Aftësia e qeverisë shqiptare për të reduktuar borxhin varet nga një sërë faktorësh, në veçanti madhësia e borxhit në raport me PBB-në, normat e interesit të paguara për atë borxh në krahasim me ritmet e rritjes ekonomike dhe madhësia e balancës primare të buxhetit (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit). Në rast se norma e interesit e paguar për borxhin publik është më e lartë se norma e rritjes së ekonomisë, atëherë stoku i borxhit qeveritar do të rritet si peshë ndaj PBB-së, përveçse në rast se qeveria do të arrijë të ketë një suficit buxhetor parësor. Sa më i madh që të jetë stoku i borxhit, aq më i madh duhet të jetë ky suficit. Si rrjedhojë vendet me deficite të mëdha parësore, stoqe të mëdha të borxhit dhe një diferencë të madhe midis normave të interesit dhe ritmeve të rritjes ka të ngjarë të jenë më të brishtë. Shqipëria planifikon të dalë me suficit parësor vitin e ardhshëm. Këto implikime sugjerojnë se Shqipëria mund të futet në një rreth vicioz në të ardhmen afatmesme. Nga njëra anë, ritmet e rritjes ekonomike pritet të jenë të ulëta, të paktën për këtë vit (pritshmëria prej 3% është vënë tashmë në dyshim, e pohuar kjo dhe nga FMN); reduktimi i pashmangshëm i shpenzimeve buxhetore do të ushtrojë më shumë presion për këtë, në një kohë që të ardhurat në pjesën e parë të këtij viti nuk kanë shënuar rritje reale dhe qeveria pritet të rishikojë buxhetin e 2015-s, duke reduktuar si parashikimet për të ardhurat, ashtu dhe shpenzimet. Dhe si gjithnjë, reduktimi i shpenzimeve prek investimet kapitale, duke ulur ndikimin e këtyre investimeve në rritjen ekonomike. Financimi privat i ekonomisë, një tjetër element që konsiderohet i rëndësishëm për të nxitur rritjen, është pothuaj inekzistent, me bankat që janë përqendruar në menaxhimin e kredive me probleme, që kanë ngecur në nivelin e 22.7% në fund të marsit 2015. Në raport me dhjetorin e 2014-s, huaja për ekonominë në fund të marsit ra me 0.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Eksportet ranë me 4.2% për 4 mujorin. Perspektiva nuk duket shumë optimiste me çmimet e naftës që pritet të qëndrojnë 60-80 USD për fuçi, duke ndikuar eksportet shqiptare të naftës, fqinjët që nuk po arrijnë të rimëkëmben, (sidomos Greqia që është në dilemën e ekzistencës në euro), qeverinë që i mungon një strategji e qartë zhvillimi të qëndrueshëm, teksa forca punëtore e kualifikuar mungon dhe punësimi ka mbetur në dorë te call center. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta, ndërsa shpresa më e madhe e rritjes janë projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet. Ndërsa Ministria e Financave, në kuadrin e saj afatmesëm 2016-2018 ka parashikuar se nga viti i ardhshëm, ekonomia do ta kapë ritmin e 4%, të nevojshme për të ulur borxhin, Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar se, potencialet për rritjen ekonomike të vendit deri në vitin fund të vitit 2017 nuk do të jenë më shumë se 3%. Në të njëjtën linjë është dhe Banka Botërore, që pohon se ekonomia nuk do të rritet më shumë se 3-3.5% gjatë pesë viteve të ardhshme. Por, ndryshe nga financat, përfaqësuesja e Bankës Botërore znj. Tahseen Sayed pohon se kjo rritje është e mjaftueshme për të ulur borxhin. Dhe nëse ekonomia (PBB nominale) nuk arrin të rritet më shpejt se borxhi, kjo do t’i detyronte financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor, apo dhe të rrisin taksat për të siguruar më shumë të ardhura. Kjo do zgjaste ciklin e uljes së borxhit, duke e çuar atë drejt kufijve të paqëndrueshmërisë dhe duke vonuar konsolidimin fiskal. Reinke i FMN-së pohon se konsolidimi fiskal mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës makroekonomike të Shqipërisë. “Ne gjithashtu e këshillojmë qeverinë shqiptare të përmirësojë qëndrueshmërinë e borxhit përmes rritjes së nivelit të të ardhurave, përmirësimin e menaxhimit të borxhit dhe përshtatjen e politikave që do të forcojnë tregjet e brendshme financiare”, – thotë ai, duke e vënë theksin te zgjerimi i bazës së taksapaguesve dhe luftimin e evazionit, një këshillë e fortë kjo dhe e Bankës Botërore. Gjithsesi, në një zhvillim pozitiv, borxhi po ristrukturohet drejt maturitetit afatgjatë dhe po ulet varësia nga tregu i brendshëm, çka e bën atë më elastik ndaj goditjeve të brendshme.
Pasi qeveria hyri në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, është lehtësuar presioni në tregun e brendshëm, me yield-in e bonove të thesarit që po bie për të dytin muaj radhazi. Deri në muajin shkurt të këtij viti, financat u hasën në presionin e bankave, që janë blerësit kryesorë të letrave me vlerë, të cilat u tërhoqën nga financimi i borxhit të qeverisë, në vijim të strategjisë së tyre për uljen e ekspozimit në bonot qeveritare. Si rrjedhojë, financat dolën në tregun e huaj, duke marrë 250 milionë euro në fillim të prillit (kredi e mbështetur nga Banka Botërore) me synim zëvendësimin e borxhit të brendshëm me atë të jashtëm.
(Marrë nga “Monitor”)
Transportet: Ja segmentet e gatshme për sezonin
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka njoftuar lidhur me ndërhyrjet e bëra në rrugët nacionale. Sipas saj, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar, në prag të sezonit turistik, ndërhyrjen në segmentin shumë të frekuentuar Orikum-Llogora, në zonën e Dukatit, me problematikë të shfaqur prej disa vitesh me rrëshqitjen e dherave. Zona prej 3 km e rrëshqitjes në zonën e Dukatit është korrigjuar provizorisht, derisa rruga të zhvendoset në një sipërfaqe më të qëndrueshme. Drejtuesit e mjeteve mund të lëvizin pa pengesa në këtë segment rrugor, që paraqiste rrezikshmëri të lartë.
Projekt tjetër me rëndësi është segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec, me gjatësi 17.6 km, ku është përfunduar asfaltimi në të gjithë gjatësinë e segmentit dhe brenda muajit qershor ai do të plotësohet me elementet e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, në funksion të sigurisë rrugore dhe qarkullimit komod të qytetarëve.
Ndërkohë, në segmentin Berat-Lushnjë (3 lote), me gjatësi 32.15 km, punimet ende po vazhdojnë dhe aktualisht është siguruar shtrimi me asfalt në të gjithë gjatësinë e tij. Brenda qershorit edhe këtu do të instalohet sinjalistika rrugore dhe barrierat mbrojtëse metalike në këtë segment, sipas dikasterit.
Gjithashtu vijon puna për rehabilitimin e segmentit Gjirokastër-Ura e Viroit.
Paralelisht me këto ndërhyrje dhe përfundim projektesh, të filluara me fondet e qeverisë së mëparshme, ARRSH është në fazë procedurale të rehabilitimit të disa segmenteve të tjera me rëndësi, si segmenti Gjirokastër-Korçë, ku është në procedurë segmenti Ura e Leklit – Përmet, si dhe rruga që lidh sitin arkeologjik të Bylisit me aksin Levan-Tepelenë, ku puna për rehabilitimin e kësaj rruge lidhëse fillon brenda muajit qershor.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës thekson se rëndësi të veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes me bazë monitorimi të disa segmenteve me fluks më të larte qarkullimi në sezon turistik, siç është rruga nacionale Rrogozhinë-Butrint, apo segmenti Tiranë-Durrës.
Banka e Shqipërisë: Në vend qarkullojnë para’ me vlerë 1.6 mijë miliardë euro
Sasia e kartëmonedhave në qarkullim, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, është 130.654.519 copë, me vlerë të përgjithshme rreth 223 trilionë lekësh. Shifra është e barabartë me afro 1.6 mijë miliardë euro. Në krahasim me vitin 2013, rezulton pothuajse i njëjti numër kartëmonedhash, ndërkohë që vlera regjistron një rritje në masën 9.06%. Kjo rritje pasqyron ndryshimin që ka pësuar struktura në favor të kartëmonedhave me vlerë nominale 5.000 lekë dhe 2.000 lekë. Gjithashtu, vëllimi i kërkesave nga bankat e nivelit të dytë për pagesa pati rritje.
Në fund të vitit 2014 rezultuan 147.222.518 copë monedha metalike në qarkullim me vlerë 3.5 trilionë lekë. Në krahasim me vitin 2013, rezulton një rritje e numrit të monedhave metalike me 5.1% dhe një rritje me 3.45% e vlerës së tyre. Struktura e monedhës metalike në fund të vitit 2014 paraqitet pak a shumë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Në fund të vitit 2014, raporti i përgjithshëm midis vlerës së monedhës metalike ndaj kartëmonedhës rezultoi më i ulët se vitin e kaluar.
Falsifikimet
Gjatë vitit 2014, numri i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara ka rezultuar pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2013. Në përgjithësi, numri i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara vlerësohet të jetë i vogël dhe, në raport me sasinë në qarkullim, i papërfillshëm. Kartëmonedhat e evidentuara si të falsifikuara, sipas analizës teknike, janë kryesisht riprodhime me inkjet-toner në makina riprodhuese (skanimi apo fotokopjimi) me ngjyra, si dhe në pak raste me offset, të kombinuara me aplikimin e metodave artizanale për imitimin e elementeve të sigurisë të natyrës vizuale apo me rrathë fluoreshentë.
Paraja elektronike
Dy vitet e fundit, numri i mashtrimeve me kartat bankare në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa dëmi financiar për klientët ishte pothuajse 0. Por, rreziqet në rritje vijnë nga përdorimi në internet. Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, mashtrimet në këtë teknikë janë në rritje. Ekspertët këshillojnë që kartat të përdoren në portale të sigurta dhe, mundësisht, të ndërrohen shpesh.
Ja sa kartëmonedha qarkullojnë në vend, sipas Bankës së Shqipërisë
31 dhjetor 2014 31 dhjetor 2013
Vlera Numri Totali mln lekë Numri Totali mln lekë
100 lekëshe 3.410.000 copë 341 15.843.000 1.584
200 lekëshe 11.064.000 copë 2.213 10.210.000 2.042
500 lekëshe 22.486.000 copë 11.243 24.663.000 12.331
1.000 lekëshe 47.168.000 copë 47.168 52.643.000 52.643
2.000 lekëshe 23.565.000 copë 47.130 20.285.000 40.570
5.000 lekëshe 22.960.000 copë 114.801 19.289.000 96.445
Greqi, familjet kanë humbur 40% të të ardhurave të tyre
Gjatë pesë viteve të parë të krizës ekonomike që goditi Greqinë, familjet e mesme kanë humbur gati katër të dhjetat e të ardhurave të tyre. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri për gjendjen financiare të familjeve helene të prezantuar nga dy ekonomistë të Universitetit të Athinës dhe atij të Bujqësisë. Sipas studimit të titulluar “Greqia, format e adaptimit, solidariteti dhe pabarazitë gjatë periudhës së krizës”, pjesa më e madhe e humbjeve të regjistruara prej 23.1% kanë qenë nga të ardhurat direkte. Një pjesë tjetër prej 8.8% është humbur për shkak të ndryshimeve fiskale dhe 7% për shkak të inflacionit të pakompensuar me rritjen e pagave në periudhën 20082012. Studimi, që bazohet në deklaratat e të ardhurave të 5.2 milionë kontribuuesve, vëren se në të njëjtën periudhë përqindja e popullsisë greke që jeton nën nivelin e minimumit jetik është rritur nga 27.9% në 31.1%. Ndërkohë, për sa i përket zhvillimeve të fundit në vend, mësohet se guvernatori i Bankës Qendrore, ishministri i Financave, Janis Sturnaras, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për të shtyrë në kohë pagesën e këstit prej 300 milionë euro për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për të mbledhur të gjitha këstet në një të vetëm që duhen paguar me 30 qershor. Sipas njoftimeve të mediave, Sturnaras i ka kërkuar Ekzekutivit që të shmangte këtë lëvizje, e cila, sipas mendimit të tij, do të dëmtonte imazhin e vendit dhe mund të ketë pasoja të pakëndshme. Guvernatori deklaroi se në këtë moment Greqia po bën të njëjtën gjë me Zambian, vendi afrikan që në vitet ’80 përmblodhi në të një të vetëm këstet ndaj FMN-së.




