Artan Cena
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana. Kolumbiani me banim në Spanjë akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana. Kolumbiani akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai dyshohet se është pritësi i 250 kilogramëve kokainë që vinin nga Ekuadori në një anije që transportonte banane për një kompani shqiptare. Sasi e drogës u bllokua qershorin e kaluar në portin e Tivarit në Malin e Zi. Hetuesit në atë kohë thanë se sasia e drogës kishte destinacion Shqipërinë, por vetëm si tranzit, pasi më pas do të dërgohej në vende të Europës Perëndimore. Gjatë një viti hetim Prokurori nuk arriti të identifikojë persona të tjerë të cilët kanë patur lidhje me kolumbianin. Ata, sipas grupit hetimor, nuk kanë lënë gjurmë gjatë komunikimit pasi janë treguar mjaft të kujdesshëm.
Hetimi ndaj kolumbianit
Kolumbiani Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana qëndroi 23 ditë në vendin tonë dhe në kohën kur mori vesh lajmin për sekuestrimin e drogës, tentoi të largohej drejt Spanjës. Por ai u vu në pranga në Rinas në tentativë për të marrë avionin e linjës. Pas ndalimit ai është marrë në pyetje nga hetuesit ku pranoi se do të ishte pritësi i sasisë së drogës dhe transportuesi i një pjese të parave. Sipas prokurorëve, rekrutimi i tij është bërë në Bogota nga dy persona më të cilët kishte punuar më përpara. Ai mësohet të ketë deklaruar se do të merrte këstin e parë që varionte nga 600 mijë deri 1 milionë euro. Pagesa e tij për lëvizjen e parave do te ishte rreth 200 mijë euro. Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana ka treguar gjatë dëshmisë së tij se ishte pajisur më një numër celular shqiptar dhe priste telefonatën e një personi në Shqipëri. Ai ka sqaruar, se pasi të merrte paratë, duhet të njoftonte një person në Spanjë, i cili do të vinte në Shqipëri për t’i transferuar të hollat përmes bankave, në llogaritë e personave që e kishin sjellë atë në vendin tonë.
Arrestimi në Rinas
Në 12 qershor të vitit të kaluar ka rënë në pranga në Rinas, kolumbiani i cili është vënë nën akuzë se është pritësi i 250 kilogramëve kokainë, e kapur në fillim të muajit qershor 2014 në Malin e Zi. Policia tha se, Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, 36 vjeç, ka tentuar të largohet nga Shqipëria në drejtim të Spanjës, nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Siç ka bërë të ditur prokuroria, kolumbiani kishte ardhur në Shqipëri për të marrë paratë e drogës. Ka qenë ora 21:30 minuta e 12 qershorit 2014, kur kolumbiani Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, banues në Spanjë, është ndaluar në aeroportin e Rinasit. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, ishin marrë disa informacione në rrugë operative për të dhe është ndaluar. Fillimisht 36-vjeçari ishte ndaluar me pretekstin e një dyshimi se, njëri prej dokumenteve që ai kishte me vete, dyshohej se ishte i falsifikuar. Ai është shoqëruar në ambientet e sigurisë së aeroportit fillimisht dhe më pas në atë të Komisariatit të Policisë së Rinasit. Aty është bërë edhe marrja në pyetje e Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri dhe kohën kur ka ardhur. Ai kishte mbërritur në Tiranë nga Spanja në datën 19 maj dhe kjo është verifikuar edhe nga sistemi TIMS. Hyrje e tij ishte bërë nga Rinasi.
Kapja e drogës në Mal të Zi
Kokaina prej 250 kilogramësh e fshehur në një kontenier me banane, që kishte destinacion Shqipërinë u kap në 5 qershor 2014 nga dogana e Malit të Zi në portin e Tivarit. Doganierët dhe policia, zbuluan një fund të dyfishtë në njërin prej 3 kontenierëve që ishin të mbushur me banane dhe do të vinin në magazinat e një firme shqiptare në Fier.
Aksidentohet mjeti i burgjeve që po transportonte 4 të burgosur
Një automjet, që transportonte 4 të burgosur të Burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, është aksidentuar gjatë orëve të pasdites së djeshme, në afërsi të fshatit Sovjan, në aksin Pogradec-Korçë. Sipas të dhënave paraprake të policisë, mjeti i blinduar po transportonte të burgosurit pas përfundimit të një seance gjykimi në Gjykatën e Pogradecit, kur në afërsi të fshatit Sovjan ka pasur një problem, çka e ka bërë atë të dalë nga rruga, por fatmirësisht asnjë nga të burgosurit dhe efektivët, që ndodheshin brenda tij, nuk janë dëmtuar. Ndërkohë shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë dhënë të tjera detaje, mbi rrëshqitjen e mjetit autoblindë të IEVP-së së Drenovës, të ndodhur rreth orës 17:10. Automjeti tip furgon “Fiat Ducat”, me targa TR 3088 K, me drejtues shtetasin 38-vjeçar T. C. ishte duke shoqëruar 4 të burgosur nga Pogradeci drejt Korçës, por pavarësisht rrëshqitjes nuk ka pasur lëndime. Pas ngjarjes, policia e Korçës ka nisur hetimet mbi shkakun e aksidentit, ndërsa të burgosurit u transportuan në Burgun e Drenovës, të shoqëruar nga patrullat e policisë.
Historia e kolumbianëve në Shqipëri që vijnë për kokainën
Shqipëria është bërë një vend mjaft tërheqës për kolumbianët e përfshirë në trafikun e kokainës. Tashmë bashkëpunimi mes organizatave kriminale të dy vendeve nuk ka më nevojë për ndërmjetës, duke negociuar drejtpërdrejt me kolumbianët. Madje bashkëpunimi është aq i mirë, sa kolumbianët punojnë dhe asistojnë në laboratorët e kokainës të ngritura në vendin tonë. Cesar Agusto Pelaez Triana nuk është kolumbianin i vetëm i hetuar nga akuza shqiptare. Zbulimi i laboratorit të drogës në Xibrakë të Elbasanit bëri që të vendosen në pranga dhe dy shtetasit kolumbian Cezar Avila dhe Valther Moreno. Sipas hetuesve këta dy persona ishin kontaktuar për të kryer ndarjen e kokainës nga solucioni më të cilin ajo kishte mbërritur në Shqipëri. Ndërsa një tjetër kolumbian i përfshirë në këtë histori i njohur me emrin Karlos dyshohet se është larguar nga territori shqiptar, disa ditë pas aksionit të policisë shqiptare. Ndërkohë Prokuroria për Krimet e Rënda është në pritje të përgjigjeve nga Gjermania për të përcaktuar sasinë e kokainës së gjetur në Xibrakë. Gjithashtu nga këto përgjigje do të përcaktohet nëse ka pasur të tjerë persona të përfshirë në këtë histori. Gjatë aksionit të policisë për laboratorin e Xibrakës u arrestuan 9 shtetas në total ndër ta dhe Ermal Hoxha nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ndërkohë në kërkim është shpallur Genci Xhixha i dyshuar si drejtuesi i grupit që sillte drogën nga Kolumbia drejt Shqipërisë.




