marrë me kërcënimet më të egra Edi Ramën në telefon. Hajde marrim tabulatet. Por trusti i hakmarrjes janë në dispozicion të Ramës. Ka punësuar edhe familjen. Të jap unë datat kur Olsi qarkullon me Gentjan Hodaj, që është kryesori i hakmarrjes”, – u shpreh Berisha.

 

Akuzat

Një tjetër akuzë e ish-kreut të qeverisë në Parlament ndaj qeverisë ishte edhe ajo për bandën e tritolit, e cila, sipas tij, ka marrë 27 shpirtra. “Doli ministri dhe tha ka vrarë 27 vetë. Julian Çelën e lanë 7 muaj pa avokat. Ai e tha shqip gjyqtarin Ikonomi e vrau një deputet dhe vrasësi është arrestuar në Shkodër”, – tha Berisha. Më tej ai u ndal edhe tek raporti i fundit i DASH dhe duke cituar atë tha se qeveria shqiptare nuk zbaton as standardet minimale kundër trafiqeve dhe se ka deputetë të dënuar për trafik prostitucioni. “Lexoni raportin e DASH: Qeveria nuk zbaton as standardet më minimale kundër trafiqeve. Në parlament ka deputetë të dënuar për trafik prostitucioni. Lexoni se si ju dalin emrat. Lexoni se si gjithë Tirana flet për ministrin e brendshëm si byrazer i Emiljano Shullazit. E dini bisedën e Tahirit me prokurorët për Sinanajn “se dua të shpëtoj tezakun”. Lexoni raportin e DASH. E dini bisedën që ka Tahirin me grupin e prokurorëve që po hetojnë Sinanajn”, – deklaroi ai. Më tej Berisha i bëri thirrje ndërkombëtarëve të vijnë të studiojnë shkaqet se pse po emigrojnë shqiptarë. “Kjo është katastrofë, po ikin njerëz me diploma. Mjafton të dëgjojë seancën parlamentar për ligjin e arsimit të lartë as në mbledhjet e plenumit nuk ishte. Shihni se radha më e madhe sot në vend nuk është e bukës, por e pasaportave. Me mijëra janë sulur drejt sporteleve për të ikur nga Shqipëria, se Edi Rama u vret shpresën përditë”, – theksoi ish-kryeministri i vendit. Sa i takon ligjit të turizmit, ai pohoi se nuk mund ta votojë atë pasi u heq kompetencat autoriteteve lokale si dhe nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit. “Turizmi është pasuria më e madhe, pas asaj njerëzore që ka ky komb, që ka ky popull. Këtë ligj nuk mund ta votoj sepse si asnjë vend tjetër të planetit përveç Koresë së Veriut, as si në Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk merret çdo kompetencë e autoriteteve lokale për t’u përqendruar në dorë të së valluat të tij, Kokëdhima. Nuk mund të dhunohet kushtetuta dhe konventa ndërkombëtare”, – u shpreh Berisha.

 

 

 

Share it :