Pozita “e madhe” dhe opozita e vogël

Nga Ramiz LUSHAJ

Nga Ramiz LUSHAJSot për sot, veçmas pas 21 qershorit 2015, mazhoranca qeverisëse në Shqipërinë Londineze ka një “pushtet të tepruar”, pasi zotëron me të (pa)drejtë mbi dy të tretat e pushtetit qendror e të pushtetit vendor. Ndaj, pozitës të majtë i duhet patjetër një opozitë e fortë e djathtë që ta ruajnë paqen në territorin e shtetit shqiptar dhe ta shmangin luftën në oborrin e vet partiak e koalicionor.

Realisht, po ndodh krejt ndryshe: “Pozita e madhe” po e sheh si “opozitë të vogël”(!) PD-në e Sali Berishës, Azem Hajdarit e të Lulzim Bashës – e, kësisoj, po e humb gradualisht Paqen (edhe për ne) dhe po e fiton keqësisht Luftën (për vete – brenda llojit politik).

Për mazhorancën e sotme e lidershipin e saj të majtë dhe një apo dy javë në politikë e drejtim do të thotë shumë, pasi i duhet të ndjekin çdo orë e çdo ditë zhvillimet e vendit e të kombit me të (pa)priturat e veta, të arrijnë objektivat programore qeverisëse mandatore katërvjeçare, të presin frytet e veta të drejtimit të pushtetit etj. Ndërsa për lidershipin e ri të opozitës të sotme të djathtë dy vjet janë pak, pasi duhet tek e pakta dhe e shumta një mandat elektoral (2013-2017) që të provojnë e dëshmojnë forcat e veta e të partisë së tij për riardhjen në pushtet, për të qenë një pozitë dinjitare, elitare, plot progres, krejt lartësim.

Pushteti i tepruar i qeverisjes po kthehet në vazhdimësi e me shpeshti në tërbime politike ndaj opozitës: Tue ia ngushtue hapësirat vendimmarrëse në Kuvendin e Shqipërisë. Tue iu diktue hartën territoriale-administrative në zgjedhjet lokale 2015… Heshtat (jo)politike në duart e marcialëve politik të mazhorancës janë drejtue kah lideri aktual i opozitës së djathtë, tek Lulzim Basha – politikan shqiptar i formatit euroatlantik, frymë e imazh i ri shqiptar përtej partisë së tij e Shqipërisë së sotme.

Çdo përpjekje e pozitës për me e tkurrë opozitën e djathtë, me e kthye atë në oponencë, në një OJQ, etj. është me rrezik kombëtar, pasi vet opozita tradicionale e mban brenda vetes “bërthamën atomike” politike, elektorale etj. E, përndryshe: në kahje të kundërt, domosdo i (keq)vjen kundërveprimi politik: Pozita bymehet. Pozita shkërmoqet. Pozita pëson rënie të lirë politike, elektorale etj.

Pozita e sotme e majtë me pushtet të tepruar, me pushtet të dyfishtë, duke sulmue me modele e praktika bizantine, otomane, “kalë troje”, etj. kreun e PD e të opozitës së djathtë, që ka veçse dy vjet në krye të drejtimit të opozitës, nuk tregon forcën e saj, përkundrazi: dobësinë e saj. I kallëzon popullit të vet e botës euroatlantike se është dehur nga pushteti i tepërt. Përndryshe: e ka kap tërbimi i pushtetit të tepërt. Apo kjo: nuk di çka me ba me pushtetin e tepërt. Këto janë të rrezikshme. Ky është vet rreziku që na kanoset të gjithëve.

Tashti, pozitës të 2015-ës, i duhet kujtue se ç’ka ngjau me pushtetin e tepruar të pozitës të vitit 1996, e cila solli rebelimin e ’97-ës, rënien e lirë në opozitë e rikthimin e vështirë në pushtet etj. Histori të tilla nuk duhet të përsëritën – siç është zakon ndër kohna shqiptare. Aq ma tepër në shekullin e ri – XXI, në Shqipërinë anëtare në NATO, kandidate për në BE etj.

Share it :