Nga Nebil Çika
Shitblerja e votës është pa dyshim problemi dhe armiku më i madh i këtyre zgjedhjeve! Një problem që i ka kaluar kufijtë dhe është kthyer në një shqetësim edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Debati politik e mediatik, por edhe veprimtaria diplomatike e SHBA-së, BE-së, OSBE-së e të tjera institucione të interesuara për zgjedhje të lira e të drejta e kanë përqendruar vëmendjen dhe veprimtarinë pikërisht tek kjo dukuri që kërcënon seriozisht demokracinë shqiptare.
Shitblerja e votës nuk është një fenomen i ri në zgjedhjet shqiptare. Ky fenomen arriti kullmin dhe u bë përcaktues në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërkohë që në këto zgjedhje është kthyer pothuaj në një trend elektoral. Për këtë arsye ata që besojnë ende tek morali politik, te vota e lirë dhe e ndershme janë të shqetësuar dhe gjithnjë e më shumë po e ngrenë zërin kundër këtij fenomeni.
E para që reagoi muaj më parë kundër shitblerjes së votës ishte Kisha Katolike. Me një thirrje të fortë që dënonte shitblerjen e votës, ajo iu drejtua besimtarëve dhe krejt opinionit publik për t’i dhëne fund këtij fenomeni. Paralajmërimi i Kishës ishte i saktë dhe rreziku i madh i këtij fenomeni u kuptua në tërësinë e tij sapo filloi fushata elektorale. Opozita, e dëmtuara e madhe e këtij fenomeni, ngriti zërin duke drejtuar gishtin tek ish-partnerja e saj në qeveri, LSI, si përgjegjësja kryesore e kësaj batërdie elektorale. U sollën edhe fakte e prova. Nga blerja e votave me para apo ndihma ushqimore, veshje, etj. tek prodhimi i kartave false të identitetit, të gjitha këto në kuadër të përpjekjeve të pandershme të politikës për blerjen dhe manipulimin e zgjedhjeve.
Denoncimi i opozitës dhe medias tërhoqi vëmendjen dhe rriti presionin ndërkombëtar. Ambasadori amerikan Lu ka ditë që është përfshirë në një fushatë ndërgjegjësimi të publikut për të mos e shitur votën në 21 qershor, po ashtu edhe shumë përfaqësi e institucione të tjera ndërkombëtare po bëjnë të njëjtën gjë.
Presioni çoi edhe në reagimin e politikës dhe veçanërisht asaj pjese të saj të akuzuar drejtpërdrejt se qëndron prapa këtij fenomeni, LSI. Prej ditësh LSI po publikon një spot publicitar ku u bëhet thirrje shqiptarëve të mos e shesin votën, duke shënuar kështu kulmin e hipokrizisë politike, por edhe të talljes së bythës me ketë popull e në kushte të mjerimit dhe mbijetesës është i detyruar të pranojë gjithçka. Kjo politike cinike e LSI-së, sipas teorisë hajduti thërret “kapeni hajdutin” me të drejte ka ngjallur reagim tek pjesa e ndershme e publikut. Shitblerja e votës nuk është politikë, është biznes dhe tregti e pastër dhe si e tillë nuk funksionon me rregulla politike. Kërkesa dhe oferta, si në të gjitha tregtitë janë dy elementet e ekzistencës së saj. Kërkesa vjen sigurisht nga politika ose nga ajo pjesë e saj, e cila kërkon të përfitojë pushtetin jo me politikë, por me tregti. Nëse nuk do të kishim kërkesë për blerje votash, nuk do të kishim as ofertë për shitjen e tyre dhe si në çdo biznes puna mbyllej me kaq. Por përderisa shitblerja vazhdon, do të thotë qe kërkesa nga politika vazhdon. Pikërisht kjo situatë e bën të papapranueshme dhe të pështirë spotin elektoral të LSI-së për shitjen e votave.
Ka një gabim të madh në adresimin e thirrjeve për mosshitjen e votave, qoftë nga politika, qoftë nga ndërkombëtarët. Nuk besoj se nuk e dinë, por më duket shume e gabuar që harxhojnë kaq energji, e para për një gjë që e kanë në dorë politika dhe ndërkombëtarët. Në situatën që ndodhet, LSI mund të bënte vetëm një spot, me një njoftim të vetëm: “Ne nuk blejmë vota”. Kaq do të mjaftonte që ky fenomen të paktën, për pjesën e saj, të frenohej për të mos thënë të ndalonte plotësisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për thirrjet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan Lu, i cili ka qenë më aktivi e më energjiku në luftën kundër këtij fenomeni. Besoj se do të ishte më ekonomike dhe veçanërisht më efikase që në vend që t’u drejtohej shitësve, votuesve (ofertës) në të gjithë vendin të thërriste blerësit, politikanët (kërkesën) dhe t’u kërkonte apo t’i detyronte ta ndalonin këtë tregti të ndyrë. Nga përvoja ne dimë që SHBA ka mundësinë më shumë se kushdo ta realizojë këtë.
Si përfundim, dua të theksoj se shitblerja e votave është një aktivitet kriminal si të gjitha trafiqet e tjera të paligjshme. Ajo që po ndodh me spotin e LSI-së dhe deklaratat e tjera politike gjoja luftën kundër shitblerjes së votës është njësoj sikur lufta kundër drogës t’u ngarkohet pikërisht karteleve ndërkombëtare të prodhimit dhe trafikut të saj. Ajo që më çudit është se e gjitha kjo ndodh nën hundën e OSBE/ODIHR-it, ambasadave të SHBA-së e BE-së, të cilat bëjnë sikur nuk kuptojnë e vazhdojnë të kërkojnë gjurmët kur ujkun e kanë par syve. Do t’ia shpjegojë njeri ambasadorit Lu kuptimin e shprehjes: “Hajduti thërret, kapeni hajdutin?!”




