Halim Kosova: Mos bëni pakt me të keqen/ Banori: Kemi katër muaj pa drita, jemi 500 familje në mjerim

Kandidati për kryebashkiak të Tiranës me banorët për t’i thënë jo mjerimit dhe mizerjes

kosova-instituti-bujqesor-847x477Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorët që jetojnë pranë Institutit Bujqësor dhe pa nga afër gjendjen e tyre të mjerueshme, ku fëmijë e të rritur jetojnë pa drita e pa ujë dhe pa asnjë kusht normal jetese. Gjendja e pikëlluar e këtyre banorëve bëri që qytetarët të kenë më shumë akses dhe të drejtë fjale në këtë takim. “A ka mundësi, në qoftë se fitoni, edhe urime, të na sillni dritat, kemi katër muaj. A ka bërë vaki doktor, të gjithë, por unë si invalid sidomos e kam të vështirë doktor Halimi”, – tha një banor i Institutit në Kamëz. Kandidati i djathtë ofroi zgjidhjet e tij konkrete për këtë problem. Ai pa drejt zgjidhjeve afatgjata dhe afatshkurtra. Halim Kosova nxori në pah anën e tij humanitare, duke u bashkuar me shqetësimet e qindra familjeve në nevojë në Institutin Bujqësor. “Këto janë kushte që vërtet të dëshpërojnë shumë kur i sheh, por në të njëjtën kohë të bëjnë që të të lëvizë zemra e truri për të gjetur një zgjidhje. Sepse, në një vend ku janë 8000 apartamente të mbyllura me çelës, ka shumë mundësi t’i shpëtojë të dyja palët, si atyre që i janë bllokuar ndërtimet dhe si ata që kanë nevojë dhe mezi presin dhe çdo ditë flini dhe zgjoheni me një mendim që ishalla nesër e ishalla nesër, dhe me sa më thoni keni kaluar rreth 20 vjet në këto kushte. Më lini pak të mendoj se çfarë do bëj në dy drejtime: çfarë do bëj diçka urgjente dhe çfarë do bëj pak më vonë. Por ta dini që objektivi final është që ju të sistemoheni njëherë e mire”, – thotë Halim Kosova. Gjendja e mjeruar e banorëve të Institutit ka qenë gjithmonë në fokusin e politikanëve në prag zgjedhjesh, por asnjëherë nuk i është dhënë zgjidhje konkrete. “Ju jeni vërtet në aq urgjencë sa as ju vetë nuk e kuptoni. Pse s’e kuptoni? Nuk e kuptoni, se pavarësisht halleve, dhe mbajeni mend këtë që po ju them, edhe ju është mësuar pak syri me të keqen. Kurse unë asnjëherë nuk kam pranuar në jetën time që një gjë që nuk shkon ta lë të ikë gjatë, se po t’u mësua syri, s’është mirë. Ju thoni që ujë dhe drita. Nuk është vetëm uji dhe dritat. Janë 200 mijë gjëra që ju keni nevojë”, – shton Kosova. Gara për Tiranën ka hyrë në startin e saj final në një treshe interesante mes ministrit Erion Veliaj, kandidatit të pavarur Gjergj Bojaxhi dhe doktor Halim Kosovës.

 

Kreshnik Bozho: Saranda është e para, së bashku do t’i kthejmë shkëlqimin e dikurshëm

Batuta, humor, shtrëngime duarsh dhe përqafime ishte atmosfera e krijuar në takimin e kandidatit të djathtë Kreshnik Bozho me qytetarë të Bashkisë së Sarandës që punojnë në Tiranë. Kandidati i selisë blu për Bashkinë e Sarandës falënderoi të gjithë kandidatët e djathtë pretendent për këtë post dhe mbështetjen e tyre. “Të respektojmë Sarandën, perlën e bregdetit detin e saj, kalatë dhe monumentet e kulturës. Ne e kemi dëmtuar detin jemi treguar të padrejtë dhe të babëzitur jo vetëm me bregun por edhe me thellësinë e tij”. Në takim folën qytetarë përfaqësues të Sarandës aktorë dhe humoristë. Qytetarët kërkuan që “Niku të bëjë diçka për Sarandën”. Zoti Bozho u premtoi të pranishmëve se dyert e bashkisë do jenë të hapura pas 21 qershorit. Pjesëmarrësit u shprehën të bindur në fitoren e kandidatit të djathtë në 21 qershor.

 

Frrokaj: Ta kthejmë Lezhën në destinacionin turistik që i takon

Zhvillimi i turizmit është i lidhur ngushtë me infrastrukturën. Pa infrastrukturë nuk ka turizëm. Kjo është deklarata e kandidatit të djathtë për Bashkinë e Lezhës, Fran Frrokaj. “Turizmi mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Lezhës, por më parë duhet ndërtuar infrastruktura e munguar dhe e nevojshme në shërbim të këtij sektori”. Për Fran Frrokajn, kandidat i Aleancës për Punë e Dinjitet në Bashkinë Lezhë, kjo është pika nga do të nisë programi i tij për turizmin. Në takimin me banorët e Shëngjinit, kandidati Frrokaj premtoi se ndërtimi i rrugës që të dërgon drejt Ranës së Hedhun, shërbimi i pastrimit dhe zgjidhja përfundimtare e problemit me ujin e pijshëm, do të jenë investimet e para që do të kryhen për këtë zonë. “Për banorët e lagjes Margjonaj, kjo zonë është lënë pa asnjë vëmendje dhe kjo për shkak se pushtetarët aktualë kanë pasur vetëm interesa personale e demonstruar me lëvizjet e vazhdueshme politike të tyre dhe në asnjë rast nuk kanë menduar për qytetarët”, – tha Frrokaj. Kandidati i djathtë Fran Frrokaj ka vijuar takimet me banorët e Shëngjinit në rrugët e këtij qyteti, ku ka gjetur mbështetje të madhe, pasi presin që më në fund në këtë njësi vendore të vijë një administrator i përgjegjshëm që do ta bëjë Shëngjinin një qytet turistik të dëshiruar edhe nga të huajt. Fran Frrokaj kandidon përball kandidatit të majtë Viktor Tusha, i cili kërkon mandatin e tretë në këtë Bashki.

 

Basha: Të largojmë nga Lushnja bandat e Ramës në 21 qershor

Me Darien Xhindolin, Bashkia e Lushnjës do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të qeveritarëve. Kjo ka qenë mbështetja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për kandidatin e Myzeqesë për kryebashkiak të Lushnjës. Në një takim me pjesëmarrje masive të qytetarëve lideri demokrat shprehu besimin e palëkundur në fitoren e 21 qershorit. “Në 21 qershor të majtë e të djathtë do të largojnë bandat e drejtuara nga Tushe – Rama që po përvetësojnë paratë e qytetarëve në projekte korruptive, ndërsa qytetarët vuajnë për bukën e gojës”. Lideri i selisë blu u ndal tek ekonomia dhe tek varfëria, tek çmimet e kripura që rëndojnë çdo ditë jetën e qytetarëve lushnjarë. “Do ta çlirojmë arkën e qytetit, me votë do u japim mundësi qytetarëve të Lushnjës të qeverisen hallet e tyre, të zgjidhin problemet tuaja, të investojnë sipas prioriteteve tuaja. Puna dhe punësimi në radhë të parë, puna dhe respekti për ju, dinjiteti juaj, këto janë prioritetet e Darien Xhindolit, kjo është vula e fitores së tij”. Bashkia e Lushnjës është një nga zonat e nxehta të jugut të Shqipërisë ku gjasat janë se do të ketë një garë të fortë deri në momentin e fundit. Rivali i majtë kërkon mandatin e tretë ndërsa demokratët shprehen të bindur në fitore në zgjedhjet e 21 qershorit.

 

Alibeaj: Arti në Fier në situatë të dëshpëruar

Status i munguar i artisteve, paga të ulëta dhe të padrejta, mungesë transparence në lëvrimin e fondeve, infrastrukturë e mjerueshme e godinës së teatrit, hapësira të pakta për artistët e rinj janë disa nga shqetësimet e përfaqësuesve të artit dhe kulturës në Fier. Këto konkluzione të zymta janë arritur gjatë takimit që pati kandidati për kryebashkiak të Fierit Enkelejd Alibeaj me artistë të qytetit më të madh të jugut të Shqipërisë. Kandidati i djathtë theksoi se “rigjallërimi i eventeve kulturore dhe i jetës artistike në Fier do të jetë një nga prioritetet kryesore në Bashkinë e re. Konsultim me artistët për çdo vendimmarrje nëpërmjet përfaqësisë së tyre në Senat. Menaxhim i fondeve në bazë të performancës artistike. Bashkëpunim i Bashkisë me biznesin për të nxitur evente cilësore”. Pa jetë artistike dhe kulturore s’ka të ardhme. Arti dhe kultura nxit tolerancën zbut pabarazitë sociale dhe afron njerëzit tha ndër të tjera y. Enkelejd Alibeaj. “T’i kthejmë artit dhe artistëve fierakë dinjitetin e munguar, sepse investimi dhe kujdesi për ta është investim dhe mbështetje për zhvillimin shpirtëror e kulturor të Fierit tonë”.

Share it :