Artan Cena
Policia e Krujës gjatë një kontrolli të ushtruar në vendin e quajtur Përroi i Fshatit Qerrekë në Krujë, ka gjetur 6 parcela të mbjella me kanabis sativa, armë dhe sende të tjera
Shtatë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni antidrogë në Krujë, kurse 7500 rrënjë kanabis janë sekuestruar dhe shkatërruar. Arrestimet dhe droga është shkatërruar gjatë aksionit të Policisë së Krujës, të koduar “Rinas 2015”. Sipas policisë, të arrestuar janë: Artan Varoshi, Muharrem Dervishi, Muhamet Vathi, Besim Vathi, Xhemal Tahiri, Redon Vathi dhe një 17-vjeçar me inicialet G. C. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se arrestimi i tyre u bë e mundur pasi nga një kontroll i ushtruar në vendin e quajtur Përroi i Fshatit Qerrekë në Krujë ku janë gjetur 6 parcela të mbjella me kanabis sativa. Sipas policisë, bimët janë asgjësuar në vend me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës material.
Operacioni policor
Zbulohen dhe shkatërrohen 7500 bimë narkotike kanabis sativa. Aksioni është bërë nga Policia e Krujës në fshatin e Rinasit. Siç ka bërë të ditur policia e Durrësit, gjatë operacionit të koduar “Rinas 2015”, është bërë edhe arrestimi i 7 personave. Të arrestuarit janë: Artan Varoshi, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë, Muharrem Dervishi, 54 vjeç, banues në Fushë-Krujë, Muhamet Vathi, 20 vjeç, banues në Krujë, Besim Vathi, 46 vjeç,banues në Krujë, Xhemal Tahiri, 41 vjeç, banues në Krujë, Redon Vathi, 20 vjeç, banues në Krujë dhe 17-vjeç G. C.,, banues në Krujë. Arrestimi i tyre u bë e mundur pasi gjatë një kontroll I ushtruar në vendin e quajtur Përroi i fshatit Qerrekë, Krujë janë gjetur 6 parcela të mbjella me 7500 rrënjë bimë narkotike të dyshuar të llojit kanabis sativa. Bimët janë asgjësuar në vend me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale.
Kontrollet
Gjatë operacionit janë sekuestruar lëndë narkotike kanabis sativa, një armë automatike kallashnikov, 30 fishekë dhe 5 telefona celularë. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim. Gjatë ditëve të fundit, Policia e Krujës ka zhvilluar disa operacione kundër mbjelljes së lëndëve narkotike ndërsa disa persona janë arrestuar.
Të arrestuarit:
Artan Varoshi, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë
Muharrem Dervishi, 54 vjeç, banues në Fushë-Krujë
Muhamet Vathi, 20 vjeç, banues në Krujë
- C., 17 vjeç, banues në Krujë
Besim Vathi, 46 vjeç,banues në Krujë
Xhemal Tahiri, 41 vjeç, banues në Krujë
Redon Vathi, 20 vjeç, banues në Krujë
Vjedhja e energjisë elektrike, arrestohen 3 persona
Policia e Shtetit dhe OSHEE-ja kanë njoftuar se, gjatë javës së kaluar janë evidentuar 14 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, janë arrestuar 3 persona dhe janë shpallur në kërkim 7 të tjerë. Me anë të një njoftimi gjatë ditës së djeshme, policia tha se gjatë kësaj jave, janë ndërprerë 1.088 lidhje të abonentëve debitorë dhe 14 lidhje të paligjshme. Policia e Shtetit dhe OSHEE nënvizojnë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme.
Durrës, një 25-vjeçar mbytet në Gjirin e Lalzit
Shënohet rasti i parë i mbytjeve në det pas hapjes së sezonit turistik. Gjatë pasdites së të dielës një person është mbytur në plazhin e Gjirit të Lalzit. Burime nga policia kanë bërë të ditur se viktima është rreth 25-vjeç, i seksit mashkull, ndërsa identiteti ende nuk është bërë i ditur. Mësohet se ekipet e emergjencave kanë ndërhyrë, por nuk kanë mundur që të shpëtojnë të riun. Trupi i pajetë i 25-vjeçarit të mbytur pasditen e së dielës është dërguar në morgun e qytetit të Durrësit.
Devoll, rreh kunatën me dru kokës, pranga Llabanit
Një 45-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi akuzohet se ka rrahur kunatën e tij 43 vjeçe. Policia e Devollit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ka vënë në pranga Arben Llabani, 45 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll. Arrestimi i tij është bërë pasi mbrëmjen e djeshme, në banesë e tij pas një konflikti të çastit, ka goditur në kokë me një dru kunatën e tij 43-vjeçaren me inicialet F. LL., banuese në fshatin Sul. Llabani është vënë nën akuzën e “dhunës në familje”.
Kërcënimet në Facebook në rritje, hetime dhe për pedofili
Tre adoleshentë u arrestuan një javë më parë nga policia e Tiranës pasi shantazhonin një të mitur me publikimin në rrjetet sociale fotot intime të saj. Edhe pse arritën t’i merrnin 4 milionë lekë familjes së 14-vjeçares ata u arrestuan, ndërkohë si ky rast, por edhe qindra denoncime të tjera, bëhen në seksionin për krimet kibernetike në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Artan Dashi specialist i krimeve kompjuterike thotë se “Kemi të bëjmë me një sërë kanosjesh me fotografi kryesisht ne Facebook dhe Instagram. Problematike për ne është fluksi i madh me adresa te rreme të Facebook-ut ku persona të papërgjegjshëm bëjnë shantazhe të ndryshme kryesisht për para”. Sipas specialistit, veprat penale të këtij lloji kanë qenë gjithnjë në rritje duke filluar që nga viti 2010. Çdo ditë në polici mësohet se bëhen denonconim nga të paktën 4-5 persona për adresa të rreme të Facebook-ut. Sipas Dashit në kryeqytet, nuk mungojnë dhe rastet e pedofilisë në internet për të cilat kanë nisur hetimet. “Një problem tjetër është dhe përdorimi i rrjeteve sociale për marrëdhënie seksuale me të mitur. Vetë përdorimi i rrjeteve sociale po na detyron të ngremë një seksion të veçantë. Jemi duke ndjekur dy-tre raste, por për nevoja hetimi, nuk mund t’jua vë në dukje. Prindërit duhet të kenë kontroll në rrjetet sociale. Fëmijët nuk janë të paditur ku edhe vetë adoleshentët kanë raportuar raste që i dyshojnë për pedofili. Herë pas here duhet kontroll. Kemi një program midis sektorit tonë dhe Ministrisë se Inovacionit për parandalimin e këtyre faqeve dhe rrjeteve në vendin tonë. Do kemi gjera konkrete për t’iu raportuar si publikut ashtu dhe medias”, ka thënë specialisti . Krimet kompjuterike kanë njohur rritje nga viti në vit. Edhe pse rastet më të shpeshta janë mashtrimet nëpërmjet internetit si dhe klonimi i kartave bankare format e reja për marrëdhënie seksuale me të mitur janë kthyer në një shqetësim serioz.




