Ervin Kaduku
Raporti përmend Shqipërinë ndër vendet që patën një ulje të ndjeshme të konsumit të brendshëm, nivelit të kreditimit dhe të të ardhurave nga imigrantët
Banka Botërore po u bën thirrje vendeve në zhvillim të ruajnë rritjen ekonomike, ndërsa ekonomia globale për vitin në vazhdim mbetet e paqëndrueshme. Në një raport të ri të publikuar të martën me titull “Perspektivat e ekonomisë globale 2013”, Banka Botërore thotë se Shqipëria ishte mes vendeve të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore që patën një rritje prej më pak se një për qind, ndërsa pritshmëria për vitin 2013 mbetet subjekt i rreziqeve serioze rajonale dhe globale. Raporti i Bankës Botërore, “Perspektivat e ekonomisë globale 2013” i bën një analizë situatës ekonomike të vendeve në kushtet e sfidave si kriza në Eurozonë, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vendet me zhvillim të shpejtë dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare. Banka Botërore thotë se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë 2012 pritet të ketë qenë 0,8 për qind, ndërsa parashikon që për vitin 2013 ajo të jetë 1.6 për qind.
Raporti
Sipas raportit, rritja në Evropë dhe Azinë Qendrore ku bën pjesë edhe Shqipëria ra ndjeshëm në vitin 2012 pas një rritje të fuqishme një vit më parë. Për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Rumaninë pritet që rritja ekonomike gjatë 2012 të ketë qenë më e vogël se një për qind. Vendet e Ballkanit Perëndimor thotë raporti, me lidhje të forta ekonomike dhe bankare me Evropën, vuajtën pasojat e rënies së kërkesës për eksporte, pakësimit të hyrjes së kapitalit të huaj dhe të ardhurave nga imigracioni.
Ndërkohë konsumi i brendshëm, i cili ka qenë motori i rritjes në rajon, u pakësua gjatë krizës financiare. Raporti përmend Shqipërinë ndër vendet që patën një ulje të ndjeshme të konsumit të brendshëm, nivelit të kreditimit dhe të të ardhurave nga imigrantët, ndërkohë që papunësia mbetet e lartë. Të gjitha këto zhvillime shkaktuan ngadalësim në gjysmën e parë të 2012 ndërsa treguesit për muajt e fundit të vitit janë të ndryshëm për vende të ndryshme të rajonit.
Prodhimi i Përgjithshëm i Brendshëm në rajon pritet të jetë ulur me 3 për qind në vitin 2012, ndërsa për këtë vit, ai parashikohet të ketë një rritje të lehtë në 3.6 për qind ndërkohë që faktorët që ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike gjatë 2012-ës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm.
Perspektiva për rajonin në vitin 2013, thotë Banka Botërore, do të varet shumë nga menaxhimi i borxhit, papunësia e lartë dhe inflacioni, mungesa e konkurrencës dhe kufizimet e tjera strukturore të ekonomive.
Erzeni dhe Ishmi dalin nga shtrati, përmbyten 100 ha tokë
Artur Ajazi
Shirat e pandërprerë të 24 orëve të fundit kanë krijuar probleme serioze në qarkun e Durrësit. Lumi Erzen, i tejfryrë, ka dalë nga shtrati në disa komuna të Krujës e Fushë-Krujës dhe ka përmbytur afro 100 ha tokë. Prefekti i Qarkut Genci Alizoti deklaroi dje për “Standard” se “ afro 100 ha tokë bujqësore në Krujë dhe disa komuna janë nën ujë, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë në 24 orët e fundit, fryrja e shtratit të lumit Ishëm dhe Erzen ka bërë që gjendja të jetë shumë e rëndë sidomos në dy fshatrat Muriqanë dhe Mazhë, në Komunën Bubq”. Në qoftë se shirat sipas sinoptikanëve, do të vazhdojnë, rrezikohen edhe banesat e 20 familjeve në ato komuna. Dje pas situatave të krijuara banoret janë ankuar tek Prefektura dhe Shtabi i Emergjencës për neglizhencën e drejtuesve të komunës e cila deri dje nuk kishte shfaqur asnjë interesim ndaj tyre. aktualisht situata në këto dy komuna mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për shkak se nuk pastrohen kanalet kulluese, – tha Alizoti. Sipas tij “e njëjta situatë përsëritet sa herë që ka reshje të dendura shiu”. Gjithashtu moti i keq me shi dhe erë të forte, ka sjellë edhe vonesa në mbërritjen e trageteve në portin detar. sipas burimeve nga Kapiteneria e Porteve “pas detit me force 7 ballë, linja Bari-Durrës ka mbërritur me dy orë vonesë në port, ndërsa era 7 ballë ka pezulluar punën edhe në disa sektorë si ngarkim-shkarkimi, embarkimi në terminal etj”. kapiteneria tha se “vështirësi në lundrim kanë dhe anijet tregtare që qëndrojnë të ankoruara në Radën e portit, kurse peshkarexhat nuk janë lejuar te dalin në lundrim deri të premten”. Sektori i ngarkim-shkarkimit në port, ka pezulluar punën përkohësisht për shkak të reshjeve intensive të shiut, dhe erës së fortë. Në një situatë të tillë problematike nga reshjet e dendura të shiut është konstatuar edhe problematika në shumë rrugë e lagje të qytetit, për shkak rrjetit të bllokuar të kanalizimeve. Prefekti Alizoti tha se “prej 2 ditësh ka nisur aktivitetin e tij të pandërprerë Shtabi Emergjencave, dhe po mban kontakte me të gjitha komunat e bashkitë “.
Privatizimi i HEC-ve, METE: Është politizuar procesi
Pas akuzave të bëra nga Partia Socialiste për një proces antiligjor, të shitjes së katër hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz-Shkopet sh.a., zëvendësministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, deklaroi në një konferencë për mediat se kompania turke “Kurum”, e shpallur fituese, ishte në krye të listës së ofertave dhe pranimi i kësaj oferte ishte në përputhje me ligjin. Sipas tij, opozita ka si qëllim që të politizojë procesin e privatizimeve. Ai vuri në dukje se ofertat përkojnë me vlerën e aseteve të këtyre veprave.
Lidhur me hidrocentralin e Lana Bregasit, që sipas opozitës është shitur tek ujësjellësi më një vlerë të lartë, Dervishaj u përgjigj se është një proces i ndryshëm nga ai i shitjes së 4 hidrocentraleve.




