Pse nuk votoj!

Nga Atrida Ferketi

Atrida Ferketi Dua të jem zëri juaj në Këshillin Bashkiak!

Do të ngre zërin për problemet që shqetësojnë komunitetin tim!

Fraza bajate të konsumuara çdo prag zgjedhjeje lokale.

Besova në të të dhashë votën, besova se të zgjodhën mes shumë të tjerëve si specialist, si qytetar i denjë, si pasardhës i familjes me traditë apo “Derë e Madhe”, si e si e si shumë arsye për të cilat fillimisht besova e bindshëm iu drejtova kutisë së votimit, për ty!

Kaluan katër vite e rregullisht ju ndiqja për të dëgjuar zërin tuaj për hallet tona, që s’u zgjidhën asnjëherë. Të votova për forcën e zërit që më premtove!

A duhet të mendoj qe gabova unë e të fajësoj veten apo është faji yt që me zhgënjeve!!! Zërin asnjëherë nuk ta dëgjova, shihja vetëm dorën tënde të ngritur me kartonin jeshil përherë PRO vendimmarrësit. Se unë besova nuk është faji im, qe ty s’ta dëgjova zërin asnjëherë përsëri nuk është faji im, ama kur të më trokasësh përsëri në derë e unë nuk ta hap edhe ky nuk është faji im. Ky është vendimi im të të refuzoj. Kjo është arsyeja ime që të mos votoj për ty e shokët tuaj që heshtën. Ky është qëndrimi im ndaj heshtjes tënde për katër vite me radhë. Atë karrige ku u ule për katër vite me radhë e ke të vështirë ta lëshosh, por pa votën time aty nuk ulesh dot.

Po reagoj me shkrim se unë nuk kam zë, por kam VOTË. Kjo është forca ime dhe forcën e votës e ndjej më të vlefshme se kurrë. Gjithë këto ditë në prag zgjedhjeje më bën thirrje: VOTO për mua nr. XX në fletën e votimit, por këtë radhë kam vendosur të refuzoj ashtu siç më le pa zë, ashtu siç më braktise me heshtjen tënde. Prandaj nuk votoj! Prandaj mos më bëj thirrje të votoj se edhe unë do ngelem anonim me votë ashtu siç ngele ti anonim në Këshillin Bashkiak.

Share it :