Brukseli dhe BB: Ekonomia shqiptare vijon të jetë “e lodhur”

Ervin Kaduku

treg fruta perime–  Rreziqe serioze konstatohen nga Komisioni evropian, ndërkohë që qeveria vijon të mbajë në nivel tepër të ulët shpenzimet për investime publike

Rritja ekonomike bazuar në të dhënat zyrtare për vitin 2014 rezulton në vlerën 1.89%. Ministria e Financave ka gati buxhetin faktik të vitit 2014, çka tregon se si janë menaxhuar financat publike dhe çfarë ka ndodhur realisht me buxhetin dhe treguesit e konsoliduar të tij. Ky draft pas miratimit të qeverisë i përcillet Kuvendit.

Ministria e Financave, nisur nga shifrat e konfirmuara zyrtare, bën me dije se ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja përmirësimi gjatë vitit 2014, me përjashtim të tremujorit të dytë. Vlera e shtuar në ekonomi ka regjistruar një rritje prej vetëm 1.89 për qind krahasuar me vitin 2013.

Ndërkohë, trendi jo i kënaqshëm ekonomik vijon edhe në pesë muajt e patë të këtij viti. Niveli i deficitit buxhetor gjatë 5-­mujorit të parë të këtij viti është në vlerën e 9.7 miliardë lekëve, sipas statistikave paraprake zyrtare të Ministrisë së Financave. Krahasuar me një vit më parë deficiti është rreth 1.9 miliardë lekë më i ulët, por kjo duhet parë në dy aspekte, e para si hap pozitiv i një “menaxhimi të kujdesshëm” të financave publike, dhe e dyta si një anë negative, e mosrealizimit të investimeve publike. Kështu referuar të dhënave të treguesve fiskalë të 5 mujorit rezulton se të ardhurat në buxhet për këtë periudhë janë në vlerën e 151.5 miliardë lekëve, shpenzimet në vlerën e 161.2 miliardë lekëve. Po sipas këtyre të dhënave investimet kapitale llogariten në vlerën e 17.1 miliardë lekëve ose vetëm 25% e planit vjetor. Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, gjatë 5 mujorit të parë të vitit të kaluar të ardhurat në buxhetin e shtetit llogariteshin në vlerën 144.6 miliardë lekë, shpenzimet 156.3 miliardë lekë dhe deficiti 11.6 miliardë lekë.

 

Komisioni Evropian

Tendenca e ulët e rritjes është konstatuar dje edhe nga një dokument i Komisionit Evropian, që ka publikuar pjesën e parë të programit të reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate në Bashkimin Evropian, ku përfshihen Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina dhe Kosova.

Për Shqipërinë, raporti vlerëson se pas përkeqësimit të shpejtë të rritjes ekonomike pas krizës, ekonomia e Shqipërisë tashmë duket se po përjeton një rritje të ngadaltë. Kjo rritje po udhëhiqet nga kërkesa e sektorit privat, shpenzimet konsumatore që po përfitojnë nga përmirësimi i besimit dhe rritja në punësim si rrjedhim i kushteve më të mira të likuiditetit të bizneseve, në sajë të vendimit të qeverisë për të kthyer detyrimet e prapambetura.

Megjithatë, raporti thekson se, pavarësisht përshpejtimit të ritmeve ekonomike, që pritet të jenë mesatarisht 3.8% në vit, rritja vjetore e prodhimit gjatë tre viteve në vijim do të jetë shumë më e ulët sesa ajo e para krizës, si dhe ekonomia do të përballet me rreziqe.

Bankat shqiptare, megjithëse të mirëkapitalizuara dhe likuide, janë ende të rënduara nga barra e rëndë e kredive me probleme, një trashëgimi e viteve të lulëzimit dhe rënies së mëparshme. Vendi është gjithashtu i ekspozuar ndaj disa shteteve të brishta të BE-së, përmes tregtisë, remitancave dhe flukseve financiare. Sektori i energjisë, që varet pothuajse nga hidrocentralet gjithashtu, është një rrezik për panoramën ekonomike dhe fiskale.

Investimet në Shqipëri, që kanë një përmbajtje të lartë importi nënkuptojnë se deficit i llogarisë korente pritet të përkeqësohet më tej në vitet në vijim, pavarësisht vazhdimit të rritjes së eksporteve.

Deficiti i lartë i jashtëm, që është më shumë se 12% e PBB-së, reflekton një bazë të ngushtë eksportesh, gjithashtu dhe një diferencë të konsiderueshme të raportit kursim-investime, (Diferenca mes kursimeve neto private dhe investimeve neto private), për shkak të nevojave të larta për investime, që duhet reduktuar në afatin e gjatë, teksa normat e kursimeve kombëtare rritet me nivelet e prodhimit dhe të ardhurave.

Kjo, thekson raporti, nënkupton nevojën për të përmirësuar mjedisin e investimeve për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe të sigurohet që ato të vazhdojnë të financojnë deficitin e llogarive korente, ndërsa forcohen themelet për produktivitete dhe prodhim më të lartë.

Rreziqe të tjera lidhen me lidhjet e larta tregtare, të remitancave dhe financiare me Greqinë e Italinë, ku çdo zhvillim i pafavorshëm në këto shtete mund të godasë dhe Shqipërinë.

Rreziqe ka dhe në kahun e prodhimit, si rrjedhojë e ndryshimit të kushteve të motit, për prodhimin e energjisë dhe rënien e çmimeve të naftës.

Sistemi bankar, thekson raporti, duket stabël, por nuk është i imunizuar ndaj rreziqeve të kreditit dhe borxhit kombëtar.

Në tërësi, treguesit e kapitalit dhe likuiditetit janë përmirësuar për shkak të zvogëlimit të nevojës për të lënë mënjanë provizione për huatë me probleme. Aktiviteti bankar vazhdon të jetë i financuar në thelb nga depozitat, me normën hua-depozita që është në rreth 55%.

Megjithatë, huatë me problem mbeten të larta dhe megjithëse ato janë të provigjonuara mirë, NPL-të neto ende llogariten në rreth 50% të kapitalit të bankave. Për më tepër, pavarësisht tendencës rënëse, niveli i lartë i eurozimit të ekonomisë mbetet një shqetësim, pasi ai i ekspozon bankat ndaj rreziqeve të kredisë: huatë në monedhë të huaj ndaj huamarrësve të pambrojtur ende përbëjnë rreth një të tretën të stokut total të huave, duke e bërë ripagimin e tyre të ndjeshëm ndaj një zhvlerësimi të fortë të lekut.

 

Banka Botërore

Para pak muajsh, Banka Botërore njoftoi se do të disbursojë një shifër prej 1.2 miliardë dollarësh për Shqipërinë në harkun e disa viteve. Por ajo ka shprehur shqetësim lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare. Risku i përgjithshëm për përmbushjen e marrëveshjes së re katërvjeçare ndërmjet Bankës Botërore dhe qeverisë ku pritet të disbursohen 1.2 miliard USD vlerësohet si i konsiderueshëm, sipas burimeve zyrtare.

 

1- Rreziku kryesor për zbatimin me sukses të KPV-së ka të bëjë me objektivin kryesor të qeverisë për të rikthyer rritjen ekonomike. Ky objektiv dhe programi i GBB-së në mbështetje të tij përballen me risqe të konsiderueshme makroekonomike. Kjo mund të sjellë ndërlikime për DPL-të, në rast se kuadri makroekonomik devijon nga drejtimi. Shqipëria ka një ekspozim relativisht të lartë kundrejt zhvillimeve në vendet fqinje, sidomos në Greqi e itali, nëpërmjet remitancave, eksporteve dhe investimeve të huaja.

Amullia e zgjatur në Eurozonë dhe një ritëm zhvillimi më i ulët se parashikimet në zonën Euro mund të sjellin një nivel më të ulët rritjeje, mbledhjeje të ardhurash dhe konsolidimi fiskal nga sa pritej. Për më tepër, duke pasur parasysh ekspozimin e madh të sektorit financiar ndaj tronditjeve të jashtme rregullatore, ekzistojnë rreziqet e një trysnie të mundshme nga reduktimi i borxheve nëpërmjet shitjes së aktiveve nga bankat e huaja.

 

2- Rrezik tjetër janë dobësitë institucionale dhe kapacitetet e kufizuara të agjencive zbatuese mund të minojnë progresin, pavarësisht angazhimit të fortë politik për reforma dhe mund të paraqesin një rrezik të konsiderueshëm. Rreziqet në fjalë mund të përkeqësohen me zbatimin e reformës administrativo-territoriale dhe transferimit të më shumë përgjegjësive te njësitë e pushtetit vendor, të cilat, aktualisht, kanë kapacitete të dobëta institucionale. Përveç kësaj, objektivat që lidhen me tokën dhe zhvillimin e turizmit mund të përballen me rreziqe potencialisht më të larta ndaj sociale dhe të mbrojtjes së mjedisit.

 

3- Rreziku i tretë është mjedisi i mirëbesimit dhe qeverisja e dobët përbëjnë rrezik thelbësor për arritjen e objektivave të KPV-së. Disa dobësi janë identifikuar në mjedisin e përgjithshëm të mirëbesimit, që karakterizohet nga vlera të ulëta e mesatare në treguesit kryesorë diagnostikues. Pavarësisht përmirësimeve, fushat që kanë mbetur prapa, sipas identifikimit në vlerësimin e PEFA-s për vitin 2011, janë: i) perspektiva shumëvjeçare në planifikimin fiskal dhe formulimin e politikave; ii) kontrolli i brendshëm; iii) zbatimi i sistemit të planifikimit të integruar dhe iv) objekti e natyra e funksionit të kontrolleve të jashtme.

 

4-Rreziku i radhës vlerësohen probleme e shpeshta me prokurimet dhe me menaxhimin e kontratave, ndërsa për projektet me komponentë të komplikuar projektimi është ofruar mbështetje (si, për shembull, nëpërmjet marrjes në punë të ekspertëve të prokurimit të IT-së). Rritja e përdorimit të udhëzimeve të prokurimeve elektronike dhe udhëzimeve të Bankës gjatë procesit të prokurimeve lejon kontroll më të madh, duke lehtësuar kështu disa rreziqe. Rreziqet e lidhura me mirëbesimin dhe qeverisjen përbëjnë një sistem me ndikime të mundshme mbi objektivat e KPV-në, i mbështetur nga huadhënia për investime në fusha të tilla si toka, energjia, zhvillimi i turizmit dhe uji.

Së pesti, rreziku nga aktorët konsiderohet si relativisht i ulët për shkak të: i) historikut me rezultate pozitive të Bankës Botërore në Shqipëri; ii) mbështetjes së fortë publike për programin afatmesëm të reformave të qeverisë, dhe iii) dinamizmit të shtuar të procesit të pranimit në BE, i cili forcon më tej mbështetjen publike për reformat.

 

Së shpejti rekrutohen 500 inspektorë të rinj tatimesh

Administrata e Përgjithshme e Tatimeve do të rekrutojë së shpejti 500 inspektorë terreni. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur se tashmë është marrë vendimi nga Qeveria për punësimin e 500 inspektorëve plotësues me kontratë të përkohshme 3 mujore. Sipas këtij vendimi, këta inspektorë do të shpërndahen në terren, kryesisht 200 në Tiranë dhe 300 në rrethe. Po sipas të njëjtit burim, këta inspektorë­plotësues do të kryejnë akte inspektimi nëpër biznese, por cilësohet së ata nuk kanë të drejtë të penalizojnë, pra e thënë ndryshe të vendosin gjoba, për shkelje ligjore apo mungesë dokumentacioni nga ana e sipërmarrjes.

Kjo shtesë e numrit të inspektorëve tatimorë, bëhet pas kërkesës së drejtuesve të Administratës së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët kohë më parë janë shprehur se nuk kanë kapacitetet e duhura për të kontrolluar biznesin në të gjithë vendin. Kjo besohet që po bëhet edhe në kuadër të luftës ndaj informalitetit që qeveria shqiptare ka nisur këtë vit në disa sektorë të cilët janë cilësuar si me risk më të lartë në këtë drejtim. Aktualisht informaliteti është në nivele të larta, sidomos në biznesin e vogël, që sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mban edhe barrën më të madhe të borxhit tatimor. Ndërkohë Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore gjatë 5­mujorit të parë të 2015, është fokusuar në trajnimin e thelluar të punonjësve të administratës tatimore, ku kryesisht është punuar edhe me trajnimin fillestar për punonjësit e rinj, si dhe në trajnimin për çështje specifike, që kanë të bëjnë me njohjen me të rejat në fushën fiskale. Synimi i këtij procesi është rritja profesionale, duke i ndihmuar kështu burimet njerëzore të administratës tatimore të rrisin kapacitetet e tyre menaxhuese dhe profesionale.

 

Përpjekje për investime rajonale në hekurudha e infrastrukturë

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Riga. Ai tha se hapi i parë konkret në zbatimin e rrjetit bazë të dakordësuar midis palëve, në kuadër të procesit të Berlinit, është krijimi i grupit teknik me Malin e Zi, për të përgatitur aplikimin për studim fizibilitetit për projektin e Autostradës Adriatiko-Ioniane, pranë institucioneve financiare në BE, i cili do të mblidhet në Tiranë javës që vjen.

Ai gjithashtu informoi për angazhimin në plotësimin e studimeve dhe programimin e investimeve për Korridorin Veri-Jug, pjesë e kësaj autostrade. “Dëshiroj t’ju informoj se kemi punuar në terma konkrete në lidhje përfundimin e të gjitha studimeve për segmentet e Korridorit Adriatiko – Jonian, të tilla si Thumanë – Vora, By-pass i Tepelenës, apo lidhja Tiranë – Durrës. Sa i takon punimeve kemi pasur progres konkret, sa i takon zbatimit të By-passit të Rrogozhinës, atij të Fierit dhe shumë segmente të tjerë pjesë e këtij Korridori”:- tha ai.

Pjese e rëndësishme e procesit është edhe hekurudha, për të cilën Ministri Haxhinasto deklaroi se qeveria shqiptare është duke i kushtuar shumë vëmendje, nëpërmjet studimit dhe projektimit për lidhjen Tiranë – Durrës dhe me Aeroportin e Rinasit, si dhe për projektin e fizibilitetit për të gjithë rrjetin hekurudhor shqiptar, duke përfshirë edhe lidhjet me fqinjët. Duke falënderuar edhe Komisionin për mbështetjen e dhënë, ai deklaroi aprovimin e financimit të studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore të Korridorit VIII, rehabilitimin e segmentit Durrës-Lin-Pogradec, si dhe ndërtimin e linjës së re Lin – Kufiri me Maqedoninë.

 

 

Kriza greke sheh dritë në fund të tunelit

Kriza greke ka marrë një kthesë tejet pozitive. Presidenti i Këshillit të Evropës e cilësoi propozimin e ri grek për zhbllokimin e ngërçit si një hap pozitiv përpara. Sipas tij, qëllimi është që ministrat e financave të Eurozonës të miratojnë ditën e Mërkurë marrëveshjen e reformave në këmbim të ndihmës financiare, duke i hapur rrugën kështu aprovimit final nga liderët e të 19 vendeve gjatë ditës së enjte. Gjithsesi, fillimisht duhet arritur një marrëveshje specifike dhe e detajuar mes palëve që të përfaqësojë produktin e bisedimeve të ditës së Hënë gjatë samitit emergjent. Pavarësisht faktit se Evropa dhe tregjet kanë reaguar me eufori ndaj zhvillimeve pozitive të ditëve të fundit, vetë grekët duken të ndarë në mendime, ashtu si vetë parlamenti i vendit, që duket se nuk do ta ketë të lehtë të aprovojë marrëveshjen. Edhe opinionet e qytetarëve duken të ndara për sa i përket zgjidhjes që ka ofruar Tsipras ndaj kreditorëve. “Gjërat janë aq të ndërlikuara, sa ne nuk na bën përshtypje një ndarje e re e barrës, për sa kohë që gjërat do të përmirësohen. Unë nuk e di, por më duket se po na lënë në pritje. Për pensionistët, të papunët dhe për ata që kanë kërkuar borxhe për mbijetesë, situata është mjaft e vështirë. Shpresojmë për më të mirën. Duhet të qëndrojmë të qetë”.

Nga ana tjetër, janë të shumtë edhe ata të cilët nuk ia falin Kryeministrit Tsipras tradhtinë. “Do të jetë e dhimbshme. Kryeministri nuk duhet të nënshkruajë një marrëveshje me kreditorët, ai nuk duhet ta bëjë diçka të tillë”. “Kryeministri ka premtuar gjëra tërësisht të ndryshme nga ato që po thotë tani. Ne duam atë çka ai na premtoi. Nuk duam mirëqenie, duam që mos të na shkurtohen pensionet, asgjë më shumë se kaq, dhe të jetojmë në paqe. Jemi shumë të mërzitur nga këto që po ndodhin”.

Nga ana tjetër, edhe reagimi i ligjbërësve grek nuk ka qenë aspak në favor të Kryeministrit Tsipras, i cili tashmë vihet në bankën e të akuzuarve nga vetë populli i tij, dhe e shikon sfidën të transferuar nga Brukseli në Athinë. Ndërkohë, në kryeqytetin helen janë zhvilluar protesta të mbështetësve dhe kundërshtarëve proevropianë.

Share it :