Fushatës zgjedhore po i vjen fundi, ndërkohë që po dalin në pah edhe përparësitë dhe defektet e saj. Ajo ka dy tablo krejtësisht të kundërta ku kampet përkatëse ndryshojnë jo vetëm nga ideologjia e programet politike, por edhe nga dominimi në fushatë. Qeveria po zhvillon një fushatë agresive ndoshta më të ashprën në zgjedhjet lokale të zhvilluar që nga viti 1992 e këtej. Kryeministri po kërcënon hapur elektoratin dhe kandidatët e opozitës nga lënia pa ujë, bukë, drita, rrugë e punë, nëse nuk votojnë kandidatët e qeverisë e deri tek dënimi me burg i kandidatëve opozitarë që mund të fitojnë zgjedhjet. Ndërsa “koka” tjetër e qeverisë, kreu i Parlamentit, është politikani më i akuzuar nga opozita dhe media për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve, gjë që ka shqetësuar dukshëm edhe ndërkombëtarët. Me pak fjalë, kemi të bëjmë me një agresion të vërtetë të qeverisë në këto zgjedhje, gjë që kërcënon seriozisht qenien e tyre të lira e të drejta, një goditje fatale për demokracinë dhe perspektiven euroatlantike të vendit. Duket se qeveria nuk ndalet para asnjë pengese në këtë trend të çmendur të saj për t’i fituar me çdo kusht këto zgjedhje dhe, në fakt, nuk duket se ka ndonjë forcë apo fenomen që mund t’i ndalojë dot. Ajo që duhet ta bënte këtë është opozita, e cila, fatkeqësisht, po dëshmon se nuk përballet dot me agresionin elektoral të qeverisë. Opozita e z. Basha edhe para fushatës nuk ka qenë e formatuar t’i përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë revanshit të qeverisë. Fushata zgjedhore e theksoi edhe më shumë këtë natyrë të brishtë të kësaj politike, duke e bërë fushatën e opozitës anemike përballë asaj agresive e luftarake të qeverisë. Opozita ka humbur beteja të para politike e ligjore me qeverinë, duke krijuar në opinion idenë se PD nuk e garanton dot votën e destinuar për të, gjë që, me sa duket, ka qenë edhe qëllimi i qeverisë. Humbja e parë e madhe e opozitës “Basha” është kalimi në krahun e qeverisë së kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi, e zgjedhuar nga PD-ja dhe që i takon, sipas ligjit zgjedhor. “Blerja” apo rekrutimi nga qeveria i kreut të KQZ-së përbën ndoshta goditjen më të fortë të këtyre zgjedhjeve dhe humbjen më të madhe të opozitës, efektet negative të së cilës kanë filluar të shfaqen ende pa mbërritur në votime. Falë prishjes së raportit në KQZ, opozita ka humbur në tavolinë bashkinë e parë në një prej bastioneve të saj historike, Kurbinin. Goditja, jo rastësisht, është dhënë drejt e në zemër. Por ajo që duket më shqetësuese nuk është kjo sjellje e qeverisë, por reagimi anemik i opozitës e cila u mjaftua me faktin e bojkotit të zgjedhjeve në Kurbin pavarësisht se fenomeni prek në fakt të gjithë vendin. Kjo zbythje e opozitës që në presionin e parë të qeverisë nëpërmjet KQZ-së dhe institucioneve të tjera ka krijuar një impakt negativ në elektoratin e terrorizuar shqiptar. Por ajo që nuk ka fare kuptim në politikën e opozitës është mosreagimi ose më mirë të themi heshtja ndaj sjelljes së kryetares së KQZ-së dhe prishjes antiligjore e imorale të raporteve të forcave në institucionin qendror të certifikimit të zgjedhjeve dhe rezultateve të saj. Pse hesht PD-ja? Çfarë fshihet pas “dezertimit” te Lefterisë? A ka kush përgjegjësi për këtë fenomen të përsëritur me të përzgjedhurit e PD-së? Askush nuk reagon apo jep ndonjë shpjegim duke, shuar edhe më shumë shpresat se revanshi i qeverisë mund të ndalohet e përballohet. Duhet pranuar se kërcënimet publike të Kryeministrit kanë pasur efekt elektoral. Kjo shihet tek entuziazmi i rënë i përkrahësve të opozitës, viktimat më të mundshme të kërcënimeve dhe dhunës verbale të qeverisë. Opozita nuk ka mundur jo ta ndalojë por as t’i përgjigjet kësaj fushate agresive të Ramës dhe vazhdon me premtimet e saj për taksa e çmime të ulura sikur nga ana tjetër nuk po ndodh asgjë. Çfarë u duhen mijëra qytetarëve të Kurbinit premtimet e Bashës kur kryetar i Bashkisë së tyre do të jetë pa votime përfaqësuesi i qeverisë për shkak të paaftësisë politike e juridike të opozitës për të ndaluar këtë krim kundër demokracisë të qeverisë dhe KQZ-së. Ata nuk po i lejojnë të votojnë këta u flasin për taksa e çmime, investime e punësime. Ku do t’i bëjnë, me çfarë do t’i bëjnë nëse opozita nuk garanton dot zgjedhje të lira e të drejta? Anemia politike e opozitës ka bërë që kërcënimet e Ramës të merren seriozisht nga elektorati. Në kushtet që askush nuk u përgjigjet kërcënimeve të tij me retorikë politike si do ta bësh kur ai më gjithë mend do të bllokojë bashkitë e fituara nga opozita. A nuk ia beri z. Basha kështu? Sigurisht që ka menduar për ta ndaluar çmendurinë elektorale të Ramës, por askush nuk po e bën dot këtë, madje askush nuk merr mundimin ta bëjë. Por ka edhe një tjetër gjë që e ka tkurrur e vënë në dilemë elektoratin. Kjo është hermetizmi, mungesa e transparencës në të cilën zhvillohet fushata “Basha”. Për herë te parë, PD nuk ka një shtab elektoral qendror, që të orientojë kandidatët, strukturat, anëtarësinë e median të informohen për ato që ndodhin dhe problemet që mund t’u dalin në fushatë. Të gjithë të drejtojnë tek Basha: “E di kryetari!” Kjo ka bërë që çdo gjë të pritet prej tij, duke i ngarkuar atij gjithë përgjegjësinë e fushatës që ndoshta e ka marrë edhe vetë. Për fat të mirë, e vetmja përparësi e opozitës janë kandidatët e spikatur në shumicën e zonave zgjedhore. Vetë ata e kanë përballur deri tani fushatën e opozitës dhe të ndihmuar nga urrejtja popullore për qeverisjen vazhdojnë të qëndrojnë çuditërisht mirë përballë agresionit të qeverisë. Por kam frikë se për të fituar zgjedhjet kjo nuk mjafton. Ata kanë nevojë për fushatën e madhe të Bashës për të përballuar agresionin dhe përpjekjet për manipulim të dyshes Rama- Meta, gjë që deri tani nuk mund të thuhet se është parë. Duket se Basha nuk e ngre dot në nivelin që të bllokojë apo t’i përgjigjet agresionit të qeverisë ,fushatën e tij. Ka diçka thelbësore që nuk shkon në fushatën e Bashës. Të paktën nga jashtë kështu duket.





