Suksesi/ Shqipëria ngjitet në vazon e tretë

 

Shqipëria ngjitet në vazon e tretëPër herë të parë skuadra jonë ngjitet në të njëjtën vazo me skuadra si Suedia apo Polonia, duke lënë mbrapa Turqinë apo Irlandën

Një sukses i madh për Shqipërinë. Kjo, pasi zyrtarisht janë në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve të Rusi 2018. Një klasifikim i tillë vjen menjëherë pas suksesit ndaj Francës në fundjavë në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë nuk kanë qenë asnjëherë në një nivel të tillë dhe ky kapërcim është historik për futbollin e shqiponjave. Me vendin e tretë dhe Play-off të sigurt drejt Francë 2016, të besuarit e De Biasi-t po thyejnë çdo barrierë që deri dje as mendohej se mund ti afroheshin. Të rinj, energjikë dhe të etur për suksese, kuqezinjtë kanë rritur ndjeshëm pretendimet e tyre në futbollin modern ku skuadrat e vogla janë sinonim i sipërfaqes gjeografike të shteteve përkatëse. Katër ndeshje nga fundi i eliminatoreve të Evropianit, çdo rezultat i mundshëm deri atje nuk e rrezikon më vazon e tretë drejt edicionit te 21 për Kupën e Botes. Kuqezinjtë gjejnë atje emra kampionësh si Ibrahimovic dhe Lewandowski, ishullorët e Skocisë dhe Irlandës së Veriut, fqinjët grekë dhe ish-fqinjët serbë bashkë me përfaqësuesen hungareze dhe atë ukrainase. Ndërkohë në vazon e katërt për rezultate të dobëta kanë rrëshqitur emra si Republika e Irlandës, Norvegjia, Turqia dhe Bullgaria. Ndërkohë ajo plotësohet nga Sllovenia, Izraeli, Mali i Zi, Estonia dhe befasia e Ishujve Faroe. Bie në sy Finlanda që është spostuar në vazon e pestë, skuadër që dikur krenohej me Litman, Hyypia, Forsell apo dhe Pasanen. Shqipëria është shumë pranë realizimit të një objektivi te rëndësishëm, i cili është play-off për një vend në finalet e mëdha të Francë 2016. Vendi ynë pozicionohet në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit të grupit I, me 7 pikë ne 4 ndeshje, dhe një “gur” në dorë, pritje e vendimit të KAS. Kundërshtarët tanë në grup, Serbia dhe Armenia, kanë nga një pikë dhe 5 ndeshje te konsumuara. Kjo na jep nje avantazh,matematik sepse Shqiperia e prêt Serbine ne shtepi dhe nje 1 pike ne favorin tone i eleminon direkt serbet. E njejta gje vlen edhe per kundeshtarin tjeter Armenine, dhe me ta do te kemi ndeshjen e fundit ne transferte. Por ekziston edhe nje shans tjeter nese gjithnje sigurojme vendin e trete. E treta me e mire e te gjitha grupeve, futet direkt ne Europian. Dhe ne kete rast kundeshtaret e mundshem, jane Hungaria dhe Skocia. Lëvizje të rëndësishme këto në aspektin pozitiv që kanë ardhur me De Biazin në stol. Nuk duhet harruar që ishte zotësia e italianit që skuadra është në këtë gjëndje. Një ekip mjaft i konsoliduar dhe që premton shumë për të ardhmen. Kaçe Basha dhe Memushaj ishin ata që impresionuan dhe që me siguri do të jenë në ndeshjet e radhës.

 

Grekët, elozhe për Kaçen

Mediat greke nuk e kanë lënë pa përmendur në të përditshmet e tyre talentin Kaçe. “Ergys Kaçe i detyroi të shtunën tifozët kudo që ata ndodhen t’i heqin kapelen, pas goditjes së lirë që solli edhe golin fitues në miqësoren e Shqipërisë kundër Francës. Edhe pse përballë kishte një nga portierët më të mirë në Evropë, Hugo Loris, ai ishte i paaftë të ndalte goditje fatale. Ai e çoi topin saktësisht atje ku a donte”, – shkruante portali grek. “Kaçe i dha një fitore historike Shqipërisë ndaj Francës. Ai ishte ‘golashënuesi i artë’, duke ekzekutuar mjeshtërisht faullin në minutën e 43-të ndeshjes”, përfundon “Contra.gr”.

 

Legjionarët nën fokusin e Serisë A

Tre legjionarët tanë, Shkëlqen Gashi, Elseid Hysaj dhe Ledion Memushaj, po kërkohen me këmbëngulje nga shumë ekipi të Serisë A. Kështu golashënuesi më i mirë i kampionatit zviceran të futbollit, Shkëlzen Gashi, po kërkohet intensivisht nga Lacio. Por së fundmi në skena ka dalë edhe Sampdoria e cila po punon fort për futbollistin. Po Lacio ka një armë tjetër. Dhe në këtë mes është edhe drejtori teknik i të kaltërve Igli Tare. Ish-futbollisti i kombëtares sonë po bën ç’është e mundur ta sjell, talentin shqiptar në ekip. Aq me tepër që Lacio do të jetë edhe në kompeticionin e Champions League. Të njëjtën gjë po bën Tare edhe për mbrojtësin e krahut Elseid Hysaj. Lojtari ka një ofertë shumë interesante financiarisht nga Napoli, i cili ofron vetëm Empolit rreth 4 milionë euro plus kontratën individuale me futbollistin. Në lojë është edhe Fiorentina, që e kërkon mbrojtësin 21- vjecar. Ndërkohë nga ana tjetër kapiteni i Peskarës Ledion Memushaj kërkohet nga Empoli dhe Kievo. Te dy klubet janë në garë se cila do të marrë shërbimet e shqiptarit. Memushaj ishte shumë pranë futjes në Seria A me Peskarën, por ky objektiv nuk u arrit. Tani ekziston një tjetër mundësi, një shans tjetër për të luajtur në futbollin e madh italian nëpërmjet transferimit. Dhe simptomat janë të qarta. Empoli dhe Kievo po nxitojnë për mesfushorin.

 

Kukësi largon Radanoviçin dhe Gvozdenoviçin, Xhejms nën vëzhgim nga Bokumi

Dyshja serbe Miograd Radanoviç dhe Ivan Gvozdenoviç, janë larguar nga ekipi i Kukësit, për mos arritjen e objektivit fitimit të Kupës së Republikës. Po ndërkohë që serbët janë larguar, në lojë për të marrë pankinën kuksianë janë Gugash Magani dhe Bylbyl Sokoli. Por ende nuk dihet se cili do të jetë timonieri i skuadrës. Koha nuk pret sepse skuadra ka dhe impenjimet evropiane. Ndërkohë te Partizani ka lëvizje duket se ka një debat lidhur me trajnerin e Partizanit dhe kapitenit Nderim Nexipi, duket që Starova nuk e sheh futbollistin në planet e tij. Ndërkohë me të kuqtë pritet të afrohet Edmond Gezdari, në rolin e drejtorit teknik të skuadrës. Nje tjetër lëvizje në merkato është oferta që Flamurtarit ka gati për Takun e Tiranës. Lojtari i grumbullar edhe nga Kombëtarja preferohet nga vlonjatët. Në pisteën e pankinave kemi serish emrin e malazezit Dervin Haxhiosmanovic që largohet te skuadra debutuese Terbuni, dhe kjo ndodh pas largimit të trajnerit Elvis Plori te Kastrioti. Ndërkohë duket se edhe per Xhejms Adeni të Laçit ka interesim serioz edhe skuadra e Bundesligës 2, Bokum. Madje gjermanët e kanë ndjekur në finale të Kupës së Republikës dhe janë gati të paguajnë një shumë të konsiderueshme për futbollistin afrikan.

 

Bartrës i bie vlera e kartonit

Marc Bartra mund të largohet nga Barcelona nëse ndonjë klub paguan 12 milionë euro. Agjenti i lojtarit ka thënë se klienti i tij është i lumtur në “Camp Nou”, megjithatë nuk e përjashton mundësinë e shitjes. “Është mirë që hierarkia e klubit beson në të”, – ka thënë agjenti Javier Diaz. “Marc është shumë i lumtur te Barcelona, por nëse ka ndonjë interesim të vërtetë nga klubet ku do të kishte më shumë hapësirë, atëherë ne do t’i dëgjonim dhe do të merrnim vendimin tonë. Klauzola e largimit të tij ka rënë në 12 milionë euro, pasi nuk i ka bërë disa paraqitje. Por kjo zgjat deri me 1 korrik dhe pastaj bëhet sërish 30 milionë euro”, – ka shtuar ai. Interi është ndër klubet e interesuara për shërbimet e Bartrës.

 

City gati 55 milionë euro për Sterling

Manchester City do të bëjë ofertë të re në vlerë prej 55 milionë eurosh për Raheem Sterling. Liverpuli e ka refuzuar ofertën fillestare prej 34.5 milionë eurosh, plus 6.9 milionë të tjera në formë bonusesh. Sipas “Goal”, City do të vijë me ofertë të re prej 48 milionë eurosh, plus 6.9 të tjera në formë bonusesh. Sterling ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me klubin nga “Anfield” dhe agjenti i tij ka bërë të ditur se do të largohet. City është edhe në ndjekje edhe të futbollistit të Hofenhajmit, Roberto Firmino.

 

Zidane: Pogba i ka të gjitha

Legjenda franceze, Zinedine Zidane, pranon se Real Madridi është i interesuar për shërbimet e Paul Pogbas. Trajneri i të rinjve te klubi spanjoll ka thënë fjalë të mëdha për mesfushorin e Juventusit, të cilin dëshiron ta shohë në Santiago Bernabeu. “Mendoj se ai është fantastik. Ajo që më pëlqen tek ai është se i ka të gjitha. Është një lojtar i kompletuar, i cili ka edhe aftësi për të shënuar gola, sepse i pëlqen të shkojë përpara”. “Sa u përket cilësive futbollistike, ai është i jashtëzakonshëm”, – ka thënë Zidane.

 

Strakosha nën kërkim nga Salernitana

Portieri shqiptar Thomo Strakosha pritet ta vazhdojë karrierën në Serinë B. Ai gjatë verës pritet të largohet nga Lacio për të kaluar në radhët e Salernitanës, kanë njoftuar të hënën mediat italiane. Strakosha te Lazio ishte portier i tretë. Kujtojmë që portieri shqiptar kaloi te klubi italian në vitin 2012 nga Panionios.

 

Guarin larg Fenerbahces

Fredy Guarin nuk do t’i bashkohet Fenerbahces, ai është i lumtur te Interi – ka thënë agjenti i lojtarit. Mesfushori kolumbian është lidhur me një kalim te gjiganti turk, mirëpo përfaqësuesi i tij thotë se 28-vjeçari do ta vazhdojë karrierën në Meazza. “Nuk ka asgjë konkrete me Sarı-Lacivertliler (nofka e Fenerbahces). S’di nëse klubi turk e dëshiron vërtet Fredyn, por ajo që mund të them është se nuk kemi marrë ofertë. Ai ka një kontratë që skadon në vitin 2017 dhe, siç kam thënë, dëshiron të qëndrojë te Interi”, – ka thënë agjenti Marcelo Ferreyra për “FcInterNews”.

 

Martinez, 7 milionë euro te Milan

Mediat spanjolle raportojnë se kalimi i Jackson Martinezit te Milani është punë e kryer. Edhe pse agjenti i lojtarit deklaroi të dielën se nuk ka kurrfarë marrëveshje, gjatë ditës së sotme, ai ka thënë se gjërat mund të kompletohen në ditët në vijim. Marca njofton se marrëveshja është arritur dhe Rossonerët do t’i paguajnë Portos 32 milionë euro për 28-vjeçarin. Po ashtu, ata do të paguajnë edhe tre milionë të tjera në bonuse, për ta arritur shumën totale prej 35 milionë eurosh. Martinez do të përfitojë shtatë milionë euro për sezon.

 

Toti: Stadiumi i ri, modern

Francesco Totti thotë se stadiumi i planifikuar i Romës do të jetë një “Colosseum i ditëve moderne”. Giallorossët sot organizuan në konferencë për media për të zbuluar detaje për stadiumin e ri, që pritet të kompletohet për sezonin 2017/18. Dhe, për projektin që pritet të kushtojë 1.1 miliardë euro ka komentuar edhe Totti, në një prononcim për faqen zyrtare të klubit. “Roma do të ketë një stadium që përfaqëson qytetin kudo në botë, siç e meriton historia jonë”, – ka thënë Totti. “Do të jetë një Colosseum i ditëve moderne, ku të gjithë fansat dhe atletët do të jenë në gjendje të kënaqen me spektaklin në një ambient të mrekullueshëm që do t’i bëjë ndeshjet të jenë kulmi i sportit dhe argëtimit. Do të jetë për të gjithë, dhe në veçanti për fëmijët, të cilët kanë të drejtë të kënaqen me ndeshjet tona në mënyrën më të mirë. Roma – qyteti ynë – meriton një stadium të tillë. Do të jetë shtëpia jonë dhe të gjithë do të jemi Roma. Fanellat janë gjëja e dytë për ne dhe ne e duam këtë klub pasi është unik në botë. Me Romën në zemrën time”, – ka shtuar legjenda e romanëve.

 

Neymar: Messi e meriton Topin e Artë

Sulmuesi brazilian Neymar vlerëson se bashkëlojtari i tij te Barcelona, argjentinasi Lionel Messi, e meriton “Topin e Artë” për shkëlqimin në stinorin 2014/15. Messi udhëhoqi Barcelonën drejt titujve në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Spanjës. “Këtë vit, çmimi për lojtarin më të mirë në botë ka tashmë një pronar”, deklaroi fillimisht Neymar. “Për gjithë atë që ka bërë këtë sezon, Messi e meriton ‘Topin e Artë'”, ka thënë talenti Brazilian.

Share it :