Gazeta Standard dhe televizioni “Top Channel”, denoncuesit kryesorë të mashtrimit me hidrocentralin
Kontrata e 1997-ës parashikonte që prodhimi i energjisë duhej të fillonte në 2002-shin, ndërsa sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011 dhe historia vazhdoi…
Pavarësisht se jemi në pikun e fushatës elektorale, ku logjikisht vëmendje parësore në vend duhej të kishin zgjedhjet vendore që mbahen vetëm pas 11 ditësh, diskutimet e politikës, shoqërisë dhe medias janë përqendruar këto dy ditë tek skema e mashtrimit të biznesmenit italian Francesco Becchetti, presidentit të “Agon Channel”. Sigurisht që një lajm i tillë nuk mund të anashkalohej dhe “detyrimisht” i është imponuar edhe axhendës së partive dhe liderëve politikë, të cilat në dallim nga ditët normale të fushatës, janë përfshirë në debatin nëse ishte apo jo i drejtë vendimi i prokurorisë. Kjo e fundit ka provuar skemën përmes të cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit ku sipas tyre, “në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimi parash qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”. Por nëse e gjithë kjo çështje ka marrë sot kaq shumë vëmendje vjen vetëm në saj të vendimmarrjes së prokurorisë, pasi denoncimi për mashtrimet e shumta me hidrocentralin e Kalivaçit janë bërë për vite me radhë nga mediet shqiptare. Gazeta “Standard” dhe televizioni “Top channel” kanë qenë dy mediet që e kanë ndjekur për shumë kohë “çështjen e Kalivaçit” ku përmes dokumenteve zyrtare si edhe dëshmive të banorëve të zonës kanë faktuar mashtrimin me këtë vepër, e cila nuk u krye kurrë. Për muaj me radhë si gazeta ashtu edhe televizioni publikuan fakte të pakundërshtueshme për zvarritjen e plotë të punimeve në këtë hidrocentral, i cili e mori licencën që në vitin 1197 dhe duhej të niste prodhimin e energjisë në vitin 2002! Duke bërë një përmbledhje të shkrimeve të gazetës të tre vite më parë lidhur me “aferën Kalivaç” sjellim sot të gjithë faktet, dokumentet dhe dëshmitë që vërtetojnë se si Becchetti mashtroi për vite me radhë për ndërtimin e këtij hidrocentrali.
Kalivaçi, nga licenca e 97-të te kontrollet teknike të AKBN-së
Hidrocentrali i Kalivaçit është një histori e gjatë, e cila duket se nuk do të ketë fund. Në Kalivaç, në afërsi të Tepelenës sot duhet të ishte një hidrocentral, i cili do t’i shërbente vendit për prodhim e energjisë, por në të vërtetë aty ka vetëm disa makineri të prishura, ndërsa ato që punojnë kryejnë vetëm disa gërmime. Një ekip i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kreu monitorimin në terren të punës së kryer nga koncesionari italian për ndërtimin e një prej veprave madhore të hidroenergjetikës shqiptare, por zbuloi se në atë objekt nuk ishte kryer puna e ngarkuar nga Ministria e Ekonomisë.
Kontrata e 1997-ës
Sipas kontratës së vitit 1997, prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002. Ndërsa sipas kontratës së vitit 2000, është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005, duke e marrë të mirëqenë se punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, ndërsa praktikisht në këtë zonë nuk është bërë ndërtimi i asnjë gjëje serioze por vetëm ndërtime sa për t’u dukur.
Kontrolli i 2011-ës
Në relacionin teknik të datës 13 mars të këtij viti, pas kontrollit të kryer në objektin në fjalë nga grupi i punës, thuhet se që nga prilli i vitit 2011 në këtë objekt nuk kishte lëvizur asgjë. Pra, punimet u konstatua se ishin po ato që ishin parë edhe në monitorimin në terren, të kryer një vit më parë. Më tej: dy fashat e pjesës më të rëndësishme të HEC-it – digës – rezultonin të dëmtuara në pjesën e brendshme të lumit, për shkak të prurjeve të mëdha, ndërkohë që nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të betonimeve. Megjithëse kishte filluar puna për riprofilimin e skarpateve, që kishin rrëshqitur në krahun e tunelit të devijimit, në momentin e monitorimit nuk po kryhej asnjë punim. Ura e ndërtuar më parë për të kaluar në anën tjetër të lumit ishte prishur dhe kishte dalë jashtë funksionimi, kështu që tani koncesionari po rinegocionte për zgjidhjen përfundimtare të një ure të re. Ura rezultonte e mbuluar nga uji dhe nuk ishte madje e dallueshme me sy se ku ndodhej.
Afatet
HEC-i u planifikua për t’u ndërtuar në tre vjet, me fondet e koncesionarit, pra jo nga buxheti i shtetit. Ai duhej të kishte mbaruar që në vitin 2011, por ende nuk duket asnjë shenjë përfundimi. Në të kundërt, vijojnë ecejaket në prokurori e gjykata të koncesionarit e të nënkontraktorëve të pajtuar prek tij, që janë ndryshuar në vite. Do të jepej 10 për qind e energjisë së prodhuar në favor të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër do të shkonte për shitje, brenda apo jashtë vendit, si e drejtë e koncesionarit. Vepra do të ishte e para e këtij lloji që prej vitit 1986, kur hyri në punë HEC-i i Komanit, por në fakt u parapri nga ai i Ashtës.
Historia e Kalivaçit
- 1997, Becchetti merr licencën nga qeveria shqiptare për ndërtimin e hidrocentralit
- 3 vjet rresht, askush nuk foli për Kalivaçin, qeveria miraton disa ndryshime të kontratës.
- Viti 2000, vendimi i ri tregon se hidrocentrali mund të ndërtohej nga një kompani bashkëpunuese pasi kompania e z. Becchetti nuk ishte e aftë ta ndërtonte e vetme.
- 2000-2007 përsëri askush nuk u kujtuar për Kalivaçin. Viktima e radhës e Becchettit ishte Deutsche Bank.
- 6.2007 Këshilli i Ministrave miraton legjitimitetin e Deutsche Bank për partneritet në ndërtim.
- Deri në vitin 2009 Becchetti financon punimet në Kalivaç, duke paguar nënkontraktorët “C.A.E” sh.p.k dhe të tjerë me milionat e paguar nga Deutsche Bank. Kur banka gjermane kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin dhe nis procedurat ligjore kundër të ashtuquajtur “investitorit” italian.
- Në fund të 2009-ës u tërhoq edhe “C.A.E” sh.p.k, pasi punimet e papaguara arritën në vlerën rreth 2.5 milionë euro, shumë e dokumentuar edhe nga situacionet.
Mashtrimi me ndërtimin e një nga hidrocentraleve më të rëndësishme në vend
Vitet 2012-2013 duhet të ishin vitet kur do të fillonte prodhimi i energjisë në hidrocentralin e Kalivaçit. Një hidrocentral fantazmë, i cili ekziston nëpërmjet mashtrimeve të një të ashtuquajturi “investitor Becchetti”. Sot në Kalivaç, në një fshat të Tepelenës, nuk ka hidrocentral, nuk ka vepra të rëndësishme që do të ndihmojnë zonën, por ka makineri të prishura, ura që kanë funksionuar shumë pak dhe më e rëndësishmja, ka ende vaka që transportojnë investitorin Becchetti për të kaluar lumin. Pyetjes se kur do të ketë zgjidhje historia e hidrocentralit fantazmë nuk po i jepet ende përgjigje. “Standard” përgjatë vitit 2012 ka denoncuar disa herë aferat korruptive që po bëhen me Kalivaçin nga investitori italian Becchetti. Në një prononcim për gazetën Kryeplaku i Kalivaçit Loli Zeneli theksoi se gërmimet kanë vite që po bëhet madje ai besonte se ndërtimi i këtij hidrocentrali do të jetë thjesht çështje e të gërmuarit të lumit dhe asgjë më shumë. “Deri tani nuk është kryer asnjë punim i rëndësishëm përveçse mund të jenë, në fazat fillestare, e gërmimeve që janë bërë, por për këto 7 vitet e fundit nuk shihet asnjë punim serioz dhe që të na ketë rënë në sy. Nuk ka asgjë të dukshme veçse, gërmimeve që janë bërë”, – ka pohuar ai.
2008
Në shkurt të vitit 2008, kreu i AKBN-së informonte ministrin Ruli se iu kërkua shoqërisë ndërtuese të vinte në dispozicion dokumentacionin për të gjitha punimet e kryera, pagat, shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, por në përgjigje u dha vetëm një dokumentacion që tregonte realizim punimesh në vlerë, pa asnjë hollësi tjetër. Kryetari i atëhershëm i AKBN-së kërkonte mbështetje nga autoriteti i ministrit për të vazhduar kontrollin më tej. Ndërkohë, e njëjta agjenci konstaton më datë 25 tetor të vitit të kaluar se akti i piketimit, që duhej të hartohej para fillimit të ndërtimeve, e që të ishte një material grafik, i shoqëruar edhe nga një procesverbal, në fakt ishte thjesht një vizatim, por mungonin pozicionet me koordinata e kuota të të gjitha objekteve të veprës siç do të ndërtohen, ku të specifikohej edhe kuota maksimale në biefin e sipërm dhe ajo minimale në biefin e poshtëm. Po kështu, raporti i mbikëqyrësit për punimet e realizuara nuk ishte firmosur e as vulosur nga dikush dhe nuk kishte një situacion përkatës. Po kështu, matjet e prurjeve 30-vjeçare, ato të katër viteve të ndërtimit apo verifikimi i seksioneve efektive dhe kapacitetit të devijimeve ekzistuese nuk ishin të nënshkruara, për disa matje nuk kishte fare vlera. Fakti më i rëndë nga të gjitha këto konstatime të AKBN-së duket se është ai që – duke iu referuar bilancit financiar të kompanisë të vitit 2009 – investimet në pajisje e makineri janë kryer në masën e 1.5 milionë lekëve, ndërkohë që vlera totale e përfshirë në kontratë është… 129 milionë euro! Ndërkohë, dokumentacioni ishte i pashoqëruar me fatura tatimore, situacione të punimeve, madje edhe deklarata doganore për zhdoganimin e pajisjeve të importuara.
Reportazhi i “Standard-it” në Kalivaç
Në këto ditë kur qielli është nxirë nga moti i keq dhe zymtësia e ka vendin natyrshëm në dimër, sidomos kur sheh vende të gërryera e male të ngrëna prej eskalatorëve buzë lumi, nuk mund të jesh indiferent. Kjo gjendje trazohet akoma më keq kur mëson se në vende të tilla janë hedhur miliona dhe gënjeshtra e bën akoma më të thellë gropën e punëve të lënë në mes.
Këtë të thonë në fshatin Kalivaç, kur kalon pranë lumit dhe sheh si gojë të mëdha kanë ngrënë kodrën e bregun bashkë, e qëndrojnë ashtu të hapura prej kohësh. Është pamje më tej se e zymtë, duke iu afruar imazhit të katastrofës që nuk kapërdihet aq lehtë në atë zonë.
Është hidrocentral! Jo, absolutisht. Siç shihet nga fotot, pamja e ofruar është jashtë normales. Duket qetësi aty rrotull. Por, njerëzit dhe makinat që shkelin ato rrugë e ngacmohen nga pamja sigurisht që tundin kokën në keqardhje edhe pse ironia ka përballë një kodër gërmuar shkallë-shkallë. Ja ky është “hidrocentral”?! Më tutje një kanal me ujë të turbullt përcjell gjithë pamjen krejt i vetëm. Ndërsa lumi është shndërruar në një gjendje katastrofale. Realisht vështirë të marrë këtë emër sot. Mbi përbërjen e tij gurore është improvizuar një rrugë që duket prej kamionëve të rëndë. Ndjekim këtë gjurmë dhe në vend na ndal përpara, ashtu siç e parashikuam: një automjet i ndarë në dysh, koka në një anë e rimorkio në anën tjetër. Rrijnë në baltë prej kohësh, po buzë lumit. Njerëzit, që kalojnë në të rrallë aty tregojnë se ka kohë ajo gjendje. Edhe pse dihet që aty do të ndërtohej një hidrocentral, ose të paktën duhej të ishte mbaruar tashmë, askush nuk e di pse ajo gjendje ka mbetur në vend.
Njerëzit që kanë rrahur shpesh atë rrugë tregojnë se ka vite që aty veç hapet gropa, e gërmohet. Gërmohet e gërmohet pa kohë! Nuk besojmë se kjo është ironi e fshatarëve në ato anë! Por është shqetësim real i tyre jo vetëm për dijeninë që kanë se aty ka qenë menduar një hidrocentral, por se pafundësia e gërmimit e bën akoma më misterioze atë vend.
Qetësia përzier me frikën e errësirës i detyrojnë njerëzit të mendojnë se aty ka punë të liga. Të liga ata mendojnë sot se si gënjehet aq lehtë me paratë. Pa qenë nevoja të kesh një vesh të kujdesshëm të dëgjosh këta zëra, po ashtu dhe sy të vëmendshëm se si gërmimet kanë krijuar pellgje uji – fotografitë që po shoqërojnë e tregojnë këtë. Ndërsa në anë tjetër nuk janë aq budallenj njerëzit aty sa të mos marrin vesh kur në të rrallë kanë parë që të zbarkojnë ca njerëz interesantë aty, të veshur e “të krehur”. Tamam si në ndonjë film konspiracioni t’i tregojnë detajet, ndërsa më të guximshëm janë kur denoncojnë se e dinë shumë mirë vlerën e parave që ka marrë firma e ngarkuar për hidrocentralin dhe se përveç punës për ngrënien e malit dhe ngrënies së këtyre parave nuk kanë bërë gjë tjetër! Ne qeshim nga këto reflektime që shkojnë midis naivitetit por dhe një force të brendshme qytetarie për të mos heshtur, por për të rrëfyer atë që “nxihet” nga retë e mbulohet nga uji i lumit në ditë të zymta.
Ikim pa kthyer kokën pas, përcjellë me sytë e vendasve që presin që aty të ketë ndonjë shkëndijë në vend të gërmimeve të herë pas hershme, që me shumë ironi e fshehin të vërtetën. Mali i gërryer, e kthyer në një ngjashmëri të shkallëve që me shumë fantazi mund ta quajmë “digë” ka përballë reliktet e ekskavatorin, shkëlyer njëqind copash… po ashtu ka përballë njerëzit që e shohin prej vitesh këtë pamje, e sot nuk druhen të flasin e të denoncojnë; ç’po bëhet me lumin, ç’po bëhet me hidrocentralin, ç’po bëhet me njerëzit që marrin para për këtë, dhe ç’është bërë me këto para?!
Becchetti del në treg si “mediatik”, lë “në tako” Kalivaçin e kreditorët…!
Në tregun shqiptar ka ndodhur disa herë që një biznesmen, i ndodhur në vështirësi me përmbushjen e detyrimeve kontraktore, ndaj shtetit e të tretëve, është hedhur në sektorin e medias, me synimin për të ushtruar presion me linjën e vet editoriale ndaj shtetit e të tretëve. Kjo ka ndodhur rëndom gjatë qeverisjes socialiste, por në këtë prag zgjedhjesh nuk mund të mos linte pa tërhequr vëmendjen tentativa e radhës e investitorit italian Francesco Becchetti për të hapur një televizion. Themi “e radhës”, pasi ky person nuk e ka të re kuturisjen në labirintet e ekonomisë shqiptare, që kur mori, në vitin e largët 1997, një licencë për të ndërtuar një hidrocentral me fuqi të konsiderueshme në Kalivaç të Tepelenës, për të shfrytëzuar ujërat e Vjosës për të prodhuar energji elektrike. Sikurse është shkruar edhe nga gazeta “Standard” muaj më parë, të gjitha projektet e tij deri tani janë realizuar përgjysmë. Por, sa para bën? Një HEC i ndërtuar në gjysmë të projektit nuk mund të prodhojë energji. Për këtë, diga dhe aksesorët e këtij projekti duhet të ndërtohen deri në fund. Megjithatë, ky investitor duket se e ka devijuar së fundmi objektin e veprimtarisë së tij në Shqipëri, edhe pas problemeve të pafundme që ka me nënkontraktorët e tij, të cilët ankohen se nuk u ka paguar fatura deri në 2 milionë euro. Por, nuk janë vetëm këto.
Gati një muaj më parë, më datë 28 janar të këtij viti, shoqëria “Pelikani Security”, që kryen veprimtari në fushën e rojeve civile dhe shërbimin e ruajtjes fizike të personave dhe objekteve, u është shtuar ankuesve ndaj zotit Becchetti dhe ka hedhur në gjyq pikërisht firmën ku ai është administrator. Fjala është për çështjen civile nr. 8858, të depozituar tashmë në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë, ku i paditur rezulton shoqëria “Kalivaç Green Energy” sh.p.k. “Pelikan” i kërkon gjyqësorit të nxjerrë një vendim përkatës, që ta detyrojë kompaninë e investitorit në fjalë të paguaj një detyrim të prapambetur, konkretisht: ”Detyrimin e palës së paditur të paguajë detyrimin kontraktor në masën 28.800 euro për shërbimin e ruajtjes fizike sipas faturave për periudhën shtator-dhjetor 2012”. Çështja është pranuar për gjykim nga gjyqtari Ervin Pollozhani. Pra, edhe një “tullë” tjetër në murin e ankesave zyrtare ndaj një investitori, që nuk ka realizuar ende, pas 16 vitesh, as objektin e veprimtarisë së tij, për të cilin ka marrë një licencë dhe për të cilin ka punësuar firma e punonjës shqiptarë në vite. Jo shumë larg në kohë, pas publikimit të një raporti të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore mbi ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë këtij institucioni deklaroi se një tjetër grup ekspertësh ka kryer një tjetër monitorim në datën 18 shkurt 2013. Nga kontrolli i ushtruar nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore rezultoi se punimet e kompanisë koncesionare “Bechetti Energy Group” vazhdojnë të jenë minimale, madje janë në të njëjtën fazë të një viti më parë. ”Në këtë HEC vazhdojnë punimet minimale, me një ritëm të ulët. Mund të themi se këto punime janë praktikisht të njëjtat si një vit më parë. Aktualisht, po punohet kanali i deviacionit të punimit si dhe një pjesë e skarpatit, si dhe… restaurimi i disa zyrave”, – deklaroi Entiol Laço, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve në AKBN.
Situata
Shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore përforcon konkluzionet e raportit të qershorit 2012, duke thënë se HEC-i duhet të kishte nisur punën në afatin më të fundit të caktuar, më 17 korrik 2011, pra kompania ka shkelur afatet me 19 muaj deri më tani. Konkluzionet e këtij monitorimi priten të publikohen në një tjetër raport, i cili, me sa thonë ekspertët e AKBN-së, duket se do të jetë i ngjashëm me raportin e qershorit te kaluar, në të cilin agjencia del me konkluzionin se kompania koncesionare italiane “Becchetti Energy Group” nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit. Kompania e zotit Becchetti është regjistruar me objektin e mëposhtëm: “Projektimin, zhvillimin, organizimin, realizimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentralit me fuqi të instaluar rreth 100 MW, për t’u ndërtuar në Shqipëri, Kalivaç, zona Krahës, Tepelenë, Gjirokastër, sipas kontratës së koncesionit të lidhur me shtetin shqiptar. Shitjen dhe eksportin e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentrali i sipërpërmendur, për llogari të vet apo të të tretëve. Aktivitetet e kërkimit, zhvillimit, këshillimit, mbështetjes, vlerësimit të burimeve dhe mjeteve dhe në përgjithësi çdo aktivitet tjetër që ka të bëjë me realizimin dhe vënien në punë të hidrocentralit të Kalivaçit. Shoqëria mund të ushtrojë veprimtarinë e saj në Shqipëri dhe jashtë saj e të kryejë çdo aktivitet tjetër të lidhur, ndihmës, të ngjashëm, plotësues apo të dobishëm për përmbushjen e objektit të saj”. Në asnjë rresht të këtij objekti nuk është thënë – dhe nuk e lejon as Kodi Civil – që investitori mund të vonojë, refuzojë, anashkalojë, harrojë, pagesën për punën e kryer nga subjekte apo persona të tjerë. Por, ja që lista e kreditorëve që tashmë janë në gjyqe civile me kompaninë në fjalë zgjatet e zgjatet dhe zgjidhjen personi që e drejton atë e ka gjetur në një sektor krejtësisht jashtë energjetikës: në media. Francesco Becchetti është regjistruar me afat deri në 29 qershor të këtij viti si administrator i kompanisë që ndërton Kalivaçin. A mos kjo, vallë është një rastësi? Ka lidhje kjo datë me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri? Ndoshta ky investitor shpreson se miqtë e tij, që i dhanë dikur licencën, do të kthehen në pushtet dhe për të do të jetë më e lehtë të vegjetojë dhe të kryejë çdo lloj aktiviteti me fondet e veta, me përjashtim të mbylljes së punimeve për ndërtimin e një HEC-i shumë të rëndësishëm, të parit mbi ujërat e lumit të Vjosës? Dhe, deri në këtë kohë, ai do të ushtrojë presione mediatike mbi shtetin shqiptar, AKBN-në, METE-n e institucionet e tjera që e kanë licencuar? Nëse është kështu, hesapet e tij janë bërë pa hanxhinë, në çdo drejtim që ta marrësh…
Kjo është situata aktuale e veprës hidrike nder me te mëdhatë, por qe nuk do përfundojë kurrë.
Ndërtime pa kriter! Kjo urë u ndërtua për t’i shërbyer komunitetit, e cila nuk i shërbeu as 6 muaj që pas ndërtimit.
Investitori me inxhinierin e kompanisë së tij, të cilët në mungesë të urës kalojnë lumin me varkë.
Becchetti merr koncesion për të “peshkuar” në lumë




