Qeveria kërkon të bëjë një “show” pa baza me punësimin, investimet dhe tregtinë

Ervin Kaduku

Qeveria–  Çfarë janë 120 vende pune të hapura në Berat, kundrjet eksodit masiv të milionave të eurove që braktisin Shqipërinë?

–  Ministri Ahmetaj bën lëmsh shifrat e vetë Institutit qeveritar të Statistikave

Më 21 maj, gjatë seancës plenare në Parlament, ministri Ahmetaj deklaroi se “viti 2014, referojuni statistikave (?) dhe këtu u drejtohem qytetarëve, është viti i parë që ka afruar një rritje të vendeve të punës 9 për qind, vende të reja pune, 9 për qind. Është viti i parë në historinë 22-vjeçare”. Nuk dihet për cilat statistika e ka fjalën ministri, sepse statistikat zyrtare për vitin 2014 thonë: “Krahasuar me vitin pararendës, punësimi është rritur me 1.3%” dhe jo me 9%, sikurse u shpreh drejtuesi i dikasterit të Ekonomisë.

 

Tregtia

Sa për tregtinë, ministri tha se “eksporti u rrit vitin e kaluar 3.8 për qind. Do të thotë që struktura prodhuese e Shqipërisë është duke u konsoliduar dhe duke e shtuar masën e eksportit dhe vlerën e eksportit”. Në këtë rast, ministri është treguar i saktë lidhur me statistikën, por vështirë të thuhet me kaq siguri se struktura prodhuese është në forcim, sepse duhet thënë gjithashtu se në vitin 2014 pati një rritje vjetore prej 6.7% në importe dhe deficiti tregtar u rrit po ashtu me rreth 9.4%. Eksportet, të cilat ministri i pa me shumë optimizëm, në të vërtetë për vitin 2014 mbuluan 46.3% të importeve, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte 47.6%. Natyrisht, kjo tregon një dobësi të ecurisë së eksporteve karshi importeve, çka reflektohet edhe në përkeqësimin e defiçitit tregtar.

Duke qëndruar tek eksportet, në muajin prill 2015 eksportet e mallrave u ulën gjithashtu me 10% në krahasim me prillin e 2014-ës dhe 7.8% në krahasim me marsin 2015. Në muajin prill 2015 edhe importet e mallrave u ulën me 2% në krahasim me prillin 2014 dhe 2.2% në krahasim me marsin 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji u rrit me 6.5% krahasuar me prillin 2014 dhe 3.3% në krahasim me muajin mars 2015. Këta tregues kanë qenë gjithnjë negativë për tregtinë e Shqipërisë që prej fillimit të vitit, ndaj duket pa vend që të flitet për situatën tregtare me tone optimiste, duke shkuar shumë përtej realitetit.

 

Investimet e huaja

Duke cekur sipërmarrjen dhe investimet në vend, ministri dha një lajm të mirë se “…në Këshillin e Ministrave u bë kontrata e 15-të me 1 euro. Minimalisht 120 vende të reja pune në Berat. Në zona, të cilat janë akoma jashtë aksit kryesor të zhvillimit ekonomik, ka ‘lule’ që ‘çelin’ me 120 vende pune”. E parë kështu, krijohet ideja se investimet e huaja dhe sipërmarrja në vend lulëzon. Por fatkeqësisht nuk është kështu. Sepse janë të këtij muaji edhe lajme mjaft të këqija, si për shembull mbyllja e të vetmes kompani industriale gjermane që operonte në Shqipëri, kompanisë farmaceutike “GlaxoSmithKline”, që ka bërë publik edhe vendimin e saj për të kufizuar përfaqësinë në Shqipëri. Pa harruar se kompania e prodhimit të mobilieve F.P.M sh.p.k e ka zhvendosur aktivitetin në një zonë të lirë në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, zëri “mjete” në Investimet Direkte, i cili nënkupton flukset dalëse të investimeve direkte, arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro të një viti më parë. Ndaj shtrohet pyetja: çfarë janë 120 vende pune të hapura në Berat, karshi “eksodit” të një kapitali të tillë?

 

Falimenti

Falimenti është kthyer në një makth për kompanitë që operojnë në Shqipëri dhe duan të mbyllin aktivitetin. Ndërsa sektori i ndërtimit vijon problemet, “Volaba”, fabrika italiane e prodhimit të tullave, ka shpallur falimentin që prej dy vitesh, ndërkohë që administratorët e falimentit e kanë futur tani në procedurë tenderi shitjen e “falimentit” me një vlerë mbi 6 milionë euro. Hapja e ofertave do të realizohet në 15 qershor në ambientet e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë.

“Volalba” ishte biznesi më i madh në vend i prodhimit të tullave, i cili nisi aktivitetin rreth 15 vite më parë në ish-fabrikën shtetërore të tullave, në Lushnjë. Por megjithëse është ndër të parat që ka hyrë në treg dhe gjithashtu më e madhja, ajo është gjithashtu e para në largimin nga ky sektor duke shpallur falimentin.

Sektori i tullave është ndër sektorët më të goditur në biznesin e materialeve të ndërtimit, i cili jo vetëm përballet me një krizë të thellë të likuiditeteve për shkak të borxheve të mëdha nga klientët e ndërtimit, por edhe nga mbiprodhimi, në kushtet kur numri i firmave që prodhojnë tulla u rrit me shpejtësi më parë.

Dhe, ç’po bën dikasteri i ministrit Ahmetaj përballë një situate të tillë negative? Asgjë tjetër veç mburret me fitore të paqena.

 

Qeveri e majtë (?!)

Në të njëjtën kohë kur në muajin prill 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.3%, qeveria uli edhe ndihmën ekonomike për të papunët dhe shtresat në nevojë me 2.66 miliardë lekë. Një veprim i tillë nuk është aspak prej qeverie të majtë, por prej një Ekzekutivi që mbron interesin e kredimarrësve të mëdhenj, për të shlyer këstet e borxheve të tyre.

A krijohet një ide e përgjithshme në këtë pikë se cilat mund të jenë shkaqet strukturore të ekonomisë shqiptare, që i detyrojnë njerëzit të marrin rrugët drejt Europës?!

 

A është tërhequr qeveria për çështjen e kufirit?

Është shtyrë afati i dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do t’u jepen kompanive private për kërkim dhe zhvillim. Hiqet dorë për një afat të pacaktuar edhe nga kërkimet në ‘Jon 5’, zonë e diskutuar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vendimi, mesa duket, vjen pas tërheqjes së Greqisë nga kërkimi në zonë dhe ndoshta hapjes së mundësive të negocimit mes dy vendeve.

Një urdhër i posaçëm i ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, ka anuluar dy urdhra të mëparshëm që kishin vendosur si afat për dorëzimin e ofertave datat 15 dhe 25 qershor për shtatë blloqe kërkimi në gjithë territorin e vendit, si tokë ashtu dhe det. Sipas Ministrisë së Energjisë, afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku për 5 zonat e kërkimit në tokë që janë, Blloqet 4 dhe 5, Blloku C, ai i Panajasë dhe Blloku i Dumresë. Ndërsa për dy zonat e tjera të kërkimit në det, që janë blloku i Rodonit dhe ai i ‘Joni 5’ afati shtyhet në një periudhe të pacaktuar. Ky i fundit është edhe blloku për të cilin ka një konflikt të hapur kufiri me Greqinë.

Tërheqja e Shqipërisë nga hedhja në ankand edhe e këtij blloku mund të jetë e lidhur me negocimin mes dy vendeve. Më herët ishte njoftuar se Greqia i pezulloi kërkimet në këtë zonë deri në arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë për kufirin detar. Marrëveshja e 2009-s që u nënshkrua nga palët, u anulua në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri dhe Tirana zyrtare kërkon ose rinegocim të saj, ose një shqyrtim të kufijve në Gjykatën Ndërkombëtare.

Burime nga ministria thanë se shtyrja me një muaj e afatit për 5 blloqet në tokë vjen pasi disa kompani, ndër më të mëdhatë në arenën ndërkombëtare kanë shprehur interes, por kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave. Ndërsa për blloqet e detit, afati është shtyrë për të përmirësuar të dhënat sizmike. Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e “Albpetrol” dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato tek privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit, qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.

Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, Qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.

Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave. Por përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.

 

Pse nuk ulet çmimi i naftës në Shqipëri

Tendenca në rënie e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare nuk është reflektuar aspak në tregun vendas të naftës me shumicë, përkundrazi. Diçka e tillë vjen kryesisht falë forcimit të theksuar të dollarit amerikan kundrejt monedhës vendase, duke zbehur kështu efektin e çmimit të kuotuar në bursa. Nafta me shumicë gjatë ditës së djeshmë është shitur me 155.89 lek për litër, që shënon edhe një rritje prej 0.69% në krahasim me sesionin e shkuar.

Luhatjet në çmimin e shumicës vijnë, veç çmimit me të cilin kuotohet në bursë, edhe në bazë të kostove të transportit, cilësisë së produktit të zhdoganuar, kursit të këmbimit ndërmjet dollarit dhe lekut, si dhe barrës shtetërore. Këto të dhëna i referohen çmimit përfundimtar me të cilin nafta del nga dy portet e vendit, atë të Durrësit dhe atë të Vlorës, ku përfshihen edhe të gjitha kostot që janë të detyruara me ligj, përfshirë barrën shtetërore e cila sot regjistrohet në 93.6 lek për litër.

Pra, në çdo litër karburant që hedh në serbatorin e makinës, shqiptari detyrohet të paguajë “aforfe” afro 100 lekë të vjetra për arkën e shtetit.

 

Inflacioni

Niveli i inflacionit në vend vijon të reflektojë një kërkesë të brendshme tejet të dobët. Me fjalë, të tjera, ulja e çmimeve vjen pasi shqiptarët nuk kanë lekë të paguajnë dhe subjektet detyrohen të shesin mall nën kosto. Kjo frenon çdo përpjekje për të investuar në ekonomi.

Në muajin maj ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1.8%. Pra, më i ulët se niveli minimal i preferuar nga Banka e Shqipërisë, që është 2 për qind.%. Krahasuar me muajin maj 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10.1%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6.8%, grupi “Komunikimi” me 2.2%, etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3.8%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16.3%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 11.2%, “peshk” me 2.9%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 0.9%, etj.

Rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 0.3%. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i eurodiezelit u rrit me 0.8% dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.9%.

 

 

Rriten 3 herë e gjysmë subjektet debitore tek Tatimet në dy vjet

Numri i bizneseve në vështirësi për të paguar taksat po rritet me ritme të shpejta. Sipas të dhënave nga Tatimet, vitin e kaluar numri i ndërmarrjeve që iu shtuan listës së borxhlinjve shënoi një rekord të ri historik, duke arritur në 6.541. Krahasuar me një vit më parë, shifra është rritur me gati 3.5 herë. Por tendenca ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Sipas Tatimeve, vetëm për 5 muajt e parë të vitit, listës së bizneseve në borxh iu shtuan dhe gati 3 mijë ndërmarrje të tjera.

Këto janë biznese ndaj të cilave administrata ka kryer të gjitha hapat ligjorë për mbledhjen e detyrimeve, që nga njoftimi i vlerësimit tatimor deri tek bllokimi i llogarive bankare.

Meqenëse edhe pas këtyre procedurave detyrimi nuk është paguar, atëherë ndërmarrjet janë vendosur në listën e borxhlinjve dhe ndaj pasurive të tyre është vendosur barra siguruese.

Dy vitet e fundit fenomeni është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme. Në total, janë 16.063 ndërmarrje dhe subjekte fizikë që rezultojnë debitorë ndaj shtetit.

 

Shqipëria, në vend të fundit në rajon për kapitalin njerëzor

“World Economic Forum” e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në Ballkan për treguesin e kapitalit njerëzor. Shqipëria zë vendin e 66-të ndërmjet 124 shteteve në indeksin e publikuar, por ka një rritje me 10 vende krahasuar me një vit më parë, për të njëjtin studim. Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, duke u bazuar në këtë studim, pikët në rang botëror të vendit tonë janë 67.2 pikë, e fundit në rajon ku kryeson Kroacia me 75.37 pikë, Serbia me 70.97 pikë dhe Maqedonia me 69.31 pikë.

Si pozicione rankimi, Kroacia është e 36 në botë, Serbia e 50, Maqedonia e 55-a, e vendi ynë i 66. Ka surprizuar Greqia e cila renditet e 40 në mesin e 124 ekonomive botërore.

Lista kryesohet nga Finlanda, ndjekur nga Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe e 5-ta Japonia.

Të fundit në listë janë shtetet Mauritania, Çadi dhe Jemeni.

Indeksi i kapitalit njerëzor mat aftësinë e vendeve për të maksimizuar dhe përzier kapitalin e tyre njerëzor. Indeksi i vlerëson rezultatet e mësimit dhe të punësimit në të 5 grupmoshat e ndryshme, në një shkallë nga 0 (më e keqja) për 100 (më të mirë) dhe në këtë mënyrë vlerëson 124 ekonomitë.

Indeksi mbështetet në katër themele studimore për përcaktimin e treguesit të kapitalit njerëzor:

-Arsimi, shëndeti dhe mirëqenia, forca e punës dhe punësimi si dhe mundësitë.

Te themeli i parë përfshihen treguesit arsimorë në sasi dhe cilësi në çdo nivel, parashkollor, parauniversitar dhe universitar me forcën e punës sot dhe për të ardhmen.

Shëndeti dhe mirëqenia theksojnë gjendjen psiko-fizike të popullatës që nga vegjëlia deri në moshën madhore.

Treguesi i tretë mbështetet te mjaftueshmëria e përvojës në punë dhe aftësimi i popullatës në moshën për punësim të një vendi.

Së fundi, mundësitë për gjendjen ligjore, punët publike dhe infrastrukturën për ta shndërruar në tregues të kapitalit njerëzor.

“Forumi Ekonomik Botëror” e hartoi raportin e këtij viti për 124 shtete, përfshi 4 vendet ballkanikë, që në mesin e tyre gjendet Kroacia, e 36-a në botë.

 

Financat bëhen gati për borxhin e ri

Qeveria shqiptare është në fazën e përgatitjes së raporteve të prezantimit të Shqipërisë para investitorëve ndërkombëtarë për emetimin e eurobondit prej 300 milionë eurosh, afati i maturimit të të cilit përfundon në nëntor të këtij viti.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pas hartimit të raporteve e përgatitjes së dokumentacionit ligjor, dy bankat e përzgjedhura, “Deutsche Bank” dhe “JP Morgan Chase”, si bashkëudhëheqëse kryesore (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit të eurobondit, do të ftojnë investitorët ndërkombëtarë për të dhënë ofertat në bazë të normës së interesit më të mirë.

Përzgjedhja e “Deutsche Bank” dhe “J. P. Morgan”, si udhëheqëse në rinovimin e eurobondit, thanë burimet, rrit garancitë për sukses. Burimet pohojnë se në rast ofertash të favorshme do të konsiderohet edhe zgjerimi i shumës së eurobondit mbi 300 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, bënë të ditur burimet, shuma shtesë do të përdoret për të zëvendësuar një pjesë të borxhit publik afatshkurtër, duke rritur maturitetin çka do të çonte edhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë se borxhit publik. Qeveria beson se, përmes rinovimit do të kursejë para për buxhetin.

Borxhi, që 5 vjet më parë u mor me interes 7.5 për qind, do të zëvendësohet me një borxh me interesa dukshëm më të ulëta. Republika e Shqipërisë emetoi eurobondin e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare më 4 nëntor 2010. Obligacioni maturohet në datë 9 nëntor 2015. Ai është emetuar në monedhën euro dhe shuma e emetuar është 300 milionë.

Share it :