Gëzim Saliu
Me mbajtjen e zgjedhjeve, PS do të ndryshojë statutin e saj, duke marrë shembull partitë angleze
Anëtari i Kryesisë së PS-së, deputeti Ben Blushi, ka qenë dhe mbetet i vetmi zë kritik brenda partisë më të madhe në vend lidhur me mosmbajtjen e zgjedhjeve të brendshme. Që prej thuajse një viti, ligjvënësi socialist, i cili njihet për marrëdhëniet e tij me ulje-ngritje me Kryeministrin Rama, ka deklaruar se të gjitha strukturat drejtuese të PS-së, përfshi edhe kreun e kësaj force, janë jashtë afatit statutor në detyrat e tyre. Po ashtu Blushi e ka thelluar edhe më tej kritikën e tij, e cila duket se nuk ka aspak mbështetje në grupin parlamentar socialist, duke theksuar se rilindja e premtuar nga Kryeministri para zgjedhjeve ishte thjesht një truk, sipas tij, për të nënshtruar PS-në. “Unë duhet të bëj sot një ndarje mes PS dhe Rilindjes. Shqiptarët besojnë se Rilindja ishte një truk për ta nënshtruar PS dhe për ta përdorur, për t’i marrë votuesit dhe për t’i nënshtruar. Socialistët e thjeshtë e bëjnë këtë dallim”, – ka deklaruar Blushi në një intervistë televizive.
Debati për zgjedhjet
Në daljet e tij publike gjatë këtyre muajve, deputeti socialist ka shprehur shqetësimin për mosrespektimin e statutit të forcës ku ai bën pjesë lidhur me zgjedhjet e brendshme. “Në fund të muajit tetor duhet të kishim zgjidhjet. Edi Rama fatkeqësisht është pa mandat. Në statut unë lexoj që kryetari i PS zgjidhet me parimin një anëtar-një votë një herë në 4 vjet. Nuk kemi dëgjuar për mandate 4 plus 1 se për furgonë 8 plus 1 dëgjuam”, – ka pohuar një vit më parë Blushi. Po ashtu ai ka theksuar: “Një parti e madhe duhet të funksionojë si shoqëri aksionere, ku aksionerët mblidhen dhe zgjedhin administratorin. Por kjo nuk do të thotë që administratori të kthehet në pronar”. Të gjitha këto kritika për shkeljen e statutit nga ana e kryeministrit nuk janë përcjellë në asnjë nga kolegët e Blushit, madje pjesa më e madhe e tyre kanë mirëkuptuar Ramën për ato që ai i ka cilësuar si punë emergjente në krye të qeverisë. Ndërkaq vetë kryeministri lidhur me këtë debat ka pohuar se partia nuk ka nevojë për një show të tillë. Si kundërpërgjigje ndaj Blushit, Rama ka përdorur shembullin e partive angleze, të cilat kur janë në pushtet, nuk bëjnë zgjedhje për të rikonfirmuar kryetarin. Nga ana tjetër kreu i qeverisë prej muajsh ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune juristësh dhe ekspertësh brenda partisë për të ndryshuar statutin e PS-së. Ndryshimet në statut pritet të miratohen në Kongresin e dhjetorit, pas analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit që do të zhvillohet në shtator në Asamblenë Kombëtare, ku do të rivotohet e gjithë struktura drejtuese e Partisë Socialiste.
Mandati i Ramës
Mandati katërvjeçar i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste ka mbarur në muajin tetor të vitit 2014. Megjithëse në muajin nëntor të vitit të kaluar u duk se do të niste procesi i zgjedhjeve të brendshme, ku u ngritën edhe grupet e punë që angazhuan për këtë qëllim, gjithçka u anulua më pas pa dhënë arsye specifike. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë kryesocialisti lajmëroi në mbledhjen e grupit se ky proces do shtyhet në muajt shtator-dhjetor të këtij viti.




