Sonja Caka
Procesi, shfaqet videoja e ekspertizës së viktimës Veizi, shfaqen ashklat e drunjta në këmishë
Mbyllet procesi për ngjarjet e dhunshme të organizuara nga opozita më 21 janar të vitit 2011, ndërkohë që më 30 janar pritet të jepet pretenca nga dy prokurorët e çështjes, Adriatik Cani dhe Blerim Tominaj. Paraqitja e videos së ekspertizës së njërit prej viktimave të 21 Janarit, Ziver Veizit, u dha fund provave për t’u paraqitur në procesin gjyqësor në ngarkim të tre të pandehurve të vetëm të akuzuar për këtë ngjarje. Në video dukeshin qartësisht ashklat e drunjta në këmishën e viktimës, duke konfirmuar pretendimin e dy prej ekspertëve të thirrur dhe betuar para gjykatës, se predha i ka marrë me vete gjatë kohës së ka prekur një nga pemët e kryeministrisë. Në këtë mënyrë, konfirmohet edhe pretendimi i të pandehurit Agim Llupo dhe avokatit të tij se vrasja ka ndodhur nga një plumb rikoshet. Në përfundim të shqyrtimit të provave, avokatët kanë kërkuar caktimin e një date të afërt për dhënien e konkluzioneve përfundimtare nga ana e prokurorëve. Gjykata, e konsultuar edhe me prokurorët ka vendosur që të caktojë si seancë të radhës për dhënien e pretencës 30 janarin, duke u lënë dy javë kohë afat atyre për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Ekspertizat
Kontradiktore në përfundime, por dy me një në rezultate, tri ekspertizat e dorëzuara në gjykatë nga tre ekspertë të betuar para gjykatës. Gazi Jahelezi dhe Ndoc Çardaku kanë dalë në konkluzionin se vrasja e Ziver Veizit ishte me plumb rikoshet, ndërsa eksperti i prokurorëve doli në përfundimin se vrasja ishte me plumb të drejtpërdrejtë. Por, të tre ekspertët pranuan para gjykatës faktin se në trupin e pajetë të viktimës Veizi u gjetën ashkla të drunjta, të cilat prej dy ekspertëve pretendohet se kanë ardhur bashkë me predhën e dalë nga arma e të pandehurit Agim Llupo, pasi plumbi më parë preku njërën nga pemët e kryeministrisë. Ekspertët kanë shpjeguar me hollësi procesin dhe kanë dalë në përfundim se vrasja ka ndodhur nga plumb rikoshet. Praninë e ashklave të drunjta në këmishën e viktimës e pranon edhe eksperti Dritan Zoto, por që ky i fundit nuk e pranon faktin se kanë udhëtuar bashkë me predhën.
Videoja
Pas kërkesës së palëve, dje në seancë u shfaqën pamje të videos së ekspertizës së këmishës së viktimës Ziver Veizi. Përpara gjykatës u shfaq edhe prova e fundit, një CD në të cilën ishin pamjet e këqyrjes së teshave të Ziver Veizit në Laboratorin e Kriminalistikës. Aty shfaqeshin këqyrja me mikroskop e teshave dhe gjetja e copëzave të drunjta, të gjitha veprime të kryera nga eksperti Ndoc Çardaku, që nga nxjerrja e teshave dhe deri tek gjetja e dy ashklave të drurit në këmishën e viktimës. Kjo ishte prova që përmbylli shqyrtimin gjyqësor. Gjykata caktoi datën 30 janar që prokurorët të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare. Do të jetë radha e mbrojtjes për pretendimet e fundit dhe më pas vendimi i gjykatës. Të pandehur në këtë proces janë ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, gardisti Agim Llupo dhe Margarit Kume.
Kërkesa
Vrasja e Fatbardha Tafës, avokati i Hoxhës kërkon përjashtimin e gjyqtarit
Pas shtyrjes së një seancë më parë, edhe gjyqi i djeshëm i destinuar për t’u shtyrë pas kërkesës së paraqitur në fillim të seancës nga avokati i të pandehurit Aldo Hoxha, i akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës, ngjarje e ndodhur në 7 gusht të vitit të kaluar te ish-fusha e Aviacionit. Avokati i të pandehurit Aldo Hoxha ka kërkuar dje në sallën e gjyqit përjashtimin e trupit gjykues. Sipas Arben Qeleshit, kjo trupë ka shkelur të drejtën e klientit të tij, me pretendimin se nuk janë njoftuar në afatet ligjore se do të zhvillohej seanca e parë në dhjetorin e vitit që shkoi. Procesi gjyqësor u shty nga gjyqtari kryesues Albert Meçe, ndërkohë që do të jetë një tjetër trupë gjyqësore që do të vendosë mbi këtë kërkesë të avokatit Qeleshi. Por, para se të shtynte seancën, gjyqtari Meçe i komunikoi avokatit se vendimi ka qenë kolegjial dhe jo individual. Ndërkohë që, në përfundim të seancës, jashtë sallës së gjyqit, familjarët e Aldo Hoxhës vazhdojnë t’i qëndrojnë pretendimeve të shpeshta të tyre se ai nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet. Nexhmi Hoxha, babi i të pandehurit, shprehet se për këtë histori po kërkohet një kokë turku. Ndërkaq, 20-vjeçari Hoxha akuzohet për “Vjedhje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Fier
Vjedhja me pistoletë lodër, “Nikita” fierake lihet në burg
E njohur me pseudonimin e vënë nga policia “Nikita”, 27-vjeçarja Enkeleda Merkaj është njohur dje me akuzuat në gjykatë, ndërsa i është caktuar masa e arrestit “Burg pa afat”. Nën mbrojtjen e avokatit Erjon Hamataj, 27-vjeçarja nuk e ka pranuar akuzën duke pohuar versionin e prindërve që kjo situatë është krijuar për t’i bërë shantazh familjes së saj. Ndërkohë prokuroria, e përfaqësuar nga Manjola Kajana duke u bazuar në provat materiale dhe në një dëshmi ka kërkuar “Arrest me burg” për 27-vjeçaren. Pasi ka dëgjuar të dy palët dhe pretendimin e të akuzuarës, gjykata e Fierit caktoi masën “Arrest me burg” për Merkajn. Ndërkohë, pas përfundimit të masës së sigurisë, jashtë sallës së gjyqit kanë reaguar familjarët e saj, të cilët i qëndrojnë të njëjtit version, atij të shantazhit. Familjarët pretendojnë se ky është një kurth që i është ngritur vajzës së tyre 27-vjeçare për t’u zhvatur pasurinë, pasi familja e tyre është në gjendje shumë të mirë ekonomike. Enkeleda Merkaj, e divorcuar prej dy vjetësh ka një vajzë, 4-vjeçare, lodrat e së cilës duket se janë bërë shkak për një histori filmi, atë të vjedhjes me armë jo të vërtetë dhe me maskë. Të premten e kaluar, policia e Fierit gjatë operacionit të koduar “Nikita” arrestoi 27-vjeçaren Enkelejda Merkaj e cila akuzohet se u merrte para dhe sende me vlerë kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve nën kërcënimin e një pistoletë lodër.
Vendimi
U kap me 2 kg kanabis, 5 vjet burg për Vasil Mihalin
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 4 vjet e 8 muaj burg të pandehurin Vasil Mihali, i cili akuzohet për tentativë trafikimi të 2 kg lëndë narkotike. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Vasil Mihali, 42 vjeç, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” mbetur në tentativë parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 22 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 vjet burgim. Por, që në momentet e para të procesit, i pandehuri ka pranuar aktet në gjendjen që janë dhe ka kërkuar që ndaj tij të aplikohet gjykimi i shkurtuar, prej të cilit iu ul një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burg. Sipas akuzës, 42-vjeçari nga Korça u kap duke tentuar të kalojë drejt Greqisë 2 kg kanabis nga pika kufitare Tri Urat në Përmet.




