Nga Basir Çollaku
O taksixhi, më ço në shpiii, se jam bërëëë tapëëë, o me rakiii… thotë kënga e bukur korçare. Kjo m’u kujtua menjëherë teksa dëgjoja E. R. të rrëfente se kur mbetej në hall për punë të holla, shkonte e gjezdiste natën me taksi dhe taksisti e qartësonte me këshilla për punët që nuk ecnin mbarë e mirë. Kryeministri ose nuk ka asnjë këshilltar, ose nuk i dëgjon asnjëherë, ndonëse unë besoj se ka vetëm rrogëtarë, të cilëve u rimburson kartën në bankë në çdo fund apo fillim muaji. Pas deklaratave taksi të E. R. se Shqipëria është në drejtimin e duhur dhe Evropa në rrugë të gabuar, si dhe raportet e taksistit të tij të natës, janë më të holla se ato të BB e FMN, druaj se qeverisja e vendit i ka hyrë një udhe pa këllqe, qoftë diplomatike, politike, pa ekonomiken e ka marrë urata ku e ku më herët ndër vite. Mbase për të zhvendosur disi vëmendjen nga beteja hallemadhe me opozitën, si shkak të masakrës zgjedhore, E. R. po mundohet ta zhvendosë debatin e brendshëm në një batutë me aktorë të jashtëm. Kjo përpjekje duket si tendencë jo vetëm për të trazuar leximin e ndërkombëtarëve, por për t’i futur në një rrafsh tjetër me hallin që e ka zënë me dhunën, arrogancën, paligjshmërinë e shërbyer rast pas rasti. E. R., në mënyrë taksiste, e rrit provokimin e pavend në raportin me BE-në, duke hedhur një kumbull të dytë ende pa dalë mpirja e së parës. Kështu, ai ka dyfishuar jo vetëm mosbesimin e pakënaqësinë, por edhe bindjen se mendësia lindore në qeverisjen e Tiranës nuk është thjesht një perceptim kundërshtarësh politikë, por vërtetësi që po rritet. Nëse këshillimi nuk vjen nga taksia, ku turni i tretë veç të tjerash ka dhe doza lodhjesh për transportin privat, nuk mund të gjesh arsye dhe shtetari brenda deklaratës së dhënë në intervistën për “Financial Times”, ku ai shprehet se “nëse Evropa na refuzon, atëherë në Ballkan ka për të ardhur Islami radikal dhe nëse BE nuk është në gjendje të na tregojë rrugën që presim, atëherë do të ketë një hapësirë të madhe për Islamin radikal”. E t’ia thuash këtë në një intervistë shtypi, vendeve anëtare të NATO-s, kur edhe vetë ke një karrige në tavolinën e Aleancës, kjo është pak alla-taksi si mendim e qëndrim. Nuk di nëse Fate Velaj, këshilltar për diplomacinë kulturore, apo Shkëlzen Maliqi, këshilltar për rajonin, kanë qenë qëmtuesit e këtij formati komunikimi të E. R. me Evropën, pikërisht në prag të ardhjes së Kancelares gjermane Angela Merkel. Liderja e Evropës natyrisht nuk ka pasur ngenë kohore ta dëgjojë, por rezulton kthjellët se ajo ka këshilltarët e duhur dhe relatimi i këtij shqetësimi në prag të vizitës së saj ka sjellë një përgjigje krejt të qartë. Merkel, në një mesazh për rajonin, ndër të tjera, kur ndalet tek Shqipëria thotë: “…Me Shqipërinë kemi bërë progres, por kemi ende shume shumë, probleme të mëdha…” Kërkoja në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave dhe nuk gjeta një listë të plotë të kabinetit këshillues të KM. Ndër raste të mëhershme prezantimesh e pjesë lajmesh shfaqen emra të prezantuar si këshilltarë, si gjenerali Sander Lleshi për mbrojtjen, Fate Velaj për diplomacinë kulturore, një gjetje hibride për emërtesën. Shkëlzen Maliqi për rajonin, natyrisht Tony Blair dhe Cherie Blair u bënë këshilltarët e parë të E. R., duke qenë dhe përfituesit më të mëdhenj e të shpeshtë në jo pak raste dëmtues interesash për ne e përfitues në maksimum për vete. Pas Alistair Campbell, këshilltari i Ramës, në zgjedhjet e 2013, vjen një tjetër këshillë britanike punësuar në qeverinë socialiste. Këtë herë është James Nish, 26-vjeçari, nip i Campbell, emëruar këshilltar apo rrogëmarrës më saktë, se vështirë të gjesh bereqet në këtë punë nga Londra për Tiranën. Ajo çka duhej të ishte më cilësore nuk gjendet ose është anonime, është këshillimi për ekonominë dhe financën, sidomos kur kriza në rajon, me fqinjin më në telash ekonomik, Greqinë, sa vjen e bëhet më e paparashikueshme. Natyrisht nuk duhet thënë se mungojnë në qeveri, por të pyesësh Arben Ahmetajn për ekonominë dhe financën e të mos dëgjosh për të njëjtën gjë Shkëlqim Canin, është një katrahurë këshillimi, si taksia e fikur mbetur në trafik, që shpreson të parakalojë makinat që ecin. Një lajm befasues në këshillimin e E. R. vjen nga gazeta serbe “Kurir” në 11 janar 2015. Sipas saj, Kryeministri shqiptar po këshillohet për financat dhe ekonominë nga Bozidar Djeliç, ish-zv kryeministri serb në vitet 2007-2011, por ky lajm nuk e kishte marrë konfirmimin zyrtar të qeverisë shqiptare si i vërtetë ose jo. Bozidar Djeliç, sipas “Kurir”, ishte pjesë e kompanisë, drejtor ekzekutiv i Lazard, një prej firmave më të mira të këshillimit financiar në botë që vepron në 26 vende. Tej këtyre emrave sa më shumë të huaj e sa më pak vendas, E. R. duket se ka gjetur thesarin e këshillimit natën vonë, ku taksistët i rrëfejnë se ç’duhet bërë. E të gjesh një taksist me mend në kokë në Tiranë që nuk e njihka KM e vendit kur hipën në taksi, por dehet nga sinqeriteti dhe i bën të 99-at atij për gjëra që nuk shkojnë në qeverisjen e vendit, është si të flesh lakuriq sipër ferrave dhe të hungërosh nga lumturia. Madje, ky taksisti i Ramës ia kalon për nga hollësia e vëzhgimit dhe këshillimit ku e ku FMN-së dhe Bankës Botërore. Nëse ka dashur E. R. T’u dërgojë ndonjë mesazh këtyre institucioneve nëpërmjet taksistit, kjo është mesele që hahet më shumë se marrja e mendjes për punët e hyqymetit. Orëve të vona në mesnatë, kur kujton taksistin, pavarësisht nga ndershmëria e respekti i madh për punën dhe profesionin, nuk mund të mos kujtosh këngën magjike korçare, teksa thotë: …o taksixhi, më ço në ship, se jam bërë tapëë, o me raki… dhe taksisti të çon që ç’ke me të..




