Ta trajtosh dështimin si fitore, rrënimin si rilindje

 

Nga Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Në mbledhjen më të fundit të Asamblesë së PS-së, Kryeministri plot krenari renditi se cilët janë ministrat që punojnë më mirë si dhe sektorët që ecin në “drejtimin e duhur”: Sektori energjetik, nën drejtimin e z. Gjiknuri, rendi dhe siguria, nën drejtimin e z. Tahiri dhe së fundi për nga renditja dhe jo nga rëndësia, arsimi nën drejtimin e znj. Nikolla. Të gjitha ministritë së bashku e jo vetëm këto të tria, kanë kaq shumë boshllëqe, saqë vështirë të thuash se kanë punuar normalisht e jo shumë mirë. Tani paguajmë më shumë energji, paçka se na u tha se me çmimin e ri, do të paguanim më pak. Ne vuajmë nga mungesa e rendit e pasiguria. Tahiri nuk ka mundur të na jap përgjigje, as për atentatin në shtëpinë e tij e jo më të sigurojë një rend të qëndrueshëm, për të gjithë. E kulmi është me arsimin. Arsimi është në ditët e tij më të vështira. Të flasësh se në këtë sektor janë bërë ndryshime të rëndësishme dhe se do të kemi një ndryshim cilësor brenda këtij mandati, mund të shpjegohet në disa mënyra: Kryeministri nuk di ç’është arsimi dhe si funksionon; nuk njeh zhvillimet bashkëkohore; ka informacion të gabuar; i pëlqen ta kthejë dështimin në fitore etj. Pak e nga të gjitha, z. Rama i mbart këto elemente, në të gjithë filozofinë e tij të drejtimit të shtetit e në mënyrë të veçantë, në sektorin e arsimit.

Po le të flasim përmes fakteve. A ishte Kryeministri që deklaroi se nuk do të ketë më Maturë Shtetërore, duke e anatemuar si “proces të korruptuar”? Aktualisht Matura Shtetërore vazhdon të jetë instrumenti i vetëm i mbarimit të shkollës së mesme dhe hyrjes në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik dhe privat. Po aq Matura Shtetërore është instrumenti më i besueshëm për pranimin e studentëve tanë, për vazhdimin e studimeve universitare, në disa nga vendet e Bashkimit Evropian. Mjafton të përmendim në këtë rast Austrinë dhe Italinë. Matura Shtetërore, mbetet ende referenca në studimin e arritjeve të maturantëve nga viti në vit. Ajo ka pësuar vetëm një ndryshim që dikur ishte i pa shkruar e tani është i ligjëruar: Përqindja e pyetjeve të zgjidhura drejt për maturantët që të quhen kalues. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar: Prej udhëzimeve rutinë e deri tek formula e llogaritjes së pikëve. Përse z. Rama dhe ministrja e tij e preferuar, të cilët u mburrën se do të gjenin mekanizmin më të mirë për të shmangur të ashtuquajturin korrupsion që vinte prej Maturës Shtetërore, nuk arritën të gjenin një të tillë?

Kjo mund të shpjegohet me pak fjalë: Mungesë vizioni, të paaftë për të njohur përvojat më të mira ndërkombëtare, akuzatorë pa princip, mjafton të përbaltim të tjerët dhe së fundi plagjiatorë të punës së paraardhësve, po e kopjuar në mënyrë të shëmtuar. Me një vizon krejtësisht të ngushtë për mënyrën e drejtimit si ministre, me një staf shumë të pakualifikuar për punën që morën përsipër të bënin, nuk u mbeti gjë tjetër veçse të lëpinin atë që pështynë, duke sharë nëpër dhëmbë veten, që nuk dinin se ç’ishte matura dhe si funksiononte ajo. Po me Altertekstin? U tha dhe ç’nuk u tha. U ndërmorën iniciativa, na u servirën “reforma”, se si do të zhdukej Alterteksti dhe do të futej teksti unik. Edhe këtë radhë qëllimi parimor i reformës ishte “zhdukja e korrupsionit”. Heqjen e Altertekstit e shoqëroi një fushatë mediatike me servilë të zgjedhur e pak zëra kundër si të prof. Markut e ndonjë individi të veçantë.

Pasi i mbushën mendjen vetes në një vit e gjysmë se ishin në “drejtimin e duhur”, ndërmorën edhe ndryshimet në ligj. Grupe interesi, opozita, botues, madje edhe vetë pjesëtarë të pozitës kundërshtuan këto ndryshime, duke i cilësuar, pa kuptim dhe pa asnjë argumentim nga MAS. Sikundër ndodhi edhe në rastin e Maturë, “udhëheqësia largpamëse” e MAS, u zbyth, e iku “reformës” pa jetësuar dot as formalisht. U përsërit e njëjta sindromë. Paaftësi totale, për të mbrojtur atë që thoshin me gojë sot dhe e ndryshonin nesër me ligj. Por gjithsesi e quajtën fitore të madhe se kufizuan alternativat në tre nga disa, që sesa ishin asnjëherë nuk e mor dot vesh. Për t’i vënë vulën këtyre ndryshimeve, dolën çdo muaj nga një udhëzim që ndryshonte udhëzimin e parë, pastaj një udhëzim tjetër që shfuqizonte dy të parat e kështu me radhë. Ende sot nuk dihet se kush është fati i kësaj “reforme”. Tekstet shkollore nga shumë zëra, tanimë janë të zgjedhura, konkurrimi është veçse formal. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur vetëm në vendin tonë dhe vetëm nga ministria jonë e arsimit, lihet një afat më pak se dy muaj për të hartuar, pilotuar, vlerësuar paraprakisht dhe përfundimisht një tekst shkollor.

Kjo periudhë kohore është vërtet rekord, por në kahun negative, në të gjithë arsimin evropian e më gjerë. U fol, dëgjuam betime e superbetime, se drejtuesit e arsimit do të zgjidheshin me konkurrim, në bazë të vlerave të tyre. Konkurset u zhvilluan në realitet. Mes përkrahësve, reklamuesve, drejtuesve të fushatës dhe të afërmve e miqve të PS-së dhe aleatëve të saj u zgjodhën 13 drejtuesit e Drejtorive Arsimore Rajonale. Më pas diku u zgjodhën e diku u emëruan drejtuesit, e Zyrave Arsimore. Po më pas? Konkurset u harruan. Drejtuesit e shkollave u emëruan prej të “zgjedhurve me konkurs”, mbështetur mbi kontributin e tyre partiak. Mësuesit e emëruan në bazë të qokës 3-5 mijë euro, të cilat regjistroheshin në lisat, që herë mbaheshin në laptopin personal e diku në bllok si në rastin e znj. Tabaku.

Nuk u desh një kohë e gjatë, që zullumi të trashej kaq shumë sa të këputej. Drejtuesit në Tiranë, Kukës e gjetiu, u larguan. Në Shkodër drejtoresha jep dorëheqjen për t’i shpëtuar presionit politik. Në Lushnjë u krye një arrestim i bujshëm, që u shoqërua me shumë diskutime në publik. MAS, nuk pati asnjë reagim, as më të voglin. Përkundrazi. Ministrja e quajti këtë një meritë të mazhorancës që vetë i emëron e vetë i arreston. Askush nuk e pyeti asnjëherë ministren Nikolla, se a duhet të mbante përgjegjësi dikush, nisur nga ajo vetë, për emërimin e një personi në krye të arsimit, pas asnjë ditë përvojë pune në arsim? A duhet dikush të na japi një përgjigje, se përse, një njeri i pashkolluar u vu në krye të drejtimit të arsimit? Mungoj edhe në këtë rast përgjegjësia morale dhe institucionale.

Një nga mburrjet e Ramës dhe Nikollës, ishte se arsimtarët do të meroheshin përmes konkurrimit, në përputhje me vlerat dhe profesionalizmin. Në shkelje të hapur të ligjit, konkursi u zëvendësua me portalin “Mësues për Partinë” dhe përsëri askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi. A ishte Rama dhe Nikolla, që na u betuan se arsimi nuk do të përdorej më për politikë? Prej oborreve, karrigeve, tavolinave, drejtuesve, mësuesve e deri tek nxënësit e shkollave, jo vetëm që u përdorën por u shfrytëzuan deri në palcë në emër të politikës së PS-së. Askush nuk mbajti përgjegjësi edhe për këtë. Mësuesit kanë dy vjet që nuk marrin rrogë dhe shpërblimin e ligjshëm në fund të vitit. Dhe Rama për këtë nuk flet, Nikolla aq më pak. Mësuesja-ministre, e ka barkun plot, e nuk ja ndjen fare për ish-kolegët e saj. Shkollat e reja, mungojnë, rikonstruksionet po ashtu, bibliotekat, tenderi i mjeteve didaktike vidhet, e prapë akujt nuk i bën përshtypje të madhe. Shumica e pedagogëve kundërshtojnë ligjin e arsimit të lartë, e përsëri edhe kjo nuk ka shumë rëndësi. A po se harrova. Kur Rama thotë se do të kemi rezultate spektakolare në arsim, në 2017, e ka fjalën për shkollat e marra në patronazh nga ministrat ose ndoshta për masivizimin e shahut në arsimin bazë.

E vërteta është se Kryeministri Rama, do të mbahet mend për mungesën totale të vizionit ndaj arsimit, për zgjedhjen më të keqe të mundshme, të bërë në krye të institucionit më të rëndësishëm të arsimit në vend. Ministrja vetë, do të mbahet mend, për stafin më të dobët, më hakmarrës, më arrogant dhe pse jo më të përfolurin në kaq pak kohë qeverisje për korrupsion. Nëse Rama pret të shikojë sesa të pasur do të bëhen krerët e MAS, sa para do të fitojnë shoqatat e tyre dhe klientët që i mbështesin, se sa zyra do të ristrukturohen për pashallarët e MAS, padyshim që do të arrijë atë që askush nuk e ka arritur në një mandat. Nëse pret të ketë ndryshime rrënjësore dhe bashkëkohore në arsim Kryeministri, me rrugën që i ka dhënë vetë këtij sektori dhe ne popullit të thjeshtë, do të na duhet të presim së paku dy dekada.

Share it :