Qeveritarët, me petkat e Pinokut!!!

Qeveri–  Kujt t’i besojmë për ecurinë e eksporteve për 5-mujorin: Kryeministrit, ministrit të Ekonomisë apo INSTAT-it?…

“Eksportet në pesë muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rritje prej 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, – ka pohuar Kryeministri Edi Rama, gjatë përurimit të djeshëm të punimeve të gazsjellësit TAP. Një deklaratë kjo që ka shkaktuar ilaritet tek mediat e pranishme, të cilat ishin njohur tashmë me shifrat e eksportit të 5-mujorit, ndryshe nga pohimi i njëjtë i ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj në fillim të qershorit, kur shifrat zyrtare nuk ishin publikuar ende. “Eksportet, të krahasuara me një vit më parë, për të njëjtën periudhë 5-mujore, janë rritur 11.9%, me një kërcim që konfirmon Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare në futjen e një cikli 6-vjeçar, spektakolar ekonomik, e vlerësuar, e konfirmuar me shifra”, – ka pohuar ministri para deputetëve në Kuvend në 11 qershor.

Shifrat zyrtare japin një tendencë tërësisht të kundërt. Sipas të dhënave të INSTAT-it për tregtinë e jashtme, botuar në 30 qershor, për periudhën janar-maj, totali i eksporteve arriti në 103.2 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 4.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që me rënie të lehtë kanë vijuar të kenë dhe “tekstilet e këpucët”, “prodhime druri dhe letre” dhe “lëkurë e artikujt prej tyre”. Tre grupet e vetme që po vijojnë të mbahen janë ” material ndërtimi dhe metale” dhe “makineri dhe pjesë këmbimi” dhe “ushqime, pije e duhan”. Edhe të dhënat e pesëmujorit, publikuar nga INSTAT flasin për vazhdimin e rënies së eksporteve, larg rritjes spektakolare të pretenduar nga institucionet qeveritare. Edhe maji vijoi me tendencën rënëse, me eksportet që u tkurrën me 4.8%.

Që nga janari, eksportet, importet dhe deficiti tregtar çdo muaj kanë qenë negative (të paktën deri në maj, muaji i fundit që mundëm të marrim si referencë nga ISTAT). Sipas INSTAT në prill, eksportet e mallrave u ulën 10% në krahasim me prill 2014 dhe 7.8% në krahasim me mars 2015. Edhe importet u ulën me 2% në krahasim me prill 2014 dhe 2.2 % në krahasim me mars 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke u rritur me 6.5% krahasuar me prill 2014 dhe 3.3 % në krahasim me mars 2015.

Pas deklaratës së fundit të kryeministrit, nuk po dimë kur t’i besojmë, kryeministrit të vendit, ministrit që është përgjegjës për politikat ekonomike, apo INSTAT, institucionit që publikon shifrat zyrtare.

“Problemi i vetëm që unë dhe njerëz si unë kanë me shifrat zyrtare mbi zhvillimet ekonomike është se ende besojmë te aksioma: ‘të dhënat e pasakta çojnë në vendim marrje të gabuara’… Kuptohet nëse vërtet flitet për vendim-marrje të mbështetur në shifra, analizë e të dhënave, analizë e prirjeve, faktorëve dhe shkaqeve që krijojnë situata të caktuara në ekonomi”, – ka pohuar në faqen e vet në “Facebook” analisti i ekonomisë Zef Preçi, pas publikimit të të dhënave të INSTAT në 30 qershor.

“Keynes ka thënë: Ashtu si analizat e ndryshme dhe kontrollet janë të nevojshme për doktorët për të dhënë recetën për shërimin e pacientit ashtu dhe të dhënat statistikore të sakta janë jetikë për ekonomistin për të dhënë zgjidhjet e nevojshme për ekonominë”, – thotë në të njëjtin debat në “Facebook”, Klodian Muça, PHD në ekonomi.

Në fakt, kjo vetëkënaqësi për rritjen e eksporteve mund të largojë vëmendjen nga problemet kryesore që po kalon ai sot:

-Së pari, ndërsa rënia e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është në pjesën më të madhe e varur nga koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare dhe prodhimi i energjisë në vend, shqetësuese është performanca e dobët e “tekstile dhe këpucë”, aktualisht grupi më i madh i eksporteve në vend me 35% të totalit dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me 40 mijë të punësuar direkt, por vlerësohet që numri mund të jetë shumë më i lartë. Përkundrejt vëmendjes dhe premtimeve që mori në fillim nga qeveria, ky sektor po vuan aktualisht rritjen e kostove si rrjedhojë e çmimit të energjisë, tatim fitimit dhe dividendit, që po e bëjnë atë jo konkurruese në rajon, duke humbur klientë, teksa pak kompani, kryesisht të mëdha, kanë ecur në drejtim të mbylljes së ciklit.

-Së dyti, eksportet shqiptare janë të mbështetura në industrinë që punon me material porositësi dhe në shitjen e lëndës së parë jashtë vendit, të dyja me pak vlerë të shtuar dhe pak është bërë vitet e fundit për të nxitur rritjen e qëndrueshme të eksporteve, përmes promovimit të industrisë përpunuese, mbylljes së ciklit të fasonit etj. Edhe rritja e fundit e grupit të makinerive e pajisjeve ka lidhje pikërisht me sektorin që punon me material porositësi.

Shqipëria ka një ndër nivelet më të ulëta në Evropë të eksporteve ndaj prodhimit të brendshëm bruto (në rreth 30%, ndërkohë që Maqedonia për krahasim e ka 48%, Mali i Zi 41% dhe Serbia 44%) dhe nivelit më të lartë të deficitit të llogarisë korente (në rreth 13-14%), me këtë të fundit që është vënë në qendër të institucioneve ndërkombëtare, që kanë tërhequr vëmendjen. “Deficiti i llogarisë korrente është strukturalisht i lartë dhe ka gjasa të zgjerohet më tej, thekson Komisioni Evropian në pjesën e parë të programit të reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate në Bashkimin Evropian. Një rënie e mëtejshme e prodhimit ka gjasa të ngushtojë bazën e eksporteve, duke zgjeruar deficitin tregtar i cili tradicionalisht ka qenë në nivele të larta, rreth 20% e PBB”, sipas raportit.

Ndaj, përtej vetëkënaqjes me shifra, është imediate të merren masa për nxitjen e eksporteve që krijojnë vlerë të shtuar, që do të ishin bazë për një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen…

 

(Marrë nga “Monitor”)

 

Agjenci e Turizmit apo institucion riedukimi?!

Jemi të detyruar të trajtojmë një tjetër rast skandaloz, sikurse kemi bërë çdo muaj në raportet tona për institucionin e skandaleve, Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Bëhet fjalë për një punonjës të saj, i cili është rekrutuar pa konkurs dhe në shkelje të çdo ligji në AKT, pasi është i dënuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve me vendimin penal nr. 190, datë 1.3.2004, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kërkojmë publikisht nga ministri Arben Ahmetaj të japë sqarime nëse ka pasur dijeni për rekrutimin e këtij personi dhe përse nuk e ushtron autoritetin e tij si ministër për ta larguar dhe për të marrë masa ndaj atyre që kanë punësuar dhe vazhdojnë të mbajnë në punë një person me precedentë penalë.

Kërkojmë gjithashtu që ministri Ahmetaj të informojë publikun nëse ka dijeni që ndaj këtij personi ka nisur në AKT, përpara disa muajsh, procedura e shkarkimit, por befas komisioni disiplinor, që u mblodh për rastin në fjalë, i pezulloi mbledhjet, kushedi për cilën arsye të brendshme apo të jashtme. Personi në fjalë po procedohej nga institucioni i tij për mosparaqitje pa arsye në vendin e punës prej rreth dy javësh, e verifikueshme kjo në dokumentin e listë-prezencave apo dokumenteve zyrtare ku, gjatë asaj periudhe, punonjësi nuk ka nënshkruar asnjë dokument, edhe pse pozicioni që mban ia kërkon detyrimisht një gjë të tillë, për përpilimin e saktë ligjor të dokumenteve.

Për më tepër ai po gjykohej për shkelje të rëndë dhe të përsëritur të etikës dhe disiplinës, për fyerje të rënda ndaj kolegëve.

Arsyet përse ky komision i ka pezulluar mbledhjet mund t’i japë vetë institucioni dhe punonjësi i DAP me emër Shtjefën, gjithashtu pjesë e komisionit të mbledhur për trajtimin e rastit të personit në fjalë. Të gjitha këto janë të verifikueshme në forma shkresore dhe procesverbalesh të mbajtura, gjithnjë nëse institucioni nuk i ka zhdukur, pranë protokollit të AKT.

Ftojmë Ministrinë e linjës, Prokurorinë, DAP dhe KLSH të hetojë për këtë rast dhe të mëposhtmit që do të trajtojmë.

 

Biznes privat me AKT

Gjatë qershorit është zhvilluar Rally Albania, një aktivitet privat garash me makina, i cili është promovuar fort në faqen e saj personale në “Facebook” nga drejtorja e Përgjithshme e AKT-së, e cila në sajtin zyrtar të Rally Albania rezulton si administratore e këtij biznesi privat.

Pyetja që lind është: Drejtorja paguhet që të promovojë turizmin shqiptar apo biznesin e saj privat? Për më tepër, në aktivitetin e vjetshëm të Rally Albania, disa punonjës të AKT kanë braktisur vendin e punës në ditë dhe orar zyrtar dhe për disa ditë me radhë kanë marrë pjesë në aktivitetin privat të kompanisë së drejtores. Jemi të gatshëm t’i ofrojmë çdo institucioni hetimor dokumentet që provojnë këtë rast dhe çdo akuzë tjetër që ngremë lidhur me shpërdorimin e detyrës nga ana e disa personave të stafit të AKT.

Sikur të mos mjaftonin dëmet që i ka shkaktuar shtetit për një vit, në masën e 92 milionë lekëve në vlerë, pushteti trajtohet me këtë babëzi dhe paturpësi, si të ishte një pronë private e trashëguar dhe jo institucion shtetëror, që duhet t’u shërbejë të gjithëve dhe jo vetëm disa individëve.

 

(Buletini i përmuajshëm i APPA, Albanian Platform for Policy Advocacy)

 

Financat: Janë alokuar 15.35 miliardë lekë për borxhet e vjetra

Ministria e Financave njofton se, në kuadër të zbatimit të VKM nr. 50, datë 5.2.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, të ndryshuar, për vitin 2015 ka vijuar punën për të siguruar vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.

Në kuadër të strategjisë, deri më datë 30 qershor 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 15.35 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) Investimet publike, janë alokuar 5.9 miliardë lekë, (ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.3 miliard lekë, (iii) rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 5 miliardë lekë, (iv) “Të tjera” janë alokuar 4.1 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për“Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 2 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë.

 

Greqia përgatitet për situatë emergjence

Bankat greke po përgatisin plane rezervë për një shpëtim të brendshëm të mundshëm të depozituesve mes frikës se vendi po shkon drejt një kolapsi financiar, thanë të premten njerëz dhe bankierë që janë në dijeni të çështjes, shkruan “Financial Times”.

Plani, i cili synon për një reduktim të paktën me 30% të depozitave mbi 8 mijë euro, është një skenar i ngjashëm për të paktën një bankë, thanë burimet. Një shpëtim i brendshëm grek, mund t’i ngjante planit të shpëtimit për të cilin u ra dakord në Qipro në 2013, kur fondet e klientëve u prekën për të ruajtur bankat, me shkurtime që u vendosën mbi depozitorët e pasiguruar mbi 100 mijë euro. Ai mund të zbatohet si pjesë e rikapitalizimit të bankave greke që mund të bihet dakord me kreditorët e vendit — Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtare dhe Banka Qendrore Evropiane.

“Ky shkurtim mund të ndodhë në kuadër të ristrukturimit total të sektorit bankar në Greqi, në momentin që ai do të jetë në një program shpëtimi”, tha një person i afërt me çështjen. “Kjo nuk është diçka që do të ndodhë menjëherë”.

Zyrtarët e Eurozonës thanë se nuk ishte marrë ndonjë vendim për të marrë në dorëzim ndonjë bankë greke ose për të filluar një shpëtim të brendshëm të depozituesve, një proces që mund të fillohej nga ECB, duke i deklaruar bankat pa aftësi paguese ose duke dhënë hua emergjente.

Bankat e Greqisë janë mbyllur që nga e hëna, kur kontrollet kapitale u imponuan për të parandaluar një largim depozitash pas thirrjes së qeverisë së majtë të kryesuar nga Syriza për një referendum mbi një plan ndihme ajo kishte refuzuar më parë. Gjykata e Lartë e Greqisë rrëzoi një apel nga dy shtetas të premten që kishin kërkuar që referendumi të shpallej jokushtetues.

Depozituesit mund të tërheqin vetëm 60 euro në ditë nga ATM-të bankare, ndërkohë që kërkesa për të transferuar fonde jashtë vendit duhet të miratohet nga një komision i posaçëm nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Greqisë.

Dy bankierë të lartë të Athinës thanë se vendi kishte vetëm të holla të mjaftueshme për të mbajtur ATM të furnizuara deri në mes të javës së ardhshme. Kjo pasoi vendimin e BQE-së këtë javë se nuk do të rrisë alokimin e asistencës emergjente të likuiditetit Greqisë pasi programi i shpëtimit përfundoi më 30 qershor.

Rezultati i referendumit të së dielës do të përcaktojë se sa shpejt Greqia do të mbyllë një marrëveshje të re ndihme me kreditorët, tha një bankier i lartë grek.

“Aftësia paguese e bankave greke nuk është aktualisht një çështje, por me sa duket bankat do të ndikohen nga sa shpejt vendi hyn në një program të ri”, – tha i njëjti bankier.

Depozitat greke janë të garantuara deri në 100.000 euro, në përputhje me direktivat e BE-së, por fondi i sigurimit të depozitave të vendit arrin për vetëm 3 miliardë€, të cilat nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar kërkesën në rast të kolapsit të një banke.

Me pak depozita mbi 100.000 euro që kanë mbetur në banka pas gjashtë muajsh të fluturimit të kapitalit, “ka kuptim për bankat të marrin në konsideratë vendosjen e një shkurtimi të depozituesve të vegjël, si pjesë e një rikapitalizimi… Ajo mund edhe të konsiderohet si një taksë që mbahet vetëm një herë”,- tha një analist.

Share it :