Edmond Mehmeti pronar i një lavazhi ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij kur në orën 02:00 të mëngjesit të djeshëm në afërsi të kanalit të Çukës pranë një hoteli në rrugën Sarandë-Ksamil është qëlluar për vdekje
Një 32-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së premtes në Sarandë, rreth orës 01:00. Edmond Mehmeti pronar i një lavazhi ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij kur në afërsi të kanalit të Çukës pranë një hoteli në rrugën Sarandë-Ksamil ka rënë pre e breshërive të plumbave. Një nga plumbat ka prekur në zemër Mehmetin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa ekzekutorët janë larguar në drejtim të paditur. Larje hesapesh ose një konflikt i çastit janë pistat ku është përqendruar policia e Sarandës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Dyshohet se Edmond Mehmeti mund të jetë konfliktuar me disa pushues kosovarë gjatë ditës së djeshme dhe në mesnatë ai ka rënë pre e pritës së armatosur. Policia e Sarandës shoqëroi 20 persona, mes tyre të afërm të viktimës dhe dëshmitarë të ngjarjes.
Vrasja e Mehmetit
Një 32-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në orën 02:00 të mëngjesit të djeshëm. Ai ishte duke lëvizur në rrugën Turizëm-Kanali i Çukës, kur dikush i ka zënë pritë përballë mjetit dhe ka hapur zjarr me automatik në drejtim të tij. Viktima Edmond Mehmeti ishte një pronar lavazhi në qytetin e Sarandës, por sipas policisë vrasja e tij mund të ketë lidhje me ngjarje të vjetra midis tij dhe personave të tjerë. Ndërkohë policia ka bërë shoqërimin e rreth 20 personave që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes, konfirmohet se 32vjeçari është qëlluar nga jashtë automjetit me një plumb të vetëm në zemër. Në lidhje më këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Vlorë Kundër Krimeve te Rënda në bashkëpunim me prokurorë të Sarandës.
Hetimet për krimin
32vjeçari Edmond Mehmeti është ekzekutuar në orët e vona të së premtes në rrugën Turizëm Kanali i Çukës në qytetin e Sarandës 32vjeçari i cili punonte si marangoz në qytetin e Sarandës, është qëlluar për vdekje me armë zjarri jashtë automjetit të tij tip ‘Peugeot’ ngjyrë blu. Vrasja fillimisht u dyshua për larje hesapesh, pas një konflikti banal të nisur një ditë më parë në një lokal. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktima është qëlluar me një plumb në zemër, dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia e Sarandës po punon për identifikimin e autorëve të ngjarjes, ndërsa ka ngritur postblloqe në aksin rrugor Sarandë Ksamil. Dyshimet janë se autorët mund të jenë nga Kosova. Policia e Sarandës vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, teksa janë ngritur disa postblloqe në kuadër të këtij aksioni për kapjen e vrasësve.
“Fuste hundët në punët e familjes”, mbesa plagos hallën me thikë
Një vajzë 29 vjeçare në Tiranë, ka plagosur me thikë hallën e saj, duke e bërë fajtore se fuste hundët në punët e familjes dhe se prej saj shpesh lindnin probleme familjare. Ajo i kishte thënë disa herë hallës që të mos vinte aq shpesh në shtëpinë e tyre, pasi sillte probleme me çdo vajtje të saj, por gruaja nuk hiqte dorë nga vizitat e vazhdueshme, deri sa u sulmua nga vajza e vëllait. E plagosura është 53-vjeçarja M.H., e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga policia thanë, se e reja Pavlina Pishaj i kishte thënë disa herë motrës së të atit që të mos vinte shpesh në shtëpinë e tyre, pasi i bezdiste dhe krijonte konfikte në familje me fjalët e saj. Hallë e mbesë ishin zënë disa herë mes tyre, por ditën e djeshme situata ishte acaruar duke bërë që 29-vjeçarja të rrëmbente një thikë në kuzhinë dhe të qëllojë hallën e saj. Gruaja u dërgua për ndihmë në spital, ku aty u zbulua gjithë sa kishte ndodhur dhe u lajmërua policia, duke çuar në arrestimin e së resë nga efektivët e komisariatit nr.6. Pavlina Pishaj ndodhet në polici, ku po merret në pyetje për të dhënë më shumë detaje nga ngjarja me pasojë plagosjen e hallës së saj 53 vjeçare.
Shpërthen kaldaja në Berat, plagosen dy punonjës
Dy persona kanë mbetur të lënduar pasditen e së premtes në fshatin Morave të Beratit, pasi një kaldajë ka shpërthyer teksa ata ndodheshin në ambientet e punës. Sipas një njoftimi për shtyp të policisë lokale, personat e plagosur janë shtetasit me inicialet P.V 64 dhe M.K, 51 vjeç, i cili për shkak të plagëve të rënda është dërguar për mjekim në spitalin e Tiranës. Ndërkohë, uniformat blu të qytetit kanë vënë në pranga përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe kontrollin teknik të punishtes ku ka ndodhur ngjarja, shtetasin Emiljano Ahmebegaj. Arrestimi i 32-vjeçarit ka ardhur pasi ai ka konsumuar elementë të veprës penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”. Punishtja e menaxhuar nga shtetasi Ahmetbegaj merret me përpunimin e bimëve medicinale, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë të Beratit.
Ekstradohet nga Greqia i dënuari me 10 vite burg për prostitucion
Ekstradohet nga Greqia drejt Shqipërisë 40-vjeçari Jorgo Sopaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Apelit e ka dënuar Sopaj me 10 vite burg për “Shfrytëzim prostitucioni”. Tashmë Interpol Tirana së bashku me atë të Athinës bënë të mundur arrestimin e tij. Sopaj ishte njohur me një grua me inicialet F. S. në vitin 1997 në Patos e më pas rezulton të jenë nisur drejt Vlorës me qëllimin për ta trafikuar si prostitute ne Itali. Ndërkohë një 30 vjeçar është arrestuar në qytetin e Fierit. Gentjan Ndreko ka marrë masën e sigurisë “Arrest me Burg” nga gjykata për vjedhje me armë në dy raste, vrasje me dashje në tentativë dhe Armëmbajtje pa leje. Gjithashtu gjatë arrestimit nga policia atij ju gjetën pistoletë “TT” me 14 fishekë.
Pas vrasjes së turistëve çekë, anulohen dhjetëra prenotime në Shkodër
Vrasja e dy turistëve çek ka ndikuar negativisht në turizëm. Shume qytetarë çekë kanë anuluar prenotimet. Pohimi vjen nga Sokol Hoxha Kryetari i Agjencive Turistike Shqiptare dhe Tur-Operatorëve Turist në Shkodër. Hoxha thotë se nga 3 korriku kur edhe ndodhi ngjarja e rëndë, turistët nga Çekia jo vetëm që anuluan vizitat e tyre në vendin tonë, por që prej një jave askush nuk interesohet të bëjë rezervime. Charterat nga Çekia nga kjo e hënë zbarkuan me gjysmë kapaciteti edhe pse ato ishin parapaguar dhe hotelet ishin rezervuar. Në këtë situatë të gjithë dalin të humbur. Hoxha kërkon ndërhyrjen e shtetit për të garantuar turistët. Shqipëria ofron mundësi të mira për ketë tip turisti, qoftë ekonomike në resurse gjeografike. Por ngjarja e rëndë i ka stepur çekët dhe situata afron paqartësi për të ardhmen e turizmit në vendin tonë.




