Legjenda/ Marlene Ditrich, ëndrra e burrave np vitet `30

Ana Kove

Marlene DitrichNë çdo qytet që gjendem, ndodh të pyes veten: cilat grua do ketë bërë “të rrotullohet” ky qytet? Natyrisht, edhe pa ekzistencën e saj Toka do të rrotullohej; gjeografikisht edhe Berlini, por një nga gratë që tronditi Berlinin magjik ishte ndjellësja, rebelja, legjenda Marlene Dietrich. Ëndrra e të gjithë burrave në vitet ‘30-të; natyrisht atyre burrave që josheshin jo vetëm nga erotizmi i pamjes dhe zërit, por nga cilësitë e saj si grua e papërballueshme në liri, mençuri, bukuri dhe dashuri. Femme fatale tek “Engjëlli blu”, frymëzimi verbues i Xhoan Madusë së “Harkut të Triumfit”, aktorja e famshme e Hollivudit, balerina, këngëtarja; e dashuruara e përjetshme “nga maja e flokut te gisht i këmbës” është berlinezja më e famshme deri më sot.

***

“Thuamë, ç’u bënë lulet?”/”Sag mir wo die Blumen sind?” – Pyeti në këngë me zërin e saj drithërues. Ndjesitë e bukura lidhen me lulet; kur ngjyrat dhe aromat e tyre mungojnë, në shpirt s’ka lule, por dhimbje. Ai e takoi atë për herë të parë në qytetin e dashurisë dhe dhimbjes së madhe, në Venedig. Ata kishin mbi shpinë vitet e dashurive të shkuara, martesave, famës, parasë, humbjeve. Aty morri jetë një ndjenjë tronditëse, por edhe e dhimbshme, herë-herë dramatike. Ajo ishte një dashuri e madhe. Shumë e madhe. Ishte drama dhe ekstaza, ankthi, zemërimi dhe dëshira e madhe, gangrenë-vetëshkatërruese, dhe sërish çdo përpjekje e mundimshme t’u vetëharruar. Ajo ishte „Pantera e tij melankolike, zemra e butë, ëndrra që shndriste të gjitha pyjet, engjëlli blu, ylber i ëmbël para stuhisë së jetës, delfini në horizont, drita verbuese e veriut, flaka mbi dëborë. „Ti je Madonna në gjakun tim. Të gjitha udhët më sjellin tek ti; dhe gjithkund të kërkoj’/ “Thuamë se më dashuron!?”/ ‘Sag mir, dass Du mich liebst’ – I shkroi Remarku në më shumë se 300 letra.

***

Nuk paska ndjesi më identifikuese se dashuria; edhe post-mortum. Ajo i pranëvihet në kujtesën e brezave emrit dhe vendlindjes, që nuk zhduken as me zhdukjen e njeriut. Për Marlenën ishte dramatike dhe e dhimbshme edhe dashuria për vendlindjen. Berlini e lindi, e deshi, e dëboi; pastaj e përçmoi – dhe dikur e vlerësoi. Ajo e mbajti brengën e largimit, dhe pastaj të përçmimit për vete – pasi kështu mendonte – se: ”Dhimbja është çështje tërësisht personale”. “Unë e kam lënë një valixhe në Berlin”/”Ich habe einen Kofer in Berlin”- këndoi, e kur malli dhe kujtimet i rrihin fort në gjoks si një zemër e dytë, fluturonte… në mos me avionë, “dashuria fluturon me zogjtë”. Sepse ajo s’mund të mos e donte pa kushte Berlinin e saj. “Unë s’di të bëj gjë tjetër më mirë, vetëm se të dashuroj…”

***

Ja, duke qenë edhe unë prej vitesh (për gjithë ç’kam lexuar) e magjepsur nga personaliteti artistik dhe njerëzor i Marlene Ditrich-ut, dje gjithë ditën u enda dhe u enda gjatë, duke kërkuar gjurmët e saj në Berlin: shtëpinë e lindjes, sheshin që mban emrin e saj, yllin me emrin e saj gdhendur në tokë para gjigantit Cine Star IMAX; në fund edhe varrin e saj. Ca njerëz ia vlen t’i njohësh edhe pas vdekjes… Ata që nuk vdesin si të gjithë njerëzit, sepse nuk përjetojnë dashuri të zakonshme, si të gjithë njerëzit…

Share it :