Krimi në Dukagjin/ Me antiplumb në sallën e gjyqit, Sokol Mjacaj pranon krimin dhe mbetet në qeli

 

sokol mjacaj gjyq gjykateGjatë seancës së masës së sigurisë të zhvilluar ditën e djeshme, Sokol Mjacaj është paraqitur i qetë dhe nuk ka folur asnjë fjalë gjatë kohës që Prokuroria i ka komunikuar akuzën e vrasjes

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për autorin e vrasjes së dy turistëve çekë. 20-vjeçari Sokol Mjacaj, i akuzuar për vrasje me dhunë, është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në gjykatë në masa të rrepta sigurie dhe i veshur me antiplumb. Trupës gjykuese nuk i është dashur shumë që të merrte vendimin për Mjacën, por dha të njëjtën masë sigurie që më herët kishte kërkuar prokuroria. Mikael Svatos 27 vjeçar dhe Ana Kosinova, 36-vjeçare u vranë mbrëmjen e së premtes së kaluar në afërsi të fshatit Prekal, ndërsa po ktheheshin nga një kamping në Dukagjin. Dy ditë pas ngjarjes 20-vjeçari Sokol Mjacaj u vu në pranga nga policia në fshatin Grude e Re. Gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, ai pranoi krimin ndaj dy të rinjve çeke.

 

Masa e sigurisë

Nën masa të rrepta sigurie dhe i veshur me antiplumb është zhvilluar seanca e masës së sigurisë për Sokol Mjacajn, vrasësin e dy turistëve çekë. Gjykatës së Shkodrës nuk i është dashur shumë kohë për të marrë vendimin për 20 vjeçarin, të cilin e la në burg. Deri në përfundim të hetimeve Mjacaj do të qëndrojë në burg. Gjatë seancës së masës së sigurisë të zhvilluar ditën e djeshme i riu është paraqitur i qetë dhe nuk ka folur asnjë fjalë gjatë kohës që Prokuroria i ka komunikuar akuzën e vrasjes. Pas leximit të akuzës nga ana e Prokurorit, Sokol Mjacaj ka pranuar dhe njëherë akuzën e vrasjes së Michel Svatos dhe Anna Kosinovës. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Prokurorja e çështjes Shqiponja Milla ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit Sokol Mjacaj, atë të arrestit me burg për kryerjen e veprave penale të Vjedhjes me pasoje vdekjen dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Nga ana tjetër mbrojtja, një avokat i caktuar nga shtetit dhe i dyshuari kërkuan vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe lënien ne dorë të gjykatës caktimin e masës së sigurimit. Në fund gjykata vlerësoi të ligjshëm ndalimin dhe caktoi si masë sigurimit ndaj Sokol Mjacajt atë të arrestit me burg. Gjatë gjithë seancës gjyqësore Mjacaj nuk ka pranuar të flasë përveç se kur ka pohuar akuzat ndaj tij kur i janë thënë nga prokuroria. Pas caktimit të masës së sigurisë Mjacaj është përcjellë për në burgun e Shën Kollit nën masa të forta sigurie.

 

Krimi i Mjacajt

20-vjeçari Sokol Mjacaj ende nuk ka dhënë asnjë detaj për bashkëpunëtorët dhe vijon të këmbëngule se ka vepruar i vetëm në ekzekutimin e turistëve çek dhe arratinë e tij. I riu akuzohet se më 3 korrik rreth orës 20:00 në segmentin rrugor Dukagjin – Shkodër në vendin e quajtur Shkallë Lugje ka vrarë me armë zjarri dy turistë çekë, të cilëve tentoi t’u grabiste makinën. Mjacaj u kap një ditë më pas në Grudë të Re, pasi u rrethua në një ndërtesë dykatëshe. Ai u zbulua nga telefoni celular që u mori dy turistëve dhe e shiti në fshatin e tij.

 

Hetim pedagogut të Universitetit të Vlorës, akuzohet për mitmarrje

 Një pedagog i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë u merrte para studentëve, teksa seksere kishte kushërirën e tij, gjithashtu studente në këtë universitet. Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për pedagogun Artan Xhaferi 40 vjeç banues në Vlorë dhe studenten Elda Memaj 23 vjeç. Sipas policisë personat me iniciale M. B. dhe Z. H. i kanë dhënë shumën e 15 mijë lekëve të reja 23-vjeçares me objektivin për të siguruar një notë kaluese në lëndën e pedagogut Artan Xhaferi. Policia vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, teksa Artan Xhaferi tashmë ndiqet penalisht për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë studentja 23-vjeçare Elda Memaj ndiqet penalisht për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Stresi rrezikon 6 muaj burg, por jo për arratisjen nga policia

Gjashtë muaj burg ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për reperin shqiptar Arkimed Lusha njohur me emrin e artit “Stresi”. Pretenca e prokurorisë është dhënë gjatë ditës së djeshme. Kjo masë dënimi është kërkuar për akuzat e mosbindjes ndaj urdhrit të policisë (një muaj burg) dhe për drejtimin e makinës pa patentë (5 muaj burg). Stresi nuk ju bind urdhrit të policisë rrugore për të ndaluar, ndërsa me kapjen e tij nga një tjetër patrullë, u zbulua se Stresi drejtonte automjetin pa patentë. Vetë këngëtari një seancë më parë u shpreh se kërkonte mëshirë nga gjykata me premtimin se nuk do të bënte më një veprim të tillë. Më 16 korrik do të paraqiten konkluzionet e mbrojtjes e më pas do të vendos gjyqtari Arben Micko nëse do të dënoj apo falë këngëtarin.

 

Nis gjyqi për Gate Mahmutajn dhe grupin e Lazaratit, shtyhet seanca e parë

 Seanca e parë pas një viti hetimesh për sulmin e armatosur kundër policisë në aksionin e 2014-ës në fshatin e Lazaratit ka nisur me shtyrje. Gate Mahmutaj, djali i tij Vandami, Arbjon Aliko dhe 5 të pandehur të tjerë u ulën në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë nën akuzë si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë dhe kultivim droge. Nga 16 persona që akuzohen si pjesë e kësaj organizate në seancë ishin vetëm 8 persona, dy prej tyre kishin sjellë deklaratë që nuk do të ishin të pranishëm në seancë, ndërsa gjashtë të tjerë janë ende në kërkim dhe do të gjykohen në mungesë. Tetë të pandehurit kanë qenë të gjithë pas kafazit të hekurt por ra në sy se Gate Mahmutjt ishte ulur mes Arbjon Alikos dhe djalit të tij Vandamit. Kryesuesi i seancës Klodian Kurushu ka nisur me Gate Mahmutajt verifikimin e gjeneraliteteve. Në këtë seancë të parë Gatja i vetëdorëzuar në operacionin “Lazarati 2014” harroi datën e lindjes duke u përgjigjur vetëm me moshën e tij dhe vitin e lindjes. Ai tha fillimisht vitin e lindjes 1968 e më tej u kujtua se muaji i lindjes është marsi…U desh pak dhe Gate Mahmutaj tha edhe datën, 18 mars, por nga zërat që dëgjohen nga djali i tij Vandami, edhe kjo datë duket se nuk është e saktë. Razip (Gate) Mahmutaj, Arjan (Servet) Basha, Gurgaz Skenderi, Matjas Boçaj, Arbjon Aliko, Vandam Mahmutaj, Lorenc Bregu (Cobaj), Drini Aliko janë personat që ishin këtë të mërkurë në sallën e gjyqit, ndërsa Florian Shurdhi e Ramadan Basha nuk ishin të pranishëm por paraqiten deklaratë për mospjesëmarrje në seancë. Altea Haska, Enrik Skënderi, Engliend Aliko, Alfred Proko, Klajdi Karemani, Beqo Brahimi nuk ishin të pranishëm në seancë. Sipas prokurorisë këta persona janë ende të pa arrestuar.

Share it :