Jetmir Olldashi
Flet kandidati i PD-së për Bashkinë Kamëz: Do të vazhdoj të jem 24 orë në shërbimin qytetar
Mziu: Në 4 vitet e ardhshme banorët e Kamzës dhe Paskuqanit do të kenë më shumë urbanizim, punësim dhe dinjitet
Xhelal Mziu është rikonfirmuar në unanimitet nga strukturat e degës së PD-së, nga kryesia e PDSH-së dhe kryetari Basha për të qenë kandidat për mandatin e tretë në krye të Bashkisë Kamëz. Zoti Mziu vjen me një bilanc konkret para bashkëqytetarëve si dhe me projektet e së ardhmes që pritet ta zhvillojnë më tej Kamzën dhe Paskuqanin. Në një intervistë, z. Mziu flet për rikandidimin, punën e tij 8-vjeçare si dhe shpalos projektet për një tjetër mandat.
Zoti Mziu, si e pritët besimin e kryetarit Basha për të rikandiduar për kreun e Bashkisë Kamëz dhe si do ta lexonit ju këtë besim ndaj jush?
Besimi i kryesisë së PDSH-së dhe kryetarit Basha për të më konfirmuar si kandidat në krye të Bashkisë së Kamëz, veçse një vlerësim, është më shumë një përgjegjësi e madhe.
A keni punuar mbi një strategji zhvillimi në dy mandatet e para?
Në 8 vite u investuan mbi 54 milionë euro. Jemi ndër qytetet e para që kemi mundësuar miratimin e planit urbanistik, u hartua dhe u zbatua sistemi i adresave dhe emërtimi i 505 rrugëve, janë asfaltuar mbi 140 km rrugë, janë ndërtuar 18 objekte shkollore me standarde evropiane etj. One Stop Shop, më e mira në Shqipëri, e vlerësuar nga ndërkombëtarët si praktika më e mirë e qeverisjes vendore, është 3-fishuar numri i bizneseve, nga 600 në 1800, në të cilat u punësuan 10 mijë qytetarë. Të ardhurat e Bashkisë janë 10-fishuar krahasuar me 8 vitet më parë. Bashkia Kamëz ka bërë realitet atë vizion që ka përcaktuar në strategjinë e zhvillimit që në vitin 2008Të ardhurat vendore të realizuara në vitet 2007-2015 janë 10 herë më të mëdha krahasuar me buxhetin dhe të ardhurat e realizuara 9 vite të marra së bashku, 1998-2006.
Si ka qenë bashkëpunimi me pushtetin qendror vitit 2013 dhe si është tani?
Me qeverinë “Berisha” kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë dhe rezultat i kësaj janë dhe projektet e mbështetura në financim veç atyre që kemi realizuar me të ardhurat vendore. E kundërta ndodh sot, qeveria “Rama” ka dhunuar kompetencat e pushtetit vendor. Një veprim i tillë nuk mund të pritej nga ky kryeministër, i cili ka qenë vet 11 vjet kryebashkiak. Dihet tashmë marrja dhe dhunimi i kompetencave nga ekzekutivi si: vjelja e taksave të biznesit të vogël dhe bllokimi i lejeve të ndërtimit, diferencimi në dhënien e granteve, të cilat kanë dëmtuar shumë bashkitë. Edhe një herë, unë jam për bashkëpunim mes pushtetit ekzekutiv dhe atij vendor.
Cila janë problemet reale me të cilat përballen sot banorët e Kamzës dhe Paskuqanit?
Papunësia është plaga më e madhe, me të cilën përballen banorët e Kamzës dhe Paskuqanin, qytetarët po vuajnë keqqeverisjen “Rama”. Papunësia në radhët e tyre është rritur dhe për këtë ka ndikuar edhe bllokimi i lejeve të ndërtimit, të cilat gjeneronin vende pune. Sot qytetarët kërcënohen nga qeveria vetëm me burg. Burg, nëse do të ndërhyjnë të kryejnë ndonjë punim të shtëpia; burg për energjinë etj. Problem shqetësues në Bashkinë Kamëz është debia e energjisë elektrike. Unë jam dakord që të paguhet energjia, por shteti duhet të ketë prioritet qytetarin, jo ta dhunojë atë. Së pari, jam për falje 100% të kamatëvonesave të qytetarëve; së dyti një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në Kamëz dhe Paskuqan përballen me mbifaturime. Familje të tëra sot janë pa energji elektrike.
Si ju duket qeverisja e deritanishme e Ramës?
Nuk ka shqiptar sot që i beson kësaj qeverie, zhgënjimi është i madh. Premtimet e pambajtura të qeverisë “Rama” në 2 vjet janë: premtoi 300 mijë vende pune, po rikthehet eksodi tronditës i varfërisë; rriti taksat, duke sjellë falimentim të bizneseve; rriti çmimin e energjisë elektrike dhe burgosi qytetarët, si dhe mashtroi duke premtuar legalizim dhe shërbim shëndetësor falas.
Përse kërkoni një tjetër mandat nga qytetarët?
Duke qenë se qyteti ndryshoi rrënjësisht në këto 8 vite dhe ne hodhëm bazat e këtij ndryshimi, duam të ngremë ndërtesën e së ardhmes. Kemi hartuar programe dhe projekte për vazhdimësinë, për të ardhmen, madje kemi siguruar edhe fonde të konsiderueshme për vënien në jetë të tyre, duke krijuar besueshmërinë dhe vlerësimin e merituar të qeverisë, donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare më prestigjioze.
Cilat do të jenë angazhimet tuaja për një tjetër mandat? Nga do ta nisni punën ditën e parë si kryebashkiak i rimandatuar pas 21 qershorit? Cili do të jetë vizioni juaj?
Vizioni im për të ardhmen e Kamzës dhe Paskuqanit është përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Bashkia i ka dyert e hapura për këdo, një bashki të cilën qytetarin e sheh si një partner në zhvillimin e qytetit. Projektet për të ardhmen e Kamzës dhe Paskuqanit do të bëjnë realitet atë që ne kemi përcaktuar në vizionin për Kamzën dhe Paskuqanin, për të bërë atë një qytet plotësisht të integruar dhe me kushte jetese që i bëjnë qytetarët të jetojnë dhe punojnë me dinjitet ne qytetin e tyre.
Sa besoni në fitoren tuaj dhe nëse po, cilat mendoni se janë anët tuaj më të forta?
Unë besoj në fitore. Këtë garanci më shumë ma japin takimet e përditshme që kam me qytetarët e Kamzës, të cilët kërkojnë të vazhdojmë së bashku ndryshimin, si dhe të Paskuqanit, të cilët presin një administrator, i cili do të sjellë ndryshime rrënjësore në infrastrukturë, siç ka bërë deri më tani.
Si e konsideroni kundërshtarin tuaj?
Rivali im në garë nuk ka asnjë lidhje me qytetin e Kamzës. Por megjithatë vendi i dytë i takon atij dhe është vend nderi. Këtë do ta tregojnë qytetarët përmes votës më 21 qershor.
Mesazhi juaj për zgjedhësit?
U bëj thirrje të më votojnë mua dhe Partina Demokratike. Duke më votuar mua, ju keni votuar për njërin prej jush. Duke më votuar mua, ju votoni për Kamzën dhe Paskuqanin modern, për më shumë urbanizim, punë dhe dinjitet, votoni për vazhdimësinë e zhvillimit të dy qyteteve! Të vazhdojmë së bashku për më shumë urbanizim, më shumë punësim e mirëqenie për fëmijët tanë!
Projektet madhore për 4 vitet e ardhshme
– Këto ditë fillon investimi prej 55 milionë euro për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në Kamëz e Paskuqan
– Do të asfaltohen të gjitha rrugët
– Do të ndërtohet tregu agro-ushqimor në Kamëz e Paskuqan
– Do të ndërtohet pallati i sportit më i madhi në Ballkan
– Do të hapim qindra e mijëra vende të reja pune për të rinjtë
– Do të falen të gjitha debitë për ujin, taksat e tarifa për çdo familje
– Do të stimulojmë nxënësit e dalluar
– Do të ndihmojmë fëmijët jetimë
Kush është Xhelal Mziu?
Xhelal Mziu ka lindur më 14 prill 1967, në Dibër, babai i tre fëmijëve, ekonomist. Është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin Ekonomik, në vitin 1993, dhe ka thelluar studimet me Masterin Shkencor në vitin 2013 si dhe mban titullin Doktorë. Është student i Dhjetorit dhe themelues i PD-së. Në vitin 2005 u zgjodh kryetar i nëndegës PD Kamëz, anëtar i Kryesisë së PD-së Tiranë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH-së për t’u zgjedhur në 2014-ën kreu i degës së PD-së Kamëz. Në vitet 2005-2006 u zgjodh president i Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve. Në këto përvoja shërbimi e komunikimi me qytetarët, z. Mziu u njoh në imtësi me shqetësimet e komunitetit dhe u dallua për vizionin që kishte për Kamzën, gjë e cila e çoi që në 18 shkurt 2007 të zgjidhej kryetar i Bashkisë Kamëz.




