Vendimi i Qeverisë/ Ja formula për përcaktimin e qirave minimale të shtëpive private dhe apartamenteve

shtëpive private me qira“Vlera minimale e qirasë mujore për çdo metër katror, në këtë rast, është: 190 000 x 0.3 % = 570 lekë për metër katror”

Qeveria ka përcaktuar formulën që do merren parasysh për përcaktimin e çmimeve të referencave për qiratë. Vlera e dhënies me qira të ndërtesës përcaktohet në kontratën e noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në metër katror, dhe vlera mujore e qirasë së objektit. Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës, nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë. Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit. Për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytetin e Tiranës, vlera minimale e qirasë mujore, për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet, si më poshtë: Për 1m2 sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është 2 herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Për 1m2 sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Për 1m2 sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Për 1m2 sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Për 1m2 sipërfaqe bodrumi, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Për 1m2 sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës.

 

Apartamentet

Për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytete të tjera, vlera minimale e qirasë mujore, për 1m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet, si më poshtë vijon: Për 1m2 sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është 1.5 herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit. Për 1m2 sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit. Për 1m2 sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit. Për 1m2 sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit; d) Për 1m2 sipërfaqe për bodrum, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit. Për 1m2 sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit. Noterët të dërgojnë në Drejtoritë Rajonale Tatimore përkatëse, brenda datës 15 korrik 2015, listën e kontratave të qirave në fuqi, të lidhura ndërmjet personave të ndryshëm, pavarësisht nga statusi i tyre. Në vijim, lista e kontratave të qirasë, të lidhura gjatë çdo muaji, të dërgohet nga zyrat e noterive, brenda datës 5, të muajit pasardhës, në Drejtoritë Rajonale Tatimore përkatëse. Në çdo rast, lista e kontratave të qirave të përmbajë numrin e kontratës së lidhur, datën e lidhjes, emrin e qiradhënësit dhe numrin e tij të identifikimit, emrin e qiramarrësit dhe numrin e tij të identifikimit, vlerën mujore të qirasë dhe afatin e kontratës.

 

Shembujt

Supozojmë se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në qytetin e Tiranës është 190 000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror, në këtë rast, është: 190 000 x 0.3% = 570 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 570 lekë për metër katror = 39 900 lekë.

Supozojmë se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në periferi të qytetit të Tiranës është 81 000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror të këtij apartamenti, është: 81 000 x 0.3% = 243 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 243 lekë për metër katror = 17 010 lekë.

 

Bashkëpunimi/ Të burgosurit do të përfshihen në skemën e punësimit

Të dënuarit me dënime alternative do të përfshihen në skemën e formimit profesional dhe atë të punësimit. Falë një marrëveshje mes Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të provës të dënuarit do të ketë një mundësi të ambjentohen në tregun e punës. Përmes kësaj marrëveshje, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës merr përsipër të orientojë të gjithë të dënuar me dënime alternative mbi kurset e formimit profesional të ofruara nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik për punëkërkuesit e papunë, të regjistruar nga zyrat e punës, si dhe mbi mundësinë e përfshirjes në skemat e nxitjes së punësim me qëllim reintegrimin e tyre në shoqëri dhe pjesëmarrjen në tregun e punës. Grupi i synuar për zbatimin e kësaj marrëveshje janë të rinjtë në moshë pune, personat mbi 45 vjeç, kryefamiljarët, nënat me shumë fëmijë etj,. Fillimisht kjo marrëveshje do të zbatohet dhe pilotohet për zonat që paraqiten me prioritet nga Shërbimi i Provës si Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër dhe kudo tjetër që Shërbimi i Provës paraqet të domosdoshme asistencën për formimin profesional dhe punësim.

 

Ndryshimi/ Privatizimi i tokave shtetërore në bregdet ulet me 10%

Kush do të privatizojë tokat shtetërore në bregdet do të përfitojë një ulje prej 10%, nëse pagesa do të kryhet brenda 1 muaji. “Çmimi i truallit së njësisë së ndërtuar apo vlera e pjesës takuese paguhet në mënyrë të vetme, duke u reduktuar në masën 10 për qind, nëse pagesa kryhet brenda 1 muaji, nga njoftimi me shkrim, në përputhje me përcaktimet të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar.”.Nëse pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit nuk kryhet brenda afatit të parashikuar, në zbatim të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar, mbi vlerën e detyrimit llogaritet penalitet në masën 10 për qind të çmimit total të truallit ose pjesës takuese, për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos e kalojë këtë çmim, apo vlerën e pjesës takuese, sipas rastit”, – përcakton vendimi i qeverisë.

Share it :