Refuzojeni këtë ligj! Sot kam vendosur të dëgjoj porosinë publike të profesor Artan Fugës, që na sugjeroi të mos bëjmë ekspertin e arsimit, por politikanin. Ne duhet te bëjmë politikanin, sepse në ligj antikushtetutshmëria është ulëritëse. Nëse je i varfër, nuk e bën dot shkollën e lartë. Njësoj si në diktaturë. Nëse kishe biografi të keqe, shkolla ishte vetëm ëndërr. Ky ligj dënon ata që nuk janë të pasur, sepse tarifa vjetore vetëm për regjistrim llogaritet 1 mijë euro.
1) Ky ligj është segregacioni në kohë moderne në një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Ne nuk duhet ta lejojmë! Ne duhet t’u japim të pasurve dhe të varfërve të njëjtën mundësi për arsimim!
2) Këtë ne e kemi detyrim kushtetues dhe për këtë ne kemi bërë betimin. Neni 18 i Kushtetutës thotë se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk mund të diskriminohet për shkak të gjendjes ekonomike.
Prandaj ky ligj vendos segregacionin. Zhduk shanset e barabarta për shkollim, si një e drejtë universale dhe rikthen luftën e klasave. E njëjta mendësi si e etërve diktatorë. Asnjë meritë. Nëse nuk je i pasur, nuk shkollohesh. Ka një rrugëdalje. Të marrësh kredi, të hysh në borxh, t’i ngjash Edi Ramës. Ndryshimi është se 1 miliard dollarët që ky ka marrë borxh për dy vjet, i paguajnë shqiptarët, ndërsa borxhin e panevojshëm që ky ju detyron të merrni për të paguar shtrenjtë shkollën e lartë, do ta paguani vetë, kur të hyni në punë. Por në punë nuk hyhet pse je i shkolluar. Puna fitohet me teserë partie. Dhe atëherë, përveç këstit të kredisë së shkollës, do të paguani edhe kuotizacionin e anëtarësisë së partisë.
Kështu ka vendosur partia së fundmi. Dhe ky është skenari më optimist për të rinjtë e Shqipërisë. 3) Ligji është antikushtetues edhe sepse përmbyset garancia kushtetuese e nenit 57, që garanton autonominë universitare dhe liritë akademike. Është dramatike se si ky kryeministër, i diplomuar si mësues vizatimi, të marrë nën kontroll tempujt e dijes dhe të vendosë për gjithçka në jetën universitare, duke kthyer në farsë bordet dhe senatet. Kryeministri – mësues vizatimi i do të gjitha, edhe kur nuk i duhen, edhe kur nuk i kupton. I do, sepse me ato blen pushtet, duke poshtëruar të diturit dhe duke paguar klientët e pushtetit, të licencuar për shpërndare diplomash universitare, por jo për dije. Ne duhet ta ndalojmë këtë rrezik kombëtar! Ligji është antievropian. Mësuesi i vizatimit, që me 1 milion vota u punësua kryeministër, reciton në median e huaj dhe vendase se ëndrra jonë është Evropa. Është e vetmja herë që nuk gënjen. Por ai ka vetëm fjalë të bukura. Siç thoshte miku i tij i ndjerë Ardian Klosi, “Edi Rama është ai që di më pak nga ne, por ai tregon bukur”. Ligji për arsimin është antievropian.
Një nga ekspertët më të mirë të Bashkimit Evropian për çështjet e arsimit, profesori X, thotë se ky ligj jo vetëm nuk pasqyron një sërë dokumentesh bazë të rëndësishme të Bashkimit Evropian, por ligji nuk i përafrohet në model asnjë vendi evropian. Sipas prof. X, ky ligj bën të kundërtën, sepse kryeministri mësues vizatimi që përbetohet për Evropën, ka rrëzuar parimet dhe standardet themelore evropiane. Dhe i ka rrëzuar jo pa qëllim. Nëpërmjet këtij ligji qeveria vendos të sakrifikojë Dijen, të cilën duhet ta garantojë njësoj për të gjithë, si për të pasurit, edhe për të varfrit. Si për 5-përqindëshin, ashtu edhe për 95-përqindëshin apo 1 milion të papunët e fushatës së Rilindjes! Këta janë harruar, sepse tani gjithçka shitet dhe blihet.
Pothuajse të gjithë janë të gatshëm për pazar! Fatkeqësia është që pazari bëhet me paratë publike të shqiptarëve. Prandaj, ky ligj është klientelist dhe korruptiv! Sepse paratë që shqiptarët paguajnë për buxhetin e shtetit që të arsimojnë fëmijët në shkolla publike me një tarifë të arsyeshme, do të shkojnë për universitetet private. A ka arsye? Asnjë. Thjesht sepse kështu do Edi Rama me Ilir Metën. Do t’u japin miliona euro në vit nga buxheti i shtetit disa pronarëve universitetesh, të licencuar, për shpërndarje diplomash dhe të vetëlicencuar për lajkatim të kryeministrit, në çdo formë që atij i duhet.
Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Refuzojeni këtë ligj! 1 milion të papunët dhe ata që mbeten nuk kanë 1 mijë euro në vit për të paguar tarifën e regjistrimit në universitetet publike. Refuzojeni këtë ligj, sepse 1 milion të papunët dhe ata që mbeten nuk kanë 2 mijë euro në vit për të paguar masterin. Në këtë tarifë nuk përfshihen librat, transporti, ushqimi, fjetja. Refuzojeni këtë ligj, sepse ky është ligji që u thotë të rinjve: “Ikni në eksod! Ky vend nuk bëhet! Sepse ky kryeministër i paditur ka zgjedhur të bëjë tregti milionere diplomash, duke sakrifikuar Dijen dhe bashkë më të edhe të Ardhmen. Është tragjike se si pas 100 vjetësh, Gjergj Fishta është kaq aktual, kur tregon me një mjeshtëri të rrallë episodin e një tregtie të çuditshme. Shënkolli, me urdhër të Zotit, del nëpër botë me një barkë ngarkuar me mend. Kush donte t’i shtonte ato që kishte, mund të blinte edhe do të tjera. Më në fund rruga e qiti shenjtin në Shëngjin.
Në të njëjtën kohë, del në këtë port edhe djalli, që vinte nga Franca me një barkë ngarkuar me shkarpa për t’i shitur. Se ç’ndodh me blerësit shqiptarë, At Gjergj Fishta e shkruan në vargje: “Ran shqiptarët at-her n’kuvend, e me folun rend-e rend/ Shka ndër ne nuk mbahet mend… e pleqnuen se për këtë vend duhen shkarpa e jo mend/ E prandaj kta banë tobën, e ma tepër vunë gjobën/ Për me u la me desh e qe, mend Shënkollit mos me i ble/ Mandje çuen n’Sh’Njin ke djalli: Për m’e pvetë sa i bante malli/ Edhe Djalli-dreq i vjetër, Qe tue dashtë nuk ishte tjetër/ Veç m’e lanë atë mall n’Shqypni/ U la shkarpat veresi”.
Në fakt, si besimtar në Zot, Gjergj Fishta e bën edhe djallin të mëshirshëm për shqiptarët. Por ai nuk mund të parashikonte që pas 100 vjetësh djalli do të bëhej kryeministër dhe kryetar parlamenti i pamëshirshëm, që po dun t’u shesin shkarpat shqiptarëve. Biles po dun me ua shit shtrenjtë!
Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Me shkollë dhe pa shkollë, me shkollën e dijes ose me shkollën e burgut, mos dënoni kaq rëndë të ardhmen e Shqipërisë! Mos e shisni atë për shkarpat e Edi Ramës dhe Ilir Metës!
Të nderuar qytetarë!
Nëse ky ligj kalon, kjo është një nga arsyet pse ky regjim meriton të përmbysët. Mos kini frikë nga kjo fjalë ju qeveritarë! Kini frikë nga heshtja e popullit, sepse nuk e blini dot gjatë!





