Nga Nebil Çika
Dje gazeta zyrtare e PD-së, “Rilindja Demokratike”, me një shkrim aspak profesional ka sulmuar me një shpifje të padenjë për gazetën që pretendon se ka rikthyer shtypin e lirë pas 50 vjetësh diktaturë në këtë rast gazetën “Standard”. Sipas shkrimit, pa autor, “RD” pretendon se “paratë e pista të pushtetit kapin edhe gazetën “Standard””. Kjo fjali, një shpifje e pastër, është e vetmja “akuzë” ndaj “Standardit” që i bashkëngjitet në mënyrën më banale një deklarate të komisionarit të BE-së, Hahn, lidhur me situatën e medieve në Rusinë e Putinit. Sigurisht që kush e ka lexuar shkrimin e “RD”-së e kupton se kemi të bëjmë me një shpifje të qëllimshme, pasi shkrimi, autori anonim dhe gazeta e PD-së nuk kanë asnjë akuzë apo fakt konkret për titullin e shkrimit e vetmja lidhje e tij me “Standard”. Në fakt, shkrimi ka befasuar redaksinë e “Standardit”, por edhe lexuesin dhe opinionin publik, pasi si rrufe në qiell të pastër ka ardhur një goditje pikërisht andej nga nuk e prisnim, nga gazeta zyrtare e PD-së, “RD”. Them nuk e prisnim, pasi “Standard” ka qenë gazeta më afër PD-së në këta 10 vjet të ekzistencës së vet, për shkakun e vetëm se politika jonë editoriale në shumicën e saj shkon ose më mirë të themi me filozofinë politike të PD-së dhe të djathtës në tërësi. Thjesht ne besojmë se e djathta është alternativa më e mirë politike për Shqipërinë dhe krejt botën.
Ajo që askush nuk kupton në shkrimin e “RD”-së është paqartësia se ku “RD”-së apo PD-së i ka ngelur qejfi nga “Standardi”, veçanërisht ku dhe kur ne “jemi blerë me paratë e pista të pushtetit” dhe sidomos të cilit pushtet. Në fakt, përveç titullit, “RD” nuk është se ka sjellë ndonjë informacion apo provë për akuzën, duke e bërë atë të pavlefshme politikisht dhe të turpshme profesionalisht e moralisht. Siç thashë më lart, “Standard” ka qenë një media e hapur pranë PD-së si në pushtet ashtu edhe në opozitë dhe kjo ka qenë një zgjedhje e hapur dhe e sinqertë e botuesit të “Standardit” për të cilin sigurisht që ka marrë edhe koston përkatëse. Politika jonë editoriale e djathtë nuk ka qenë një kërkesë e PD-se e as një marrëveshje politike midis palëve, por një qëndrim parimor që buron vetëm nga bindja e botuesve dhe stafit profesional. Nuk ka pasur kurrë asnjë marrëdhënie interesi dhe këtë PD dhe “RD” e dinë shumë mirë.
Por le të rrimë tek akuza, “blerja me paratë e pista” të pushtetit për të cilat PD dhe “RD” na detyrohen një sqarim publik neve dhe opinionit publik. Ata duhet të shpjegojnë së pari ku është blerë “Standardi”, cili pushtet e ka blerë dhe ku e shohin ata këtë blerje, ku e kanë hallin e u ka ngelur qejfi. Sigurisht që ne jemi të qetë, pasi e dimë mirë që nuk jemi blerë nga asnjë pushtet edhe kur ai ishte i PD-së, edhe sot që është i PS-së. “RD”, PD dhe opinioni publik e di mirë se kush i ka marrë “paratë e pista të pushtetit”, para dhe pas qershorit 2013, dhe sigurisht që ky nuk ka qenë “Standard”.
Përkundrazi, “Standard” ka qenë i diskriminuar edhe nga ndarja e parave të pastra të pushteteve (reklamave dhe njoftimeve zyrtare ) si në pushtetin e PD-së dhe tani në pushtetin e PS-LSI).
Personalisht, dua t’u them miqve të mi të PD dhe “RD” se “Standard” është një media e pavarur dhe nuk e ka bazuar ekzistencën e saj te paratë e pista, veçanërisht ato të pushteteve. Ne nuk jemi e nuk funksionojmë si agjitprop, por si gazetë informative me objektiv vetëm të vërtetën me të cilën nuk bëjmë asnjë kompromis. E djathta është ideologjia dhe politika editoriale dhe këtë as e rakordojmë e as negociojmë, qoftë edhe me PD-në. Si gazetë “modeste”, garantojmë opinionin publik, lexuesit tanë edhe ata në PD e “RD” se do të vazhdojmë të qëndrojmë djathtas, pavarësisht nga përpjekjet e individëve apo politikave të caktuara që mundohen të na cilësojnë si “të blerë”. Por të jenë të qartë “RD” dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas shpifjes kundër “Standardit” se në çdo rrethanë nuk do të heqim dorë nga parimi historik i “babait” të së djathtës Aristotelit: “E dua Platonin, por dua më shumë te vërtetën”, edhe pse kjo e vërtetë mund të mos u pëlqejë politikave, medieve apo individëve politikisht afër nesh. Liria jonë e shtypit nuk është e kuotuar në bursën e pandershme të marrëdhënieve media–pushtet politik. Duke perifrazuar liderin historik të PD-së, z. Berisha, mund të them me garanci se “Standard” nuk ka qenë, nuk është dhe shpresoj shumë të mos jetë “hanxhar” i mafies, por as i politikës.




