“Der Standard”/ Thaçi: Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm për Kosovën

Der StandardZëvendëskryeministri dhe njëherazi Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për gazetën austriake “Der Standard” se institucionet e Kosovës, edhe pas vendimit, janë të përkushtuara që ta themelojnë Gjykatën Speciale.

“Ka pasur shumë akuza për situata të paqena dhe shpifje kundër luftës së drejtë të popullit të Kosovës për pavarësi. Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë. Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës, si dhe ndaj atyre që na mbështeten”, ka thënë Thaçi për “Der Standard”, duke shprehur bindjen se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Thaci u përgjigj se Kosova është një shembull i bashkëpunimit në një rajon që ka vuajtur mjaft gjatë nga luftërat e konfliktet. “Në këtë raund të dialogut, ne presim që të nënshkruajmë marrëveshje për Telekomin, Energjinë dhe Asociacionin e Komunave”.

Ndërkaq, i pyetur për rolin e Austrisë në fushën e telekomunikacionit gjatë bisedimeve me palën serbe, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se pret që të finalizohet tash kjo marrëveshje, dhe më në fund Kosova të marrë kodin e vet telefonik. “Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm këtu, duke aplikuar në ITU për kod shtetëror, i cili do të përdoret nga Kosova”, ka thënë Thaçi, raporton “Der Standard”.

Share it :