Edhe pse kaluan një seancë të gjatë në Parlament përmes debateve për ligjin e arsimit të lartë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës e përcollën përplasjen mes tyre edhe në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate dhe tension mes socialistëve dhe demokratëve, ku në qendër të diskutimit ishte marrëveshja e huasë me KfW-në në sektorin energjetik. Sipas opozitës, vendi po zhytet në borxhe dhe të gjitha këto do të paguhen nga taksat e shqiptarëve.
“Të paktën shqiptarëve thojani drejt, do t’ju mbysim me borxh neve do ta mbyllim mandatin me lekë të marra borxh pastaj se kush do t’i paguaj më mbrapa nuk ka rëndësi”, – u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Ndërkohë që ish-kryeministri Majko po replikonte me demokratët, duke kritikuar qëndrimin e tyre të herëpashershëm për borxhin, ndërhyri deputeti i PD-së, Eduard Halimi. Ky i fundit, duke iu drejtuar ligjvënësit socialist, tha:
“Si nuk fole një fjalë ti që e morën atë zonjën sa ishte 30-vjeç ajo zonja me fëmijë 5-vjeç e futën në komisariat, po për atë vajzën që ishte 17-vjeçe nga Kukësi që e morën e arrestuan vetëm që po ushqente dy vëllezërit e saj të mitur!”
Këto deklarata nuk i priti aspak mirë nga Majko, i cili replikoi me kolegët demokratë duke pohuar: “Boll tani, të bëhemi seriozë, bëmë një marrëveshje që është nga më seriozet, po ik tani boll-boll se, ju lutem, është marrëveshja me një nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara në Evropë dhe më një shtet që vetëm na ndihmon. Tani boll, tani jo, do merrni borxhe, jo do merrni kështu, jo do merrni ashtu, boll tani, ju lutem”.
Në mbyllje të diskutimeve, deputetët e mazhorancës i miratuan të dyja marrëveshjet e sjella nga qeveria, ndërsa opozita abstenoi. Por ndërsa të gjithë menduan se mbledhja u mbyll me kaq, deputeti demokrat Halimi, në dalje e sipër, i kërkoi kolegut Majko që të mos shprehej më në gjuhën që përdori në diskutimin e tij.
“Kujdes me gjuhën me kolegët… se do të kthehem në të njëjtën gjuhë!”
Ndërsa Majko në replikë e sipër, vetëm e pyeste kolegun e tij demokrat: “Po hë, ç’do më bësh… ç’do më bësh…? Po hajde pra…”
Debatin e plotë mund ta lexoni nesër në gazetën “standard” në print.





