Elton Qyno
Mirela Mishgjoni u sulmua nga një person poshtë pallatit, teksa po shkonte në punë
Gjyqtarja pëson dëmtime në sy, gojë dhe hundë. Mishgjoni: Më bëri pritë, lava fytyrën me ujë
Dy vjet pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, sërish krimi ka sulmuar kolegët e tij, ku këtë herë nuk është përdorur tritoli, por acidi në fytyrë. E dëmtuar në këtë sulm ka mbetur gjyqtarja e kësaj gjykate, Mirela Mishgjoni, të cilës një person ende i paidentifikuar nga ana e policisë, i ka hedhur në fytyrë acid sanitar, që shërben për larjen e pllakave dhe banjave. Si pasojë e këtij veprimi kriminal, lënda djegëse i ka hyrë në gojë gjyqtares, ndërkohë që një pjesë e saj i ka hyrë në syrin e majtë dhe më pas i ka rrjedhur në pjesën e majtë të fytyrës. Gjatë derdhjes së acidit nga autori i krimit, gjyqtarja ka reaguar me trup, duke tentuar të mbrohet, duke shfaqur rezistencë ndaj personit që e sulmoi. Mirëpo teksa gjyqtarja ka dashur të mbrohet, autori ia ka përplasur në fytyrë bidonin e mbushur me acid dhe më pas është larguar me vrap në drejtim të paditur, duke mos u arrestuar deri në orët e mbrëmjes së djeshme. Kanë qenë disa komshinj të gjyqtares Mishgjoni ata që kanë bërë transportimin për në spital të saj, ndërkohë që sulmi i agresorit ka ndodhur shumë shpejt dhe për pasojë, ngjarja nuk është parë nga banorët e pallatit.
Ngjarja në mëngjes
Teksa ka zbritur shkallët e pallatit dhe është nisur në drejtim të vendit ku kishte parkuar makinën, gjyqtarja është sulmuar befasisht nga një person i gjatë, i cili në dorë mbante në dorë një bidon 1.5 litër, me mbishkrimin “Coca Cola”. Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur gjyqtarja Mirela Mishgjoni po shkonte në punë. Mirëpo befasisht është sulmuar nga një person rreth 25 vjeç, i cili pa i folur fare e ka sulmuar gjyqtaren teksa ajo kalonte në tunelin e pallatit dhe i ka hedhur acid në fytyrë gjyqtares së Vlorës. Si rezultat i kësaj, gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka filluar të bërtasë, por për shkak se personi i paidentifikuar ka vijuar t’i zbrazë bidonin me acid në fytyrë, lëngu i ka hyrë në gojë gjyqtares. Veç kësaj acidi ka depërtuar në syrin e majtë, dy vrimat e hundës si dhe në pjesën e majtë të fytyrës. Ndërkohë, një sasi shumë e vogël është derdhur edhe në gjoksin e saj, por fatmirësisht për shkak të palltos, acidi s’ka mundur të depërtojë me shpejtësi në lëkurë. Pas kësaj skene, gjyqtarja ka reaguar duke shfaqur rezistencë, por më pas autori ia ka përplasur bidonin me acid në fytyrë dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Disa banorë të pallatit, të cilët e panë në atë gjendje gjyqtaren, i dhanë ndihmën e shpejtë asaj, duke ia larë fytyrën dhe gojën me ujë dhe duke e transportuar në spitalin e Vlorës për mjekim, ndërkohë që rreth sulmit të rëndë është njoftuar dhe policia e Vlorës,e cila ka filluar menjëherë hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit të sulmit. Sipas mjekëve, gjyqtarja nuk ka rrezik për jetën, ndërkohë që acidi i ka dëmtuar rrugët e frymëmarrjes, gojën dhe syrin e majtë, nga i cili nuk shikon fare. Pritet që në ditët në vijim, gjendja e saj të përmirësohet pas trajtimit mjekësor.
Dëshmia e gjyqtares
Menjëherë pas qetësimit të gjendjes psikologjike të gjyqtares Mirela Mishgjoni, në ambientet e spitalit kanë shkuar efektivat e policisë së Vlorës, të cilët kanë marrë në pyetje Mishgjonin. Kjo e fundit e ka lidhur sulmin si një veprim kriminal për shkak të detyrës së saj dhe aspak për ndonjë konflikt privat. Gjyqtarja ka treguar se është sulmuar befasisht nga një person që nuk e njihte dhe se ai nuk i ka folur fare, vetëm i ka hedhur acidin dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Ajo është shprehur se një shitës dyqani i ka dhënë një bidon ujë, me të cilin ka shpëlarë fytyrën dhe gojën. Sipas saj, autori i kishte zënë pritë poshtë pallatit. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia e Vlorës ka shoqëruar disa persona, por asnjëri prej tyre s’ka pranuar autorësinë e krimit. Gjatë ditës së djeshme, gjyqtarja Mishgjoni është vizituar nga shumë kolegë të saj si dhe zv.ministri i Drejtësisë. Pritet që brenda tri ditësh ajo të dalë nga spitali.
Dy vendimet
Shkarkimet dhe rifillimet në gjyqësor të gjyqtares Mishgjoni
Dy herë është shkarkuar dhe të dyja herët ka rifituar të drejtën për të ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Shkallës së Parë. Më 15 mars 2002, gjyqtarja Mirela Mishgjoni u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për “Thyerje të rënda të disiplinës”, por për t’u rikthyer sërish në vitin 2004 në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë e ka rikthyer në detyrë, duke e gjetur vendimin e KLD-së si të papajtueshëm më Kushtetutën. Ky vendim i Kushtetueses u mor në shqyrtim për dy seanca me radhë në mbledhjen e datave 7-8 shtator të vitit 2008 në KLD, në kohën kur ky Këshill drejtohej nga ish-presidenti Topi. Në atë kohë, gjyqtarja Mishgjoni procedohej për “Abuzim me detyrën” dhe më 24 tetor, me vendim nr. 235, KLD e shkarkon nga detyra. Në vendimin e KLD-së që mban datën 24 tetor 2008 thuhet shprehimisht në një pika pikat e rendit të ditës se “Këshilli vazhdoi shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni dhe në përfundim, vendosi që ndaj kësaj gjyqtareje, të jepet masa disiplinore “Shkarkim nga detyra””. Por, edhe ky vendim u rrëzua, dhe gjyqtarja u rikthye sërish në funksionin e gjyqtares. Më 27 prill të vitit 2011, gjyqtarja Mishgjoni u rikthye në detyrë nga Gjykata e Strasburgut.
Reagimi i KLD-së
Dënojmë aktin, kemi marrë garanci për zbardhjen e ngjarjes
Këshilli i Lartë të Drejtësisë reagoi menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në Vlorë, ku gjyqtares Mirela Mishgjoni iu hodh acid në fytyrë nga një person ende i paidentifikuar. Përmes një reagimi zyrtar për shtyp, thuhet se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas informimit në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme, datë 16.1.2013, ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni, shpreh mbështetjen dhe solidaritetin ndaj saj dhe familjarëve të saj, duke dënuar me forcë këtë akt”. Më tej në deklaratën zyrtare thuhet se zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, ka komunikuar me autoritetet kompetente të Rrethit të Vlorës dhe ka marrë garanci të plota prej tyre, për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë. “Edhe një herë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh mbështetjen për trupën gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, por dhe për trupën gjyqësore në tërësi, duke shprehur gatishmërinë për të rritur e garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve”, – përfundon reagimi i KLD-së.
Reagimi, Gjykata e Lartë
Sulmi ndaj gjyqtares, atentat ndaj gjyqësorit
Reagim i menjëhershëm ka ardhur pas ngjarjes në Vlorë edhe nga ana e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë. Pas këtij akti të rëndë dhune, të përsëritur tashmë ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit, Gjykata e Lartë deklaron se sulmi ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni përbën një atentat të rëndë kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të tij. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare e cila është e interesuar mbi të gjitha për të drejtën dhe sigurinë e jetës së çdo individi dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, – thuhet në reagim. Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Lartë kërkon për të disatën herë zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të gjyqtarëve. “Cenimi i jetës së një gjyqtari përbën kërcënim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë”, – theksohet në deklaratë.





