Ne flasim për dy botë të ndryshme

Intervistoi: Freskida Miloti

Adriatike Lami“Ne flasim për dy botë të ndryshme” mban titullin libri i shkrimtares Adriatike Lami, i cili u promovua pak ditë më parë. Ky libër me poezi i kushtohet babait, vëllait dhe bashkëshortit të autores, për të ndërtuar një model tek dy djemtë e saj. Në këto poezi shkrimtarja sjellë një dialog të botës së saj, burrave të jetës së saj, në botën ku ato janë. Adriatike Lami është autore e disa librave me poezi, prozë të shkurtër dhe punimeve të ndryshme metodike. Vargjet dedikuar dashurisë, sublimes, kujtesës, mungesës dhe vazhdimësisë u promovuan siç e meriton poezia, në natyrë, mes tingujve të violinës, kitarës dhe interpretimit të aktorit të mirënjohur Vasjan Lami.

 

Pak ditë më parë ju keni promovuar librin tuaj më të fundit me poezi. Çfarë i sillni lexuesve përmes vargjeve tuaja?

Në fakt poezia ime nuk ka këtë herë, pasi ajo është vazhdimësi, por libri i fundit sjell një dialog midis meje e botës sime dhe burrave të jetës sime dhe botës ku ato janë… Libri ka një kushtim në dy kënde. U këndoj burrave që nuk janë: babait, vëllait dhe tim shoqi, për të ndërtuar një model tek burrat që janë… dy djemtë e mi. Koncepti i rritjes ka nevojë për modele të mira edhe poetike… Jeta që të rrjedhë gjithashtu, por edhe vdekja njëkohësisht.

Poetika kësaj here është e thjeshtë e diktuar nga rrëfimi, konstatimet. Vargjet kanë brenda tyre ngjarje, por mungon subjekti, ka rrëfim ku dominon dialogu, ka personazhe, por mungojnë emrat konkretë.

 

 ‘Ne flasim për dy botë të ndryshme’ titullohet libri, e njëkohësisht edhe një nga poezitë, çfarë shpreh bota poetike e Adës në këtë ndryshim të cituar?

Titulli është sa konkret po aq edhe simbolik pasi të shtyn në atë ngasjen për të ditur se cilët janë dy botët, por leximi të sjell menjëherë në vete. Për të gjithë ne ka dy bote, kjo ku jetojmë dhe bota e njerëzve të dashur që nuk jetojnë më. Të ndërtosh raporte midis tyre sidomos poetike, të ndihmon në kapërcime dhe ecje të vazhdueshme përpara. Ajo që i bashkon të dyja botët është dashuria, malli dhe i dallon këndvështrimi për gjërat dhe mbi gjërat… Po e ilustroj: unë shoh burrat, im shoq gratë…

 

Ju jeni autore e disa librave, shkruani gjithashtu edhe në prozë, por ku dhe kur e ka zanafillën krijimtaria juaj?

Deri më sot kam shkruar poezi, prozë të shkurtër dhe tani po punoj mbi një proze të gjatë. Zanafilla ka qenë poezia. Kam shkruar që fëmijë. Po kështu kam botuar dhe fituar çmime që herët. Por libri i parë daton vonë në vitin 2003. Për mua është poezi që lexohet me një frymë, por të detyron t’i rikthehesh dhe të shtyn me kureshti te tjera…

 

 Në çfarë përmbajtje merr jetë poezia juaj?

Shtysa kryesore është fëmijëria dhe im atë. Familja ime me ka dhuruar një fëmijëri të mirë referuar kohës. Burrat e familjes më kanë dashur, adhuruar dhe më kanë dhënë “material” që unë të isha një femër me dije, plot botë dhe … e fortë… Ata me kane bere kjo qe jam sot.

 

Si e shikoni poezinë e ditëve të sotme? Si vijnë te ju vargjet e poetëve të rinj?

Sot shkruhet shumë poezi… Shumë libra… Kjo s’është keq. Ka mjaft aktivitete promovuese edhe cilësore. Unë i ndjek sa mundem zhvillimet e reja poetike. Në ndjesinë time poezia e shkruar pas ’90-s është poezi mjaft e mirë. E sotmja mbetet për t’u parë në ecje.

 

A vlerësohen femrat poete?

Unë kurrë nuk e ndaj letërsinë, si letërsi të shkruara nga femra apo meshkuj. Letërsia është e mirë ose e keqe, si kur shkruhet nga njëra palë dhe nga tjetra. Nëse ka një raport ku mbizotërojnë shkrimtarët meshkuj kjo është e përbotshme dhe ka lidhje po me raportet gjinore që ekzistojnë sot. Unë jam njeri i arsimit, poete dhe si e tillë ia kam dalë natyrshëm të arrij te “lindja” e veprave, jo si femër, por si Ada.

 

A janë përkthyer femrat shqiptare në gjuhë të huaja?

Sa kam unë dijeni një pjesë e femrave shkrimtare shqiptare e kanë përkthyer krijimtarinë e tyre në gjuhë të huaj. Kjo është një gjë mjaft e mirë dhe sigurisht e padrejtuar nga këtu, kështu besoj unë.

 

A ndihen sot të vlerësuara krijueset?

Ne jetojmë në një vend ku shkrimtarët nuk shihen si njerëzit më të vlerësuar në të gjitha aspektet. Madje në një mase të madhe shihen si njerëz që humbin kohën kot, pak jashtë realitetit etj, etj. Por personalisht nuk kam zgjedhur dhe pretendoj të jetoj përmes librave. E kam ndërtuar veten përmes tyre për të qenë një profesioniste e realizuar dhe ia kam dal.

 

Si është roli i gruas në shoqëri, si mësuese?

Punoj ne fushën e arsimit. Aktualisht drejtoj një shkollën private, por përgjatë 20 viteve kam prekur të gjitha hallkat e arsimit. Mësimdhënëse, drejtuese, specialiste, inspektore, trajnuese etj. Nuk e kam zgjedhur këtë profesion sepse jam femër, por sepse e dua. Kështu që pavarësisht të vërtetës që në arsim ka më shumë femra, zgjedhja ime është e lidhur me frymëzimin familjar dhe dijet e marra që në fëmijëri. Roli i mësueses është roli i dytë më i rëndësishëm në shoqëri. Sipas meje i pari është roli i familjes. E ndër këto unë nuk diferencoj dot femrën dhe nuk luaj dot me kartën e mësueseve më të mira femra.

 

Pse mendoni ka më shumë mësuese se mësues?

Arsyet pse ato dallojnë më shumë në arsim sërish lidhen me numrin. Sa më i madh numri aq më i madh probabiliteti. Ndërkohë dua ta mbyll me qenësinë e padiskutueshme të nënës te femra, e cila sigurisht që në arsim ndikon në të gjitha performancat pozitive të saj.

 

 

 

 

 

Share it :