Ëndrra me eksporte bujqësore në Kinë…

punesim ne italiGjatë muajit qershor, Ministria e Bujqësisë ka publikuar disa lajme sporadike në lidhje me aktivitetin e saj ministror. Duke qenë se jemi në muajin e saj të gjashtë të raportimeve, kemi konstatuar se kjo ministri zakonisht është e varfër në aktivitetin e saj. Kështu gjatë këtij muaji, në faqen zyrtare të ministrisë janë publikuar lajme, të cilat lidhen me pjesëmarrjen e ministrit Panariti në evente të rëndësishme ndërkombëtare të cilat në fakt, nuk sjellin asnjë lajm pozitiv në termat e përfitimeve apo sukseseve që mund të ketë arritur kjo ministri. Madje dhe ato pak njoftime që janë publikuar më shumë ngjasojnë me lajme të karakterit humoristik se sa me lajmërime formale dhe zyrtare.

Më datë 26 qershor, në Sofje të Bullgarisë, u zhvillua takimi i ministrave të bujqësisë të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në këtë takim mori pjesë dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi zyrtar i Shoqatës për Promovimin e Bashkëpunimit në Bujqësi midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Sigurisht, kjo iniciativë tingëllon pozitive për Kinën e cila është një nga tregjet më të mëdha botërore dhe domosdoshmërisht duhet të hapë bashkëpunimet me sa më shumë vende të Evropës në mënyrë që të eksportojë mallrat e shumtë që prodhon apo importojë mallrat dhe shërbimet që nuk mund t’i sigurojë vetë.

Kështu, si një ndër partnerët në këtë bashkëpunim, ministri Panariti pohoi se ky takim është shumë i rëndësishëm duke qenë se Shqipëria së fundmi ka rritur ndjeshëm prodhimin e perimeve dhe vajit të ullirit dhe tregu kinez është një mundësi shumë e mirë për të eksportuar prodhimet shqiptare.

Vërtet e mendon kështu vallë ministri, apo ishte rasti për të thënë diçka në takim dhe u gjend i papërgatitur dhe kështu vendosi aty për aty se çfarë i erdhi për mbarë? Shqipëria ka rritur prodhimet bujqësore dhe do t’i eksportojë në tregun kinez?!

Sipas studiuesit Rupert Hoogewerf, themeluesi i Hurun Report me bazë në Shangai, i pari hartues i “listës së të pasurve” të Kinë, rritja e pasurisë private në Kinë ka tejkaluar Evropën duke u bërë rajoni i dytë më i pasur në botë, dhe është në rrugë për të dalë në krye, pasi në 2016 planifikohet të kalojë edhe SHBA-në.

Kjo do të thotë se tregu kinez është i dyti në botë për nga madhësia e tij dhe sigurisht importet që realizon janë të përmasave në nivel global, ndaj nuk mund të hamendësosh në asnjë moment të vetëm se Shqipëria mund të jetë një vend me potencial për të furnizuar tregun kinez më perime apo vaj ulliri.

Jo vetëm kaq, por tregu bujqësor shqiptar vazhdon të ballafaqohet dhe me incidente që kanë të bëjnë me garancinë e cilësisë së ushqimeve që eksporton. Mjafton të kujtojmë se më 6 Qershor aleati ynë, Maqedonia, bllokoi eksportet e perimeve të freskëta, perime që Z. Ministër ka menduar se mund t’i “bëjnë punë” Kinës. Ky bllokim erdhi si rezultat i dyshimeve që ka pala maqedonase në lidhje me standardet që përdorin fermerët shqiptarë për prodhimin e tyre.

Madje, dhe pas zgjidhjes së ngërçit, i cili u realizua 3 ditë pas bllokimit, ministri Panariti, nuk i bëri thirrje palës maqedonase duke i dhënë garanci për cilësinë, por duke e vënë theksin tek fqinjësia e mirë: “Fqinjësia e mirë duhet dëshmuar përmes heqjes së barrierave tregtare”, – ka shkruar ai.

Ndaj në këto kushte, secili prej nesh ka dyshime serioze në lidhje me deklaratat publike që lëshon kjo ministri kur flet për bashkëpunime apo bashkëpunëtorë, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëpunime me tregje si ai kinez. Është lehtësisht e kuptueshme që Z. ministër është ndjerë mirë mes parterësh të rëndësishëm globalë dhe është po aq e vërtetë që ëndrrat janë bërë për t’u jetuar, por kjo nuk do të thotë që mund të raportohen në site zyrtare siç është faqja zyrtare e ministrisë në fjalë. Megjithatë, në raste të tilla vlen urimi që ëndrrat të të bëhen realitet!

 

(Marrë nga buletini i përmuajshëm i APPA – Albanian Platform for Policy Advocacy)

 

Qeveria tallet me shqiptarët më të varfër

Lista e abuzuesve që merrnin ndihmë ekonomike u pastrua menjëherë pas marrjes së mandatit të qeverisë “Rama”. Pasi u hoqën me mijëra familje gjatë dy viteve të para, muajt e mundit shihet sërish një shkurtim ndihme për familjet e varfra, duke bërë që të lindë pyetja: Mos u pasuruan gjë shqiptarët apo po hiqen pa të drejtë nga skema e ndihmës ekonomike të varfrit?

Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ka rënë me 12 mijë e 191 familje në tremujorin e parë të 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit, duke arritur në rreth 75 mijë familje.

Ndërsa në raport me tremujorin e parë 2013 numri i familjeve që trajtoheshin më këtë ndihmë ra me rreth 27%, apo rreth 27 familje më pak, sipas të dhënave te INSTAT të raportuara në Buletinin Statistikor. Në tremujorin e parë 2013 kishte rreth 102 mijë familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 74.933 familje, nga të cilat 43.744 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 31.189 familje me ndihmë ekonomike të plotë.

“Numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të parë 2015 është ulur me 1,5% krahasuar me tremujorin e katërt 2014. Si rrjedhim, dhe fondi mesatar mujor i ndihmës ekonomike është ulur me 1,1%”, – raporton INSTAT.

Sipas INSTAT, qarqet Dibër, Shkodër, Elbasan dhe Kukës kanë numrin më të madh mesatar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sa i përket madhësisë së familjes, si në bashki ashtu edhe në komuna, familjet me nga katër pjesëtarë përbëjnë pjesën më të madhe të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Në marrëveshjen aktuale me FMN, konsolidimi fiskal do të vijojë më 2016 me elementin kryesor racionalizimin e fondeve për ndihmën ekonomike nëpërmjet pastrimit të skemës nga abuzimet.

 

Pikiatë e eksporteve të naftës dhe lëndëve hidrokarbure

Eksportet e naftës kanë pësuar një rënie drastike në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për periudhën Janar-Mars nga Shqipëria janë eksportuar 154 milionë litra naftë, nga rreth 276 milionë litra që kishte qenë eksporti për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë eksporti, nafta për tremujorin siguroi vetëm 4.9 miliardë lekë të ardhura, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar sillte 15.2 miliardë lekë. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka dekurajuar investimet e kompanive të nxjerrjes së naftës bruto dhe vlerësohet se prodhimi gjatë këtij viti do të jetë më i ulët.

Për më tepër, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në vend. “Bankers Petroleum”, këtë vit ka pasur probleme të shumta administrative, pas shpërthimit të gazit në puset e Marinzës dhe pezullimit të përkohshëm të aktivitetit nga Ministria e Mjedisit. Sidoqoftë, një ndikim në rënien e eksporteve vlerësohet të ketë pasur edhe rinisja e punës në rafineritë e kompanisë “Armo”, që më në fund po arrin të përpunojë naftën bruto të nxjerrë në vend.

Në rënie për tremujorin e parë paraqitet edhe produkti i dytë më i madh që Shqipëria eksporton, kromi. Në tre muaj, janë eksportuar 97 mijë ton koncentrat dhe xeherorë kromi, nga afro 121 mijë ton që eksportohej në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e eksporteve të kromit ranë 1.7 miliardë lekë, 15% më pak me bazë vjetore. Ndër produktet minerare, ecuri më pozitive ka shfaqur çimento, me eksporte mbi 240 mijë ton, në rritje me 43% krahasuar me tremujorin e parë 2014.

Çimento është aktualisht produkti i tretë më i rëndësishëm për nga vlera e eksportit, me rreth 1.5 miliardë lekë në tremujorin e parë.

Rënia e eksportit të lëndëve të para dhe në veçanti e naftës ka goditur seriozisht ecurinë e eksporteve shqiptare gjatë këtij viti. Sipas INSTAT-it, për pesëmujorin eksportet shqiptare kanë rënë me 4% krahasuar me një vit më parë.

 

Gjermania nuk përfill eksportet shqiptare

Ndërsa Gjermania është destinacioni kryesor i eksporteve të pothuajse gjithë rajonin, në Shqipëri ajo renditet vetëm e teta, teksa është investitori i gjashtë më i madh në vend.

Ndërsa i gjithë rajoni ka si destinacion kryesor të eksporteve Gjermaninë, Shqipëria ka mbetur shumë prapa. Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve të Shqipërisë në vitin 2014, me 2.8% të totalit, (7.2 miliardë lekë, apo rreth 51 milionë euro), nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit.

Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, i ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.

Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.

Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.

Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.

Shqipëria ka si partner kryesor Italinë, me 52% të eksporteve në 2014-n, duke e lënë vendin tonë të varur ndaj zhvillimeve në shtetin fqinjë, që konsiderohet si një nga më të brishtët e Europës periferike, me ekonomi të dobët që nuk i bën ballë presioneve të krizës, ndryshe nga Gjermania që është motori ekonomik i Evropës. P.sh., ndonëse tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në Gjermani, me gati 70% të totalit, ato përbëjnë vetëm 4.5% të shitjeve jashtë vendit të këtij grupi. 83% e eksporteve të tekstileve e këpucëve, kanë destinacion Italinë. Kompanitë gjermane të kësaj fushe kanë shprehur gjithnjë interes për të punuar me ato shqiptare, por janë stepur për shkak se sipërmarrjet shqiptare, të dembelosura nga italianët që punojnë vetëm me disa procese (qepje- prerje, kryesisht) nuk plotësojnë kërkesat e industrisë gjermane për të mbyllur ciklin. Si rrjedhojë, industria mbetet e varur nga porositë e kompanive italiane.

Në anketimet e vazhdueshme që kryejnë Dhomat përkatëse të tregtisë me biznese të shteteve të tyre, ato të Dhomës Gjermane janë gjithnjë me realistet, por dhe më pesimistet. Bizneset gjermane, të mësuar të punojnë me rregulla dhe larg burokracive e korrupsionit, ankohen gjithnjë për ambientin për të bërë biznes, korrupsionin etj. Në anketën e fundit Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë vlerëson Shqipërinë si një vend të mirë për të bërë biznes, por nga ana tjetër shprehet se situata aktuale e bizneseve nuk inkurajon investime të reja.

Në total, sipas INSTAT-it kishte vetëm 146 ndërmarrje gjermane dhe me pronësi gjermano-shqiptare në fund të vitit 2014, që përbënin vetëm 2.7% të totalit të ndërmarrjeve të huaja në vend. Nga këto, vetëm 12 janë të mëdha, me më shumë se 50 punëtorë dhe 96 janë të vogla, me 1-4 punëtorë. 121 kompani gjermane, ose me pronësi të përbashkët janë në fushën e shërbimeve dhe 25 në prodhim.

 

Inflacioni vijon të mbetet i ulët, nga kërkesa e dobët

Inflacioni ra sërish gjatë muajit qershor në nivelin 1.4%, nga 1.8% që kishte qenë në Maj, duke treguar edhe njëherë se ekonomia ngelet nën potencialet e veta të rritjes. Përcaktuese ishte ulja e inflacionit në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që në muajin qershor zbriti në 2.7%, nga 3.8% që kishte qenë gjatë muajit maj. Brenda këtij grupi ndikimin kryesor në ulje e ka dhënë kryesisht inflacioni i dobët për produktet ushqimore të përpunuara. Një kontribut në nivelet e ulëta të inflacionit vazhdon të japë edhe grupi “Transporti”, që edhe gjatë muajit qershor regjistroi inflacion në vlera negative, me ­1.1%, ndonëse në rritje të lehtë nga niveli ­1.4% i muajt maj. Ndonëse çmimet e këtij grupi janë më të ulët krahasuar me një vit më parë, kthimi në rritje i çmimeve të karburanteve po e zbut deflacionin e këtij grupi. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i gazoilit u rrit me 2.1% dhe çmimi i benzinës u rrit me 1.6%. Për grupmallrat e tjerë, inflacioni paraqitet i ulët dhe me luhatje mujore modeste.

Pasi kishte qëndruar për tre muaj mbi intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni i është kthyer rënies, çka dëshmon se prirja afatgjatë e çmimeve ngelet e orientuar te vlerat e ulëta të inflacionit. Nga njëra anë, kërkesa e brendshme konsumatore në ekonomi ngelet ende e dobët, me gjithë shenjat e lehta të rimëkëmbjes të shfaqura gjatë tremujorëve të fundit. Por, inflacioni i ulët po ndikohet, në një masë të madhe, edhe nga presioni i dobët nga krahu i ofertës. Brishtësia e ekonomisë evropiane po mban të ulët çmimet e lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, çka përkthehet në vlera të ulëta të inflacionit të importuar.

 

Transferohet paniku i bursave, nga Greqia në Kinë

Vëmendja e ekspertëve dhe investitorëve globalë tashmë duket se është transferuar nga Evropa në Azi. Kina dhe tregu i aksioneve në vend, që rrezikon të kthehet në një flluskë, janë një problem shumë herë më i madh se Greqia dhe impakti i saj në ekonominë globale do të jetë gjithashtu shumë i madh, shprehen ekspertët. Vetëm gjatë 2 ditëve të fundit, bursat kryesore të vendit kanë rënë me mbi 10%, mesatarisht. Rregullatorët vlerësojnë se tregu ndodhet në një situatë paniku, dhe tashmë kanë filluar shitjet irracionale të aksione. Një pjesë e madhe e investitorëve të vegjël, rreth 90 milionë të tillë, tashmë kanë humbur më shumë se gjysmën e parave të tyre në vetëm 2 ditë. Nga ana tjetër, banka Meryll Lynch apelon për rrezikun e një krize financiare globale. Më shumë se gjysma e kompanive të listuara në tregun e aksioneve në Kinë, tashmë kanë ndërprerë tregtinë e aksioneve. Ndërkohë, ndërhyrjet e Bankës Qendrore të Kinës deri më tani nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar krizën. “Vendimi i Bankës Popullore të Kinës, për ti lejuar qindra kompanive të pezullojnë tregtinë, ka përshkallëzuar shitjen e “aksioneve cilësore” dhe “fondeve të përbashkëta”, shprehen ekspertët. Situata po futet në një spirale të rrezikshme. Njerëzit po shesin gjithçka që munden, gjithçka që ka likuiditet. Ata frikësohen se, mbase nesër nuk do të munden të blejnë në treg. Në sesionet e fundit, tregjet e aksioneve në Kinë janë përfshirë nga paniku, pasi kompanitë u përpoqën ti shpëtojnë pezullimit të tregtimit të aksioneve dhe të indekset kryesore ranë në masë të konsiderueshme, pasi rregullatori i tregut të obligacioneve paralajmëroi për një “situatë paniku”

Share it :