Artan Cena
Avokati Ferdinand Doja ka sqaruar se nuk ka asnjë konflikt që mund të sillte djegien e automjetit të tij. Bashkë me “Benzin” e tij janë djegur edhe dy makina të tjera
Makina e avokatit Ferdinand Doja është djegur qëllimisht në orët e para të mëngjesit, ndërsa ndodhej e parkuar në rrugën “Ali Pashë Gucia” pranë dy makinave të tjera, edhe ato të dëmtuara si pasojë e zjarrit. Avokati Doja ka mbrojtur ndër proceset e fundit interesat e gjermanes Pranvera Ebeling, bashkëjetueses së Ilir Hysenit dhe gjithashtu avokati i ketij te fundit i arrestuar dhe i hetuar për kokainën e sekuestruar në laboratorin e përpunimit të drogës në Xibrakë të Elbasanit. Ky fakt konfirmohet nga Policia e Shtetit e cila ka nisur hetimet për ngjarjen tashmë të regjistruar si zjarrvënie e qëllimshme për shkak të detyrës dhe dëmtime prone. Veç makinës tip “Mercedes-Benz” me targa AA 170 JN në pronësi të avokatit e cila u dogj plotësisht, janë dëmtuar edhe dy automjetet Ford me targa AA 723 EJ në pronësi të personit me inicialet Xh. N., dhe makina Toyota me targa AA 931 IC në pronësi të shtetasit me inicialet N. B.
Dëshmon avokati
Burime nga policia thanë se gjatë deklaratës në polici, avokati Doja ka thënë se nuk ka konflikte dhe se nuk e di se kush mund të ketë qenë i interesuar. “Nuk kam njerëz të dyshuar tek të cilët mund të vë gishtin. Duhet të mendohem për persona të mundshëm”, – mësohet të ketë thënë avokati në polici. Së bashku me avokatin Doja, ata janë marrë në pyetje nga ekspertët kriminalistë në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm, por deri më tani policia ende nuk ka një autor të identifikuar. Mes tyre është djegur edhe makina e Ferdinand Doja, avokati i Ilir Hysenit, i cili është i dyshuari kryesor nga organet e drejtësisë si koka e trafikut të kokainës, në laboratorin e zbuluar më 14 janar në Xibrakë të Elbasanit. “Mjeti tip “Mercedes-Benz” me targa AA 170 JN në pronësi të shtetasit F. N., (e cila është djegur komplet), mjeti “Ford” me targa AA 732 EJ në pronësi të shtetasit Xh.N (e djegur pjesërisht në pjesën e përparme) dhe mjeti “Toyota” me targa AA 931 IC ne pronësi të shtetases N. B., (e djegur në pjesën e pasme të mjetit)”,¬ thuhet në njoftimin e Policisë.
Kush është Ilir Hyseni
Ilir Hyseni, i arrestuar në Shqipëri si “koka” e laboratorit të përpunimit të kokainës në Xibrakë, rezulton në se është në kërkim nga autoritetet kanadeze, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe pikërisht të kokainës. Një fakt i tillë konfirmohet nga faqja online e zyrës qendrore të Interpolit, www.interpol.int. Në listën e personave me shtetësi shqiptare, rezulton fotoja e Ilir Hysenit, por me emrin Bali Meta. Hyseni 47-vjeçar, u arrestua me 14 janar gjatë operacionit të koduar “Xibraka”, ndërsa rezulton se përdorte dy identitete, atë Ilir Hyseni identiteti i parë i tij dhe Bali Meta. Me emrin e parë ai njihej në Shqipëri, ku dhe u cilësua si person kyç në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Me emrin e dytë, ai figuron në listën e personave të shpallur në kërkim nga autoritetet kanadeze për hetimet të lidhura me trafikun e kokainës. Emri, Bali Meta, 47 vjeç, figuron në faqen e Interpol e cila e ka shpallur në kërkim me kartelë kuqe, çka do të thotë se i kërkuari cilësohet si një person të rrezikshëm.
“Avioni i Divjakës”, dështon seanca e parë ndaj italianit e shqiptarëve
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka nisur me shtyrje procesin gjyqësor ndaj pilotit italian Giorgo Riformato dhe bashkëpunëtorëve të tij, në trafikun e drogës me avion. Sipas gjykatës, Policia e Shtetit nuk ka bërë verifikimin e 3 personave të shpallur në kërkim, Mariglen Ymeraj, Kristian Damçe dhe Orgest Bilbili, për të vazhduar procesin gjyqësor në mungesë të tyre. Për këtë fakt, gjykata përsëriti kërkesën ndaj Policisë së Shtetit dhe legjitimoi avokatët mbrojtës në këtë proces. Në sallën e gjyqit, ishte i pranishëm vete i pandehuri Riformato, i cili ka mohuar akuzën e trafikut të drogës. Duke pretenduar se ishte detyruar të ulet për shkak të defektit teknikë në plazhin e Divjakës. Ai ka mohuar njohjen me organizatorin e këtij trafiku Sajmir Bajrami, i cili ka rrëfyer dhe zbardhur linjën e trafikut të drogës me avion nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërsa të pandehurit e tjerë të këtij procesi, kanë pranuar se në një magazinë në Lushnje me porosi të ish-agjentin e antidrogës Ymeraj kanë paketuat hashashin që do të transportohej nga Riformato kundrejt shumës prej 1000 euro. Prokurorët thonë se është provuar tashmë se i pandehuri Bajrami dhe Ymeraj janë organizatorët e këtij trafiku, të cilët kanë kontraktuar pilotin Italian Riformato për kryerjen e transportit të drogës kundrejt 400 euro për çdo kg hashash. Sipas akuzës, Bajrami së bashku me pilotin Italian kanë vëzhguar plazhin e Divjakës një ditë para uljes për të marrë sasinë e drogës, ku avioni pësoi defekt në rrotën e parë. Pas dëmtimit të rrotës, avioni nuk ka arritur të fluturoje, ç’ka bërë që policia të kryej arrestimin në flagrance të Riformatos më datë 10 maj 2014 dhe në ikje e sipër organizatorin Bajrami së bashku me sasinë prej 300 kg hashash dhe shumën prej 25 mijë eurove.
TË PANDEHURIT:
Giorgio Riformato
Sajmir Bajrami
Mareglen Ymeraj
Kristian Demçe
Kleviol Ahmeti
Aurel Pupe
Orgest Bilbili
Bllokohet fugoni me 3500 rrënjë kanabis, po dërgoheshin për t’u mbjellë
Policia e Qarkut të Elbasanit ka përfunduar me sukses një aksion të organizuar mesnatën e djeshme, rreth orës 1 të mëngjesit, gjatë të cilit është ndaluar një mjet furgon me 3000 kubikë të kultivuar me bimë narkotike të dyshuar si kanabis sativa. Siç raportojnë forcat blu, pas informacioneve të marra në rrugë operative, efektivët e Komisariatit të Policisë Elbasan janë vënë në ndjekje të automjetit, që po udhëtonte drejt fshatit Shtëpanjë të Komunës Gostimë, në Elbasan. Megjithatë, forcat policore nuk kanë mundur të arrestojnë drejtuesin e mjetit furgon, me targa FR 5776 D, i cili sapo ka parë që po ndiqej prej policisë ka braktisur mjetin dhe, duke përfituar nga errësira dhe zona e pyllëzuar, është larguar nga vendngjarja. Furgoni është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me sasinë e dyshuar bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Ky mjet, pas verifikimeve të policisë, rezulton të jetë vjedhur në qytetin e Fierit më 30 shtator të vitit 2014. Policia bën të ditur se po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që materialet e deritanishme i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprimet e mëtejshme.




