Elton Qyno
Udhëzimi i ri, sa do të përfitojë një ekspert privat, kur kryen ekspertizën për gjykatën dhe prokurorinë
Kriteret që përdoren për përfitimin e katër mënyrave të marrjes së lekëve gjatë kryerjes së shërbimit
Këshilli i Ministrave ka ndryshuar çmimet për pagesat e dëshmitarëve, ekspertëve dhe përkthyesve, që paraqiten në gjykatë apo që ngarkohen me një detyrë të posaçme nga togat e zeza. Nëpërmjet një udhëzimi, që mban datën 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe që është firmosur nga Kryeministri Sali Berisha, përcaktohen tarifat e reja lidhur me pagesat që duhet të bëhen nga ana e administratës, për kategoritë që marrin shërbime të posaçme, kryesisht si dëshmitarët që paraqiten në gjykatë, ekspertët dhe përkëthyesit. Ky udhëzim i ri që vendos pagesa të reja, është publikuar pak kohë më parë në “Fletoren zyrtare” dhe mban numrin 4, duke u quajtur “Udhëzimi për caktimin e masës së shpenzimeve dhe pagesave të ekspertëve dhe dëshmitarëve gjatë proceseve gjyqësore”. Pikërisht në këtë udhëzim, qartësohet se pagesat për kategoritë e sipërcituara nuk mund të kalojnë më tepër se 30 mijë lekë të vjetra për dëshmitarët ndërsa për ekspertimit s’mund të kalojë shifra prej 400 mijë lekësh të vjetra, në rastet kur eksperti është i licencuar dhe ushtron aktivitet privat. Në udhëzim, shpalosen edhe një sërë kriteresh se si duhet të bëhen pagesat, duke u shoqëruar ato me faturat përkatëse, të punës së kryer, biletat e qëndrimit në hotele, si dhe deri tek biletat e udhëtimit të dëshmitarëve, ekspertëve dhe përkthyesve. Gjithashtu, në udhëzimin e ri thuhet se kur dëshmitari largohet nga vendi i punës, shpërblehet në vlerë të barabartë me pagën ditore të ndërprerë. Të vetmit që përjashtohen nga shpërblimet financiare për dëshmitë e dhëna, janë të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Kriteret për ekspertët
Sipas urdhrit të publikuar tashmë në “Fletoren zyrtare”, caktimi i shpenzimeve që u takojnë ekspertëve, bëhet në bazë në disa kushte. I pari flet kur eksperti banon në një largësi deri në 100 km nga gjykata, ku është thirrur për të kryer ekspertizën, trajtimi financiar i tij përfshin vetëm shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore. Mirëpo kur eksperti banon në një largësi mbi 100 km nga gjykata ku është thirrur për të kryer ekspertizën, atij i përballohen shpenzimet e mëposhtme si: Dietë ditore, jo më shumë se 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, kur ekspertiza zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë. Ndërkohë që shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore, të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me kuponin tatimor, por jo më shumë se 3000 (tre mijë) lekë, për çdo natë. Shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, të miratuar me vendimin nr. 66, datë 27.2.2007 të Këshillit të Ministrave “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar. Pagesa për punën e kryer për ekspertimin nga eksperti i licencuar nuk mund të tejkalojë shumën 40.000 (dyzet mijë) lekë te reja.
Kriteret për dëshmitarët
Caktimi i shpenzimeve, që u takon dëshmitarëve, bëhet si më poshtë vijon: Kur dëshmitari banon në një largësi deri në 100 km nga gjykata ku është thirrur për të dëshmuar, mbulimi i shpenzimeve të përfshijë vetëm shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifat përkatëse sipas distancës kilometrike të linjës, të miratuar me vendimin nr. 307, datë 20.7.1992 të Këshillit të Ministrave “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”. 10611. Kur dëshmitari banon në një largësi mbi 100 km nga gjykata ku është thirrur për të dëshmuar, atij i përballohen shpenzimet e mëposhtme. Dietë ditore, në masën jo më shumë se 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë. Shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore, të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me kuponin tatimor, por jo më shumë se 3000 (tre mijë) lekë, për çdo natë. Shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, të miratuar me vendimin nr. 307, datë 20.7.1992 të Këshillit të Ministrave “Për tarifat e transportit të udhëtarëve”. Në udhëzim thuhet se kur dëshmitari largohet nga vend i punës, shpërblehet në vlerë të barabartë me pagën ditore të ndërprerë. Shpërblimi kërkohet nga dëshmitari me anë të paraqitjes së një dokumenti me karakter vërtetues të vendit të punës dhe vlerës së pagës. Nuk gëzojnë të drejtën e pagesës për dëshmitë e dhëna të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Kriteret për përkthyesit
Pagesat e përkthyesve të caktohen në bazë të udhëzimit të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, nr. 3165, datë 12 maj 2004 “Për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së përkthyesve të jashtëm, tarifat e pagesës së përkthyesve të jashtëm dhe tarifat e përkthimit zyrtar që duhet të paguajnë të tretët”, në bazë faqesh. Në rast se përkthyesit do të thirren për t’u paraqitur në gjykatë për të kryer shërbimet e tyre, përveç pagesës, u mbulohen edhe shpenzimet ditore në të njëjtën masë, referuar ekspertëve dhe dëshmitarëve.
“Vazhdojmë të punojmë duke mos marrë lekë”
Ekspertët: Ende nuk kemi marrë pagesat
e vitit të shkuar, gjykata s’ka financa
Pavarësisht nga kriteret e reja të pagesave për tri kategoritë si ekspertë, dëshmitarë dhe përkthyes, disa prej këtyre të fundit shprehen se ende nuk kanë marrë pagesat nga gjykata, por edhe nga prokuroria, për punën që kanë bërë gjatë proceseve gjyqësore. Shkak i mospagesës sipas tyre ka qenë gjendja e vështirë ekonomike e institucioneve, nga të cilat ata ngarkohen me punë, si prokuroria dhe gjykata. Nisur nga kjo situatë, ekspertët dhe përkthyesit, prej disa muajsh, s’kanë marrë lekët, ndërkohë që vijojnë të punojnë sërish, duke kryer ekspertiza të ndryshme. Në të njëjtën linjë me ta janë edhe dëshmitarët të cilët për raste të veçanta, kanë të drejtë të trajtohen financiarisht për dëshminë e tyre të dhënë në gjykatë. Në shumë raste mospagesat për detyrat e kryera sjell, edhe abuzimin e ekspertëve të cilët në disa raste kanë bërë ekspertiza të rreme, kryesisht në rastet e aksidenteve rrugore, pasi janë paguar nga personat që akuzohen nga prokuroria apo që janë në gjykim në gjykatë. Kuptohet që këta persona janë të gatshëm t’i mbushin në kohë xhepin me para një eksperti, i cili, në këmbim të lekëve, ia lehtëson pozicionin e tij, gjatë prezantimit në gjykatë të aktit të ekspertimit.
Detaj
400 mijë
Pagesa për punën e kryer për ekspertimin nga eksperti i licencuar nuk mund të tejkalojë shumën 40.000 (dyzet mijë) lekë te reja.
Pagimi ditor
Në rast se përkthyesit do të thirren për t’u paraqitur në gjykatë për të kryer shërbimet e tyre, përveç pagesës, u mbulohen edhe shpenzimet ditore në të njëjtën masë, referuar ekspertëve dhe dëshmitarëve.





